Porsa u përket aktiveve financiare neto, Kroacia u rendit e 31-a, me 5,482 euro për frymë. Renditja u kryesua nga Zvicra, me 138,062 euro për frymë, e ndjekur nga Japonia me 93,087 euro dhe Shtetet e Bashkuara me 90,417 euro.
Shteti fqinjë Sllovenia u rendit në vendin e 23-të, me 14,049 euro aktive financiare për frymë, Republika Çeke ishte e 26-a me 9,408 euro; Rumania e 32-ta, me 5,343 euro; Hungaria e 33-ta me 5,224 euro dhe Polonia e 35-ta, me 4,153 euro për frymë.
“Raporti tregon se rimëkëmbja e dukshme e aktiveve financiare që u konstatua pas krizës financiare të viteve 2007/‘08, u ndërpre vitin e kaluar: aktivet financiare neto për frymë u rritën me vetëm 0.6% në 2011-n, në raport me zgjerimet prej 7.8% dhe 9.7% gjatë viteve 2009 dhe 2010. Ky zhvillim zhgënjyes ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së ulët në aktivet financiare bruto: megjithëse niveli prej 100 trilionë eurosh u tejkalua në 2011-n, në sajë edhe të euros së dobët, duke i çuar aktivet financiare globale të individëve privatë në 103.3 trilionë euro në total, ritmet e rritjes ishin vetëm 1.6%”, tha “Allianz”.
“Është e dukshme se pasiguritë, normat e ulëta të interesit dhe kriza e euros kanë dhënë ndikimin e tyre në ecurinë e aktiveve”, tha shefi i “Allianz”, Michael Heise.
Vitin e kaluar, në Kroaci u shënua një rënie e konsiderueshme prej 11.2% në aktivet neto financiare për frymë, që ishin përafërsisht 6% më të ulëta në krahasim me rekordin e parakrizës në 2007-n. Kjo erdhi si rrjedhojë e një rritjeje të shpejtë të borxhit privat në Kroaci. Me borxhin privat prej 4,240 eurosh për frymë, ose 41.1% të PBB-së, Kroacia është gjithashtu lideri rajonal sa i përket borxhit privat.
Gjithsesi, me aktive financiare neto prej 5,482 eurosh për frymë, Kroacia është ende një vend me pasuri të mesme.