Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë, “nuk ka qenë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, duke iu referuar Serbisë. Kurti ka thënë se derisa qytetarët e Kosovës do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, targat RKS do të vazhdojnë të jenë në fuqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për vendimin e vendosjes së tabelave të përkohshme RKS për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera, e sidomos nga Serbia.
“Nga data 15 shtator Republika e Kosovës ka ndërprerë dhënien e tabelave KS. Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë për marrëveshjen e lëvizjes së lirë, MPB sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se pavarësisht se çfarë nacionaliteti janë poseduesit e automjeteve me tabela jovalide ato po konfiskohen .
“Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme . Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur 2011 për lëvizje të lirë, që nga ajo kohë Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet”, tha kryeministri Kurti.
Kurti ka treguar se veprimet e ndërmarra sot nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serb apo të provokojnë ndonjë destabilizim.
“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serb, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serb apo të provokojnë çfarë do destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”.
Ai kërkoi nga qytetarët serb të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë pa shqetësime e brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë.
Lexo edhe këtë: Reciprociteti i targave: Ndalohet hyrja me targa të Serbisë në Kosovë, ky është vendimi i marrë nga Qeveria
Policia e Kosovës sot në mëngjes ka filluar të heqë targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç deri sot kanë autoritetet serbe me veturat e regjistruara në Kosovë.
Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kanë dalë edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë mbledhur qytetarë serbë për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vendosjen e reciprocitetit sa i përket targave.
Kreu i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, tha se ky vendim është i drejtuar kundër popullit serb.
Ai ishte i pranishëm në Jarinje, ku Policia e Kosovës udhëzoi qytetarët që të mos grumbullohen, por Rakiq tha se ata kanë të drejtë të mbajnë protestë paqësore.
“Ne kemi dëgjuar informacione se kjo nuk është e drejtuar kundër popullit serb”, tha Rakiq, po shtoi se një vendim i tillë, sipas tij, “është kundër popullit serb”.
Ai bëri thirrje që njerëzit të mos bien “pre e provokimeve dhe të mos provokojnë”, duke ftuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të gjejë një zgjidhje.
Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëashëm.
Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.
Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.