Pas 15 vitesh, tregtia e jashtme pritet të rregullohet nga një kod i ri doganor. Por, ndërsa bazohet në normat europiane të tregtisë së jashtme, ka shumë kundërshti nga shoqatat e biznesit e ekonomistët.
Pas një “lufte” me qeverinë, bizneset fason arritën të bëjnë dallimin këtë pranverë, duke siguruar një paketë me lehtësi fiskale e mbështetje. Kjo paketë rrezikon të bëhet e pavlefshme, me kodin e ri doganor që pritet të aplikohet në janarin e ardhshëm.
Diskutimet e projekt-kodit të ri, në komisionet parlamentare, janë fokusuar më së shumti në këtë sektor, të nxitura nga kundërshtitë e sipërmarrësve të fasonit. Përfaqësuesit e këtij sektori theksojnë se do të kërkojnë nga qeveria rishikimet e mundshme, ndërsa kodi diskutohet në komisionet parlamentare.
Shqetësimet e fasonit lidhen me disa nene, duke filluar nga ajo e orarit të funksionimit të administratës doganore. Sipas sipërmarrësve, kodi i kaluar ua linte akteve nënligjore përcaktimin e orarit, por edhe në projekt-kodin, pavarësisht se parashikohet në mënyrë më specifike, nuk saktësohet orari i punës së doganave. Sipërmarrësit kujtojnë se në paketën fason thuhet që është miratuar urdhri për përcaktimin e orarit të punës së zyrave doganore, por oraret nuk gjenden në kodin e ri dhe procedurat vazhdojnë si më parë.
Në nenin 9, pika 1, përcaktohet se “orari i funksionimit të zyrave doganore vendoset i tillë në mënyrë që të jetë i arsyeshëm dhe i përshtatshëm, duke marrë në konsideratë llojin e trafikut/transportit të mallrave, si dhe regjimet doganore në të cilat ato do të vendosen, me qëllim që të mos pengohet dhe të mos vështirësohet trafiku ndërkombëtar i mallrave”. Kjo nuk do të thotë asgjë sipas fasonëve, të cilët kërkojnë orare të sakta për mundësinë e përpunimit të kontejnerëve.
Rezervat e fasonëve vijnë edhe për provimin e origjinës dhe përfitimin e saj. Ata i kujtojnë administratës doganore se, në Paketën Fason thuhet që kushtet për dhënien e origjinës preferenciale të mallrave përcaktohen nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe marrëveshjet e tregtisë së lirë CEFTA, EFTA, etj. Por, kjo deri më sot është evazive dhe është lënë në dorë të doganierit të thjeshtë, pasi përkufizimi në Kodin Doganor është shumë i përgjithshëm.
Edhe për lehtësitë e importit të makinerive të fasonit nuk ka ndryshime sipas përfaqësuesve të biznesit. Sipas tyre, në paketën fason thuhet që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po shqyrton procedurat për t’i dhënë zgjidhje kërkesës për autorizim 5-vjeçar, por në projekt-kod, afati i procedurave është lënë 24 muaj, njësoj si në kodin e mëparshëm. Hapa konkretë nuk janë bërë as për lehtësitë mbi taksimin e makinerive, dhe përcaktimin e listës së tyre. Në Paketën Fason të prezantuar tre muaj më parë, thuhet që është në proces rishikimi i vendimit të qeverisë “Për përcaktimin e listës së makinerive e të pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe procedurat e përjashtimeve të kritereve përkatëse”.
Edhe për autorizimin e përpunimit aktiv të mallrave, në bazë të Paketës Fason, do të duhej që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ta reflektonte më mirë në Draft-Kodin e ri doganor. Por, sipas sipërmarrësve e ka lënë si në kodin e kaluar.
Kundërshti nga sektori që punëson kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë (ferma, me një arsim të nivelit mesatar e nënmesatar) vijnë edhe për mungesën e përcaktimit të koeficientit për shfrytëzimin e materialit të përdorur si lëndë e parë. Sipas shoqatave të fasonit, vlerësohet të mos jenë bërë hapa saktësues. Në Paketën Fason thuhet që Kodi Doganor specifikon koeficientin e shfrytëzimit, ndërsa Draft-Kodi i ri Doganor përafron dispozitat lidhur me këtë qëllim. Gjobitja e bizneseve për shkak të diferencës në peshë po shqyrtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për t’u adresuar nëpërmjet Draft-Kodit të ri doganor. Por, problemi nuk është trajtuar aspak sipas fasonëve, të cilët kujtojnë se në kodin e ri doganor fjalë “peshë” nuk ekziston.
Në praktikë nuk po zbatohet regjimi i veçantë i përpunimit aktiv, i cili do të ishte edhe favori i sektorit. Sipërmarrësit, të cilët thonë se situata aktuale është përkeqësuar, tregojnë se në paketën fason thuhet që është miratuar udhëzimi “Për disa shtesa në Udhëzimin Nr. 01, datë 06.09.2012, ‘Për zbatimin praktik të Regjimit të përpunimit aktiv’, Neni 9, Pika 2.2.1”.
Sipas kësaj pakete, bazuar në legjislacionin doganor, çdo mall që deklarohet në regjimet doganore ekonomike përjashtohet nga rregulli i kompetencës territoriale. E drejta për vendosjen në regjim mundësohet në çdo zyrë doganore. Pasqyrim në projekt-kod nuk gjen as deklarata e qeverisë se autoriteti doganor shqiptar është në një proces përgatitje për ngritjen e infrastrukturës ligjore, teknologjisë së informacionit. Për të implementuar procedurat e thjeshtëzuara u premtua se do të kualifikohet stafi, por e gjithë kjo sipas fasonëve është veçse një teori.
Shqetësimet kryesore të fasonit për Kodin
1-Mospërcaktimi i orareve të punës për zyrat doganore
2- Importi i makinerive dhe lista e tyre. Nuk reflektohen lehtësitë e premtuara
3-Moszbatim në praktikë të procedurave për regjim të veçantë
4-Mospërcaktimi i koeficientit për shfrytëzim e lëndës së parë
5-Mospërcaktim i kompetencave territoriale
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.