Parlamenti kroat ratifikoi në mënyrë unanime traktatin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, 14 muaj përpara se Kroacia të hyjë në klubin europian si anëtari i saj i 28-të, më 1 korrik 2013.
Anëtarësimi duhet të ratifikohet në parlamentet e të gjithë 27 anëtarëve aktualë në 14 muajt e ardhshëm.
Deri tani, pesë shtete anëtare të BE-së kanë ratifikuar traktatin: Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia dhe Malta.
Kryeministri Zoran Milanovic tha në Parlament përpara votimit se “BE është qëllimi i gjeneratës sonë. Pas 20 vitesh pavarësi është koha që të kompletojmë shtetin”.
Ministri i Jashtëm, Vesna Pusic, ra dakord, duke thënë se ka një konsensus të përgjithshëm në Kroaci për sa i përket anëtarësimit në BE.
Deri sa Kroacia të hyjë në BE, vendi do të mbetet nën monitorimin e BE-së, çka mund të ngadalësojë procesin e ratifikimit në rast se ndonjë vend do të shfaqë ankesa rreth ecurisë së zbatimit të standardeve të BE-së nga Kroacia.
Traktati i Hyrjes u nënshkrua më 9 dhjetor 2011 në Bruksel nga Ivo Josipovic dhe ish-kryeministrja Jadranka Kosor.
Kroacia filloi negociatat e hyrjes në tetor 2005. Këto kanë qenë negociatat më të gjata nga të gjitha 12 shtetet anëtare të BE-së, që kanë hyrë që në vitin 2000.