Shpallet tenderi për rikonstruksionin e plotë të autostradës nga Shkupi deri në Kumanovë në gjatësi prej 23 kilometrash. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski, tha se investimi do të bëhet përmes fondeve IPA.
Kompanitë e interesuara mund të parashtrojnë oferta deri më 26 tetor, pas çka do të bëhet evaluimi i ofertave, ndërsa aktivitetet ndërtimore do të fillojnë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Rikonstruktimi i korsisë së re nga Kumanova drejt Shkupit veçmë ka filluar.
“Kjo do të thotë se 23 kilometra prej Shkupit deri në Kumanovë do të rehabilitohen dhe rikonstruohen. Kjo është shumë me rëndësi pasi ne investojmë shumë në Korridorin 10 që maksimalisht ta përmirësojmë infrastrukturën”, deklaroi Misajllovski.
Rikonstruktimi i pjesës përfshin vendosjen e korsisë së re dhe sinjalizimit në komunikacion.
Misajllovski potencoi se vazhdojnë investimet në infrastrukturën rrugore, duke kujtuar edhe tenderin paradokohe të shpallur në pjesën Prilep – Gradsko.
Në fazë përfundimtare, shtoi ai, janë edhe aktivitetet nga Negotina deri në Demir Kapi, për çka pritet regjim i komunikacionit nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Investimet në Korridorin 10, sipas Misajllovskit, do të kapin vlerën mbi 230 milionë euro.