Kroacia është bërë pjesë e Bashkimit Europian që nga 1 korriku duke hapur kështu një kapitull të ri për ekonominë e saj. Ndërkohë vendet e tjera të rajonit po përllogarisin përfitimet dhe humbjet nga kjo ngjarje.
Në Shqipëri, industria e përpunimit të peshkut rrezikon të ulë eksportet, ndaj kërkohet ndërhyrja e qeverisë
Kroacia ka hyrë tashmë në BE duke hapur mundësi të reja për ekonominë e saj, por njëkohësisht duke ngritur pikëpyetje për vendet e tjera të Ballkanit që kanë marrëdhënie tregtare me të.
Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Maqedonia, etj., tashmë u druhen rritjes së vështirësive për të eksportuar produktet e mallrat e tyre në këtë shtet si dhe shtimit të burokracive për shkak të rregullave më të strikte që kërkon Bashkimi Europian.
Edhe në Shqipëri, mund të ketë gjithashtu probleme.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, Shqipëria ka importuar mbi 1 miliard lekë mallra nga ky shtet në katër muajt e parë të vitit, ku peshën kryesore e zë lënda djegëse.
Lënda djegëse dominohet nga nafta që importohet nga anijet e peshkimit për shkak të çmimit më konkurrues atje se në Shqipëri.
Në drejtim të eksporteve shqiptare drejt këtij shteti, ato mbeten shumë të limituara, vetëm 48.6 milionë lekë gjatë janar-prillit 2005.
Megjithatë, një nga sektorët më të lidhur në Shqipëri është ai i përpunimit të peshkut, i cili importon thuajse të gjithë lëndën e parë nga ky shtet.
Kujtim Shkreli, president i kompanisë më të madhe të përpunimit të peshkut në vend, “Poseidon”, thotë se hyrja e Kroacisë në BE do të rrisë më tej kostot për industrinë vendase.
“Hyrja e Kroacisë në Europë do të rrisë më shumë çmimet e peshkut sepse atje do të rriten kostot për shkak të taksave apo tarifave më të larta. Kjo do të çojë direkt në shtim kostosh për ne, ndërkohë që në vend e kemi thuajse të pamundur të gjejmë lëndë të parë për sektorin tonë”, shpjegon Shkreli.
Ç’mund të bëhet
Por problematike nuk është vetëm rritja e kostove të lëndës së parë, por edhe limitimi i eksporteve që mund të rrezikohet nga hyrja e Kroacisë në BE. Sipas rregullave të Bashkimit Europian, importet e lëndëve të para nga shtetet europiane mund të bëhen me tarifë zero nëse më pas ato eksportohen përsëri në këtë zonë.
Por sot, industria vendase nuk eksporton vetëm në BE, por edhe në vende të tjera të largëta me shumë interes, si Japoni, Kinë etj.
“Kjo gjë do të na çojë në kufizimin e mëtejshëm të eksporteve tona”, thotë z. Shkreli.
Ajo që mbetet për t’u bërë, sipas tij, është miratimi i marrëveshjes së kumulimit-diagonal me të gjitha vendet e rajonit, ku është pjesë edhe Kroacia, që mundëson importin e peshkut pa tarifë duke përfituar nga kjo marrëveshje.
“Të gjitha vendet e rajonit e kanë miratuar këtë marrëveshje, vetëm Shqipëria ende nuk e ka ndërmarrë një nismë të tillë me gjithë kërkesat tona ndaj qeverisë. Ne sot vijojmë të eksportojmë lëndë të parë duke paguar tarifa doganore në Kroaci. Por në realitetin e sotëm, duhet medoemos që ne ta miratojmë këtë marrëveshje me qëllim lehtësimin e eksporteve tona në shtete të ndryshme të botës”, shton presidenti i shoqërisë “Poseidon”.
Ç’ndodh me peshkimin në Kroaci
Nga ana tjetër, edhe peshkatarët kroatë frikësohen se hyrja në BE mund të “fundosë” tregtinë e tyre. Shumica e 3,700 peshkatarëve të cilët e tregtojnë mallin e tyre në lindje të Adriatikut të Kroacisë frikësohen se pranimi i vendit në bllok më 1 korrik, dhe ligjet e reja të rrepta si dhe rregulloret që e shoqërojnë atë, “mund të jenë fundi për ta”.
