Kompania kineze Nio prezantoi sot një smartphone të nivelit të lartë, i projektuar që të përdoret me makinat e tij elektrike, duke reklamuar një sërë funksionesh të lidhura, si përdorimi i telefonit për të udhëzuar makinën të parkojë vetë.
Prezantimi i Nio Phone – telefoni i parë specifik për makina i shitur nga një kompani kineze – thekson gjendjen e avancuar të teknologjive EV në tregun më të madh automobilistik në botë, ku makinat elektrike përfaqësojnë tashmë më shumë se një të tretën e makinave të shitura.
Një drejtues i Nio mund të përdorë telefonin për të njoftuar makinën e tij që të drejtojë vetë në vendndodhjen e tyre (e lejuar në Kinë në hapësira të kufizuara dhe me shpejtësi të ulët) dhe për të hapur makinën edhe kur telefoni është i fikur.
CEO i kompanisë, William Li, deklaroi se Nio Phone zotëron më shumë se 30 funksione specifike për makinën dhe ka hapur rrugë të reja falë teknologjitë e lidhjes.
“Besoj se shumë nga konkurrentët tanë do të mësojnë nga inovacionet tona te smartphone dhe jam i lumtur për këtë” – deklaroi ai.
Nio Phone do të jetë në tre modele, me çmim mes 6.499 dhe 7.499 yuan (890-1.030 dollarë). Telefoni do të shitet vetëm në Kinë dhe dërgesat do të nisin më 28 shtator.
Li ka ecur përpara me projektin e smartphone, pavarësisht shqetësimeve të disa investitorëve që mendojnë se shtëpia automobilistike, humbjet e së cilës janë rritur për shkak të një lufte të fortë çmimesh në Kinë, po merr shumë përgjegjësi.
Sipas analistit Will Wong në IDC, interesi kryesor i shtëpisë automobilistike në projektimin e telefonit ka të ngjarë të jetë mbledhja e të dhënave të përdoruesve se sa përpjekja për ta bërë telefonin faktor kyç për të ardhurat.
“Telefonat inteligjentë do të jenë një platformë e mirë për të mbledhur më shumë të dhëna, që janë të rëndësishme në botën e sotme teknologjike dhe mund të sjellin në përvojë më të mirë të përdoruesit dhe qëndrueshmëri të klientit”, – tha ai.
Nio, i cili është i nënti mes prodhuesve të makinave elektrike dhe hibride në Kinë, po dyfishon investimet në teknologjitë për komponentët kryesorë si çipat dhe bateritë.
Kompania ka një ekip prej 11.000 inxhinierësh që punojnë në aspektet kyçe të teknologjive inteligjente EV, nga chip-at e baterive te drejtimi autonom e prodhimi inteligjent, – deklaroi Li gjatë prezantimit të telefonit.
Pas rënies së shitjeve në gjysmën e parë të vitit, Nio dha shenja rimëkëmbje, ku dërgesat në gusht u rritën me 81% krahasuar me një vit më parë, falë popullaritetit të makinës së rinovuar SUV ES6.
Në tetë muajt e vitit, Nio ka shitur rreth 94.350 makina, me rritje prej 32% krahasuar me periudhën e një viti më parë, duke tejkaluar normën e rritjes prej 20% për shitjet e makinave elektrike në Kinë.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.