Se Kosova është e shtrirë mbi rezerva të mëdha të thëngjillit dhe se mund të jetë fuqi energjetike e rajonit po mbetet vetëm një dëshirë e mirë. Mungesa e thëngjillit do ta shoqërojë edhe për shumë vite atë. Do të ishte fat nëse mund të mbahen në prodhim tri blloqe me më shumë se 500 magavat/orëJohn Ashley, administrator i Korporatës Energjetike të Kosovës, i ardhur në Kosovë nga Irlanda, së bashku me një ekip nga ESBI, ka shqetësuar shumë kosovarët me përfundimin se kriza energjetike mund të zgjasë deri në vitin 2010. Ai këtë deklaratë e mbështet së pari, në mungesën e thëngjillit, si edhe me pamundësinë që në prodhim të mbahen më shumë se tre blloqe të termocentraleve, të cilat prodhojnë vetëm 500 megavat/orë energji elektrike. Nebih Zariqi, pronar i një ndërmarrje të fuqishme ndërtimi, Standard nga Prishtina, nuk e ka shumë shqetësim se si do të jetë situata energjetike pas vitit 2010, por se si do të bëjë edhe katër vjet në krizë energjetike Kosova. Në rrethanat aktuale energjetike unë nuk mund të planifikoj zhvillimin e biznesit. Reduktimet e mëdha të energjisë elektrike po pengojnë edhe ato pak nisma për investime në prodhim. Nuk zhvillohet Kosova me agregate, -flet i shqetësuar Nebih Zariqi.Problemi i energjisë elektrike është aktualizuar gjatë javëve të fundit, kur administratorët nga KEK-u dolën me një deklaratë shokuese: S ka thëngjill.Megjithëse ishte e kuptueshme se punohej në kushte të vështira klimatike, në reshje bore dhe me përmbytje nga shkrirja e saj dhe shirat e mëdha, se dheu kishte rrëshqitur në disa pjesë të mihjeve sipërfaqësore në Mirash dhe Bardh të Madh, nuk ishte pritur që problemi të shpërthente aq menjëherë.Kjo ndodhi vetëm për shkak të paaftësisë së administratorit të KEK-ut. Ata duhet ta dijnë se sa thëngjill kanë në rezerva dhe sa janë të shfrytëzueshme. Kanë 18 eskavatorë të fuqishëm, ndërsa duhet të angazhojnë shoqëri private, meqenëse makineritë e KEK-ut nuk mund të lëvizin nga balta. Ata kanë dështuar në heqjen e dheut, që zakonisht bëhet në kushte të volitshme klimatike, komenton Bajrush Xhemajli, përgjegjës për pasurinë energjetike në Kabinetin Qeverisës të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila në mënyrë më të popullarizuar quhet Qeveria nën hije.Vlerësime gati të ngjashme ka edhe Et hem Çeku, ministër i Energjisë.Ata duhet të shohin përfundimisht se nuk janë të përgatitur për t a administruar situatën e krijuar në KEK. Ata nuk kanë aftësi, as mundësi, e nuk janë as të përgatitur që ta zhvillojnë këtë proces më tutje, ka deklaruar ministri Çeku, ndërsa vizitonte mihjen sipërfaqësore të thëngjillit në Bardh.Shkatërrimi i mihjeve Muhedin Haxhiu, administrator i Departamentit të Minierave në KEK, apo përgjegjësi kryesor për prodhimin e thëngjillit nuk e mohon krizën energjetike, në të cilën papritmas është futur Kosova. Sipas tij, problemi qëndron në shkatërrimin e mihjeve që u janë bërë gjatë kohës së administrimit nga serbët, por edhe për shkak të investimeve të pakta në makineri. Në fakt, miniera në Mirash dhe në Bardh të Madh, dy burimet e vetme të qymyrit për termocentralet e Kosovës, janë para mbylljes. Rezervat janë duke u shterrur dhe ato nuk janë të përgatitura për punë në kushte të rënda klimatike. Një ekip i ekspertëve gjermanë, i cili me urgjencë ishte ftuar që të vinte në Kosovë, ka konstatuar se thëngjilli po harxhohet shpejt. Rezervat e shfrytëzueshme kanë arritur në pikën kritike. Nga mesi i javës së kaluar në zotërimin e termocentraleve kanë qenë 123 mijë ton thëngjill, ndërsa në miniera të gatshme për shfrytëzim janë 260 mijë ton. Sipas tyre, kjo sasi e thëngjillit mjafton që dy blloqe të termocentralit Kosova B dhe një i atij Kosova A të mbahen në prodhim deri nga fundi i muajit mars. Premtohet se gjatë javëve në vijim do të nxirren edhe rreth 480 mijë ton thëngjill, që do të mjaftojnë deri nga fundi i muajit prill. Por më tutje, si do të vazhdojë? Këtu s ka përgjigje as nga KEK-u. Jemi