Objektivi strategjik i Kroacisë është të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme dhe të miratojë euron deri në fund të mandatit të qeverisë së ardhshme, tha në një deklaratë për shtyp, Kryeministri Andrej Plenkoviç.
Në fillim të këtij viti, Kroacia i dërgoi një letër Bankës Qendrore Europiane për t’u bashkuar me Mekanizmin e Shkëmbimit Europian (ERM-2), ParaDhomën për miratimin e euros.
“Plani ynë është që të bëhemi pjesë e ERM-2 në gjysmën e dytë të 2020, ku ne parashikojmë që të kalojmë dy deri në tre vjet. Pastaj procedurat për miratimin e euros mund të fillojnë në 2023 (periudha më e shpejtë e mundshme) por edhe në fillim të 2024”, tha z. Plenkoviç në një konferencë ekonomike. Ai tha se ndër përfitimet kryesore të Kroacisë nga adoptimi i euros do të ishte heqja e rrezikut të monedhës, kosto më të ulëta të huamarrjes dhe një konkurrencë më e fortë e ekonomisë.
Pavarësisht se Kroacia ka monedhën e saj, kunën kroate, shumica e kursimeve të saj, rreth 75% të tyre në dekadën e fundit, ishin në monedhën euro. Kroacia po bën përpjekje për të mbajtur nën kontroll bilancin e saj buxhetor dhe për të zvogëluar borxhin publik drejt 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitet e ardhshme, të cilat janë edhe ndër kriteret kryesore për të miratuar euron.
Për vitin e ardhshëm, qeveria propozoi një buxhet me një suficit të përgjithshëm prej 0.2 % të PBB-së, i cili në 2022 parashikohet të arrijë në një suficit prej 0.8 % të PBBA-së. Borxhi publik parashikohet të bjerë nga 71.3 % e PBB-së në fund të këtij viti në 61.6 % në fund të vitit 2022.