Shteti kërkon avokatë për prishjen e kontratës ndërkohë që Rapiscan kërkon zhdëmtimin në arbitrazhin ndërkombëtar të Vjenës për prishjen e koncensionit të kontenierëve në shumën 359 milionë dollarë. Qeveria shqiptare ka bërë nul marrëveshjen koncensionare për skanimin e kontenierëve dhe me 14 gusht 2014 Rapiscan e ka çuar çështjen në gjyq ndërkombëtar. Sipas parashikimeve të kontratës çështja ka shkuar në arbitrazh dhe do gjykohet nga tre arbitra ndërkombëtarë.
Për mbrojtjen ligjore të rastit Qeveria shqiptare ka hapur një procedurë konkurruese për marrjen e asistencës së pavarur ligjore për mbrojtjen e kësaj çështjeje.
Prej disa kohësh qeveria e kryeministrit Rama po përpiqet të anullojë disa nga koncensionet e dhëna nga qeveria paraardhëse. Por fakti që kontratat shprehin vullnet dypalësh dhe janë ratifikuar si marrëveshje në Kuvend duke u kthyer në ligje e vështirëson shumë negocimin për anullimin e tyre. Në të gjitha rastet palët e prekura mund t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit në Londër, Vjenë, paris etj., sipas klauzolave të marrëveshjes dhe Shqipëria rrezikon dëmshpërblmime të konsiderueshme në rastet e prishjes së njëanshme të koncensioneve. Në një intervistë për VOA ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj deklaroi se prishja e kontratave koncensionare mund t’i shkaktojë buxhetit një kosto prej rreth 300 milionë euro. Në fakt një shumë të përafërt e ka kërkuar vetëm njëri nga koncensionarit, Rapiscan.
Në një njoftim zyrtar Avokatura e Shtetit fton të gjithë subjektet e interesuar të aplikojnë për pjesëmarrje në procesin e dhënies së asistencës dhe përfaqësimit për Ministrinë e Financave/Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në zhvillimin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes me shoqërinë S2 Albania Sh.p.k. dhe Rapiscan Systems Inc., bazuar në kontratën e koncesionit datë 10 prill 2013, “Për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.
Vlerësohen më së shumti studiot ligjore që kanë eksperiencë në aribtrazhin ndërkombëtar dhe duhet të paraqesë një ofertë me çmim tavan si asistencë ligjore për mbështetjen e Ministrisë së Financave në këtë gjyq ndërkombëtar.
KLIKONI LINKUN E MEPOSHTEM PER TE LEXUAR NJOFTIMIN E AVOKATURES SE SHTETIT
S2 Albania, skanimi i kontejnerëve, koncesioni i shumëkundërshtuar
E krijuar më 22 maj 2013, S2 Albania ka si objekt “Zbatimin e marrëveshjes së koncesionit për skanimin e kontejnerëve në dogana, si dhe çdo aktivitet tjetër lidhur me çështjen ose i kërkuar për të realizuar zbatimin e marrëveshjes.
Kompania u krijua pas miratimit të ligjit 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan (pronare e S2 Albania), si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar më 24 prill 2013 dhe është miratuar nga Presidenti Bujar Nishani, më 2 maj 2013.
Koncesioni hasi që në fillim kundërshtimin e bizneseve, ndërsa në qershor të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, rishikimin e kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Hetimi i autoritetit nisi nga shqetësimi publik i komunitetit të biznesit për shtimin e kostos në lidhje me shërbimin për skanimin e kontejnerëve në dogana.
Autoriteti konkludoi se kontrata e koncesionit bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së; procedura për dhënien e koncesionit nuk ka respektuar ligjin e konkurrencës për marrje mendimi, ndërkohë që ka qenë një propozim i pakërkuar dhe jo një procedurë e hapur tenderuese që do t’i vendoste të gjithë ofertuesit e mundshëm në pozita të njëjta konkurrence. Edhe vendosja e skanerëve në vetëm pesë pika nga të cilat tre fikse dhe dy të lëvizshme (në varësi të shtimit të fluksit të zhdoganimeve) nuk mbulon të gjitha pikat doganore për të justifikuar plotësisht qëllimin për të cilin është dhënë koncesioni, është një nga pikat e tjera të kontestuara nga Autoriteti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.