duke bërë përpjekje për zbulimin e sasive të reja të qymyrit. Shpresojmë se kushtet klimatike do të jenë më të mira dhe do ta kemi më lehtë të punojmë, ka premtuar Muhedin Haxhiu.Ai thekson se gjendja është e rëndë, madje edhe sikur të ishin në funksionim 18 eskavatorë të mëdhej, ndoshta gjendja do të ishte pak më e mirë. Për këtë duhen shumë para, meqenëse mekineritë janë të amortizuar dhe mirëmbajtja nuk është në nivelin e duhur. Do të ishte fat, nëse arrijnë të nxjerrin thëngjill vetëm për tre termocentralet në prodhim. Si nevojë emergjente duhen së paku 9 milion euro. Po ashtu, kaherë kam tërhequr vërejtjen për gjendjen kritike të rezervave, por edhe për makineritë që janë para shkatërrimit. Për këtë askush nuk më ka dëgjuar. Në qeveri më shumë janë të shqetësuar me hapjen e mihjeve të reja dhe ndërtimin e termocentraleve për nevojat e rajonit sesa për problemet akute, është i brengosur Haxhiu. Ai shpreson se kriza që ishte pasojë e vërshimeve dhe e rrëshqitjes së dheut është tejkaluar, por probemi nuk është zgjidhur. Ende jemi në gjendje kritike. Rreziku ende nuk ka kaluar dhe askush nuk mund të garantojë se nuk do të ketë vështirësi të tjera, nëse vazhdojnë reshjet dhe nuk investohet në mekanikë dhe në zbulimin e sipërfaqeve të reja të thëngjillit, shton Muhedin Haxhiu. Sipas Haxhiut, për hapjen e një miniere duhen vite të tëra, pa llogaritur zvarritjet që mund të ndodhin për shkak të kundërshtimeve pronësore e juridike.Ndërkohë, administrata irlandeze në KEK ka fajësuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka bërë me kohë zhvendosjen e banorëve të fshatit Hade, andej nga planifikohet të zgjerohen mihjet. Por, Agron Dida, zëvendësministër i Energjetikës, këtë e quan vetëm si një përpjekje për të arsyetuar dështimet. Që nga muajt e verës në disa lagje të fshatit nuk është asnjë banor. Mirëpo, KEK-u ende nuk ka filluar të punojë për zgjerimin e mihjeve, thotë Dida. Askush nuk vjen në terrNë një takim të biznesmenëve me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, mungesa e energjisë elektrike është nxjerrë si problemi kryesor, që ndikon në përkeqësimin e ambientit për biznes. Gjatë fundit të muajit shkurt dhe në fillim të muajit mars thuajse vetëm Prishtina ishte e kursyer nga reduktimet, sadoqë edhe aty zbatohej orari katër orë me rrymë e dy pa të. Në rajonet e tjera ka ndodhur që të mos kenë drita dhjetë orë. Si mund të përballojë shpenzimet nëse jam i detyruar që një fabrikë të tërë ta furnizoj me rrymë nga agregatët. Kjo rrit koston dhe unë që në fillim do të zhytem në humbje, thotë Ismet Bojku, administrator i fabrikës për prodhimin e qumështit Vita. Edhe një studim i Bankës Botërore ka nxjerrë energjetikën të parën në listën e pengesave për zhvillimin e Kosovës. Njerëz nga komuniteti i biznesit janë të vetëdijshëm se ndoshta pas vitit 2010 gjendja do të jetë më e mirë. Por, ata e kanë hallin se si ta përballojnë krizën deri në këtë vit. A do të thotë kjo se zhvillimi ekonomik duhet të ngecë edhe tri-katër vjet? Ne kërkojmë zgjidhje. E këtë duhet ta gjejnë njerëzit e KEK-ut. Nëse biznesi paguan shpenzimet e energjisë elektrike me rregull, atëherë është e padrejtë që ata të mbesin në terr, vlerëson Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.Realisht, rrethanat aktuale janë shumë shqetësuese. KEK nuk ka ndonjë alternativë për furnizimin e tregut me energji elektrike. Nuk është i sigurt as importi, pasi nuk ka fuqi financiare. Buxheti i Kosovës nuk jep para, pasi qeveria është e sigurt për keqadministrim në KEK, por edhe buxheti është mjaft i vogël për të gjitha kërkesat. Madje, problemi nuk do të zgjidhet as me 17 milion euro, që janë të destinuara për importin e rrymës gjatë këtij viti.Problemi mund të zbutet, por sërish do të ketë reduktime të gjata. Mos të harrojmë se me këtë mungesë të energjisë elektrike nuk vjen asnjë investitor serioz, konstaton Agim Shahini.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.