Kursimet e shqiptarëve në tre muajt e parë të këtij viti janë rritur me ritme më të ulëta në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shtesa e kursimeve për periudhën janar-mars 2012, në krahasim me dhjetorin 2011, ishte 12.7 miliardë lekë, nga 14.4 miliardë lekë që ishte kjo shtesë në janar-mars 2011.
Ndonëse në kohë të pasigurta ekonomike rritet tendenca për të kursyer, ngadalësimi i ekonomisë, që është reflektuar në mos rritje të pagave, apo shkurtim të vendeve të punës dhe shtrenjtim të kostos së jetesës i ka lënë konsumatorët me më pak para në dispozicion për të kursyer.
Leku mbetet monedha më e preferuar për të kursyer. Rreth 85% e shtesës së depozitave në tremujorin e parë të vitit ka ardhur nga monedha vendase.
Vitin e kaluar depozitat u rritën edhe nga një zhvendosje e kursimeve të emigrantëve të Greqisë, që transferuan paratë në bankat shqiptare si rrjedhojë e pasigurisë nga kriza e borxheve kombëtare në shtetin fqinj, prirje që ishte e dukshme që nga marsi i vitit të kaluar. Këtë vit një tendencë e tillë nuk po konstatohet, të paktën deri tani.
Ndërkohë ofertat e shumta të bankave për të tërhequr depozita me interesa relativisht të larta, pritet të përshpejtojnë ritmet e rritjes së depozitave në muajt në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.