“Kam frikë ne do kemi shumë surpriza të pakëndshme”, tha Danilo Latine, familja e të cilit kanë qenë peshkatarë për katër breza.
“Ne do të humbasim subvencionet, do të na duhet të ndryshojmë rrjetat tona, të peshkojmë më larg nga bregu, do të ketë më shumë konkurrencë dhe kufizime të reja, kështu që ne do përballemi me kohë më të vështira”, tha ai
Adriatiku i Kroacisë është i vogël dhe relativisht i cekët dhe peshkatarët përdorin rrjetat tradicionale që nuk janë në përputhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit, modeluar kryesisht sipas peshkimit në Atlantik.
“Tranzicioni do më kushtojë mua të paktën 100,000 kuna (17,500 dollarë), për shkak të të gjitha mjeteve që nuk do të jem në gjendje të përdor. Dhe nuk do të marr asnjë kompensim financiar”, tha Latine, duke tundur në ajër duart e nxira dhe me kallo.
Ankesa e tij i bën jehonë frikës së shumicës së peshkatarëve lokalë, të cilët thonë se qeveritë e njëpasnjëshme të Zagrebit të cilat negociuan hyrjen në BE në vitet 2005-2011 nuk bënë asgjë në mbrojtje të interesit të tyre.
“Nuk ka pasur asnjë negociatë, ne nuk kemi fituar asgjë përmes procesit, ne vetëm kemi zbuluar se nuk ka asnjë alternativë, përveçse të pranojmë atë që na është ofruar”, tha Latine.
Kosto të reja, më shumë konkurrencë
Duke përcaktuar gjithçka, nga thellësia e rrjetave deri në madhësinë e litarëve, hyrja në BE do ta hapë Adriatikun Lindor për çdo anije peshkimi nga BE-ja. Shumica e shqetësimeve janë në lidhje me flotën shumë të lartë nga Italia fqinje e BE-së, anijet e së cilës kanë peshkuar shpesh ilegalisht në ujërat kroate në të kaluarën.
“Ka ende 3 deri në 4 herë më shumë peshk në këtë anë të Adriatikut. Pra, interesi i italianëve është i madh dhe ne duhet të punojmë me Italinë për të mbrojtur burimet e Adriatikut”, tha Miro Kucic, ekspert peshkimi dhe ndihmësi i ministrit të Bujqësisë.
Ujërat territoriale të Kroacisë do të ndalohen për të huajt, por edhe kjo mund të anashkalohet.
“Gjithçka kërkon një peshkatar italian është të gjejë një homolog kroat të gatshëm për të mbyllur dyqanin dhe për të shitur licencën e tij dhe të hapë një kompani në Kroaci dhe është për bukuri”, tha Latine.
Kucic tha se Kroacia ka të ngjarë të fillojë të përpiqet të ndihmojë peshkatarët e saj vetëm tani, që do të bëhet një anëtar i BE-së.
“Ju ndoshta nuk prisni që BE të pranojë ligjet tona gjatë negociatave. Por tanimë ne mund të jemi një partner i barabartë dhe të fillojmë të punojmë me Italinë dhe Slloveninë, me të cilët ne ndajmë probleme të ngjashme në Adriatik, për të paraqitur çështjen tonë”, tha ai.
Qëllimi, tha ai, ishte që të bëhen përjashtime për Politikën e Përbashkët të Peshkimit, duke marrë parasysh specifikat e Adriatikut, i cili është i cekët në veri dhe i thellë në jug.
“Europa Veriore dhe Perëndimore, e cila efektivisht shkroi ligjet detare, ka 10 specie të peshkut për peshkim komercial. Në Adriatik, ne kemi 80, plus qindra mjete të ndryshme që pjesa tjetër e Europës nuk i njeh. Pra, ne kemi nevojë të luftojmë tani”, tha ai.
Një specie në zhdukje
Por edhe në qoftë se ata ia dalin mbanë, rezultati ka të ngjarë të jetë shumë i vonë për shumë njerëz.