Kredia e dhënë nga sektori bankar jashtë vendit pësoi rënie vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2023 kredia për subjektet jorezidente kishte vlerën e 40.5 miliardë lekëve, në rënie me 9.7% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, rënia duket të jetë në masën më të madhe efekt i kursit të këmbimit dhe mbiçmimit të Lekut gjatë vitit 2023. Kredia për jorezidentët jepet në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro. Kursi i këmbimit Euro-Lek pësoi rënien më të fortë historike vitin e kaluar dhe në momente të caktuara zhvlerësimi i monedhës me bazë vjetore arriti në më shumë se 14%.
Pesha specifike e kredisë për jorezidentët ndaj portofolit total të kredisë së sektorit gjithashtu ka pësuar rënie, në 5.2%, nga afërsisht 6% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Kredia e sektorit bankar për jorezidentët arriti nivelet më të larta në vitin 2017, kur përbënte pothuajse 15% të totalit të portofolit të huasë së sektorit bankar në Shqipëri. Një pjesë e madhe e kredisë jashtë vendit lidhej sidomos me aktivitetin e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë. Pasi dega në fjalë u nda nga banka mëmë në Shqipëri, në fillim të vitit 2019, kjo kredi pësoi rënie të ndjeshme.
Aktualisht, një klasifikim i ngjashëm vazhdon të ekzistojë për degën e Credins Bank në Kosovë. Megjithëse zhvillon aktivitet bankar në Kosovë, teknikisht kredia e degës së Credins atje klasifikohet si kredi jorezidente, për sa kohë dega ende nuk funksionin si një institucion plotësisht i ndarë nga banka mëmë në Shqipëri.
Edhe në periudhat kur kredia jashtë vendit arriti nivelet më të larta historike, ajo ka qenë e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit. Këto banka vitet e fundit kanë kërkuar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, sidomos në tregje si Kosova, ku kthimet kanë qenë të kënaqshme dhe raporti i kredive me probleme ka qenë i ulët.
Më shumë se gjysma e depozitave në sektorin bankar shqiptar janë në valutë të huaj dhe tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies. Por, në vitet e fundit kreditimi po shfaqet gjithnjë e më i orientuar drejt Lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të Euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit. Për këtë arsye, disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes.
Në total, aktivet jorezidente të sektorit bankar shqiptar u rritën ndjeshëm edhe vitin e kaluar, pavarësisht efektit të kursit të këmbimit. Vlera e aktiveve jorezidente arriti në 422.7 miliardë lekë, 6.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, rritja e aktiveve jorezidente duket se është përqendruar te aktivet me rrezik të ulët, si investimet në letra me vlerë të borxhit dhe në vendosje me bankat jorezidente, ndërkohë që bankat nuk kanë rritur ekspozimet në formën e kredive. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.