Gazmend Koduzi, ekspert i politikave shëndetësore, vëren se qeveria ka një qasje të gabuar ndaj studentëve që mbarojnë Fakultetin e Mjekësisë.
Ka studime që tregojnë se mjekët ikin nga Shqipëria, për arsye ekonomike, të ardhura më të mira, zhvillim profesional, karrierë shkencore, status social, ambient më të mirë pune, zbatim të njohurive në praktikë, etj.
Qasja më e mirë është delegimi i këtyre problemeve, tha ai
Z. Koduzi, Shqipëria ka ende një numër të kufizuar të mjekëve për banor (1.9 mjekë për 1000 banorë, sipas raportimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë), ndërkohë në rajon, ky tregues është 2.6 dhe në BE, 3.6. Pse jemi në këtë situatë?
Shqipëria nuk ka pasur një strategji racionalizimi të shërbimeve shëndetësore, dhe si pasojë nuk ka pasur strategji të menaxhimit të burimeve njerëzore.
Kur flasim për strategji të burimeve njerëzore, fillon me edukimin e tyre, specializimin, punësimin, pagesën, mbajtjen në punë, karrierën profesionale dhe shkencore, e cila te ne nuk ekziston.
Shembulli më i prekshëm është numri i studentëve të diplomuar dhe numri i mjekëve që dalin në pension.
Çdo vit dalin rreth 3% e mjekëve në pension, që është afërsisht 140, ndërsa diplomohen 250 mjekë të përgjithshëm.
Një pjesë e mjekëve të diplomuar ikin jashtë vendit, dhe ngelet shumë pak për të mbushur hapësirat e krijuara ose për të përmirësuar gjendjen.
Ndërkohë, janë afërsisht 1200 mjekë që kanë marrë certifikatën e “Good standing” për të ikur nga vendi.
Ministria e Shëndetësisë raportoi se mosha mesatare e trupës mjekësore është mbi 50 vjeç, ndërkohë që shumë shpejt do të ketë vështirësi për të zëvendësuar mjekët që dalin në pension, prej flukseve të larta të largimit të mjekëve të rinj?
Shqipëria është e vonuar në hapjen e një fakulteti të dytë publik të mjekësisë, por edhe bashkëpunimi me sektorin privat në vendosjen e kuotave për nevojat e sistemit shëndetësor.
Koha për të zëvendësuar një mjek është e gjatë, për shkak të kohës së gjatë të studimeve prej 6 vitesh, si dhe specializimit 4-vjeçar.
Numri i mjekëve që hyjnë në sistem është i ulët krahasuar me nevojat, ndërsa nga ana tjetër, sa vjen dhe rritet numri i mjekëve që largohen.
Mjekësia si profesion ishte e rregulluar me kontrata për specializantët edhe më parë, a është një instrument i drejtë kontrata që qeveria po synon me studentët e mjekësisë në fakultetin publik?
Qeveria ka një përqasje të gabuar ndaj studentëve që mbarojnë Fakultetin e Mjekësisë. Qeveria duhet të bëjë politikat e duhura për mbajtjen e mjekëve në vend, dhe për këtë ka nevojë për politika bazuar në evidenca.
Kështu, fillimisht qeveria duhet të marrë në konsideratë arsyen përse ikin mjekët shqiptarë. Ka studime që tregojnë se mjeket ikin nga Shqipëria, për arsye ekonomike, të ardhura më të mira, zhvillimi profesional, karrierë shkencore, status social, ambient më të mirë pune, zbatim të njohurive në praktikë, etj.
Përqasja më e mirë është delegimi i këtyre problemeve, motivimi i mjekëve të qëndrojnë, dhe jo marrja e vendimeve me mendësi komuniste, duke i detyruar.
Por për të deleguar arsyet e ikjes së mjekëve, qeveria duhet të bëjë reformë të thellë në sistemin shëndetësor: duke filluar me menaxhimin dhe funksionimin e institucioneve shëndetësore; financimin e tyre bazuar në metoda incentivuese në spitale dhe për mjekët e familjes; krijimin e hapësirave për karrierë profesionale dhe shkencore, duke hequr monopolin e krijuar nga disa familje në universitetin mjekësor.
Qeveria, duke mos pasur vullnetin dhe vizionin për kryerjen e reformave, bën gjënë më të lehtë, duke detyruar studentet të firmosin kontrata që i mbajnë të lidhur me sistemin.
Nga ana tjetër, argumentet e qeverisë se shkollohen me fondet publike janë qesharake, sepse studentët janë qytetarë shqiptarë, dhe si rrjedhojë ata dhe familjet e tyre janë taksapagues, si pasojë, ata shkollohen me taksat që paguajnë vetë.
Ndër vite a ka pasur defekte në menaxhimin e burimeve njerëzore në fushën e mjekësisë. Çfarë instrumentesh duhet të vihen në lëvizje para se të jetë shumë vonë?
Shqipëria nuk ka pasur menaxhim të burimeve njerëzore, por vetëm inventar të tyre.
Ndërhyrja e parë ka të bëjë me rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë, që të rritet numri i mjekëve të diplomuar.
Leva e Arkimedit që rregullon menaxhimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor, është reformimi i financimit dhe menaxhimit të kujdesit shëndetësor.
Në çfarë linje të shëndetësisë duhen më shumë investime në burime njerëzore?
Pandemia e Covid-19 nxori në pah mungese të theksuar të specialistëve, sidomos reanimatorë, pneumologë, specialistë të shëndetit publik.
Sistemi shëndetësor shqiptar ka nevojë emergjente për një strategji të planifikimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, e cila do bëjë të mundur që në një periudhe 10-vjeçare, të përmirësojmë situatën e numrit të mjekëve.
Si mund t’i parandalojmë efektet negative që po krijojnë zhvillimet demografike dhe emigracioni është në sektorin e shëndetësisë?
Migrimi i brendshëm, plakja e popullatës dhe emigrimi, janë tre elemente që po ndikojnë negativisht në numrin e personelit mjekësor në vend, dhe si pasojë po dëmtojnë aksesin ndaj shërbimit, dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor ndaj pacientëve.
Këto fenomene parandalohen përmes ndërhyrjes shumëdimensionale, duke filluar me diplomimin e më shumë mjekëve, reformimin e sistemit shëndetësor me qëllim mbajtjen e tyre në vend, si dhe planifikimin më të mirë dhe shpërndarjen e burimeve njerëzore, që t’u përgjigjen nevojave shëndetësore të popullatës, bazuar në strukturën demografike dhe të sëmundshmërisë.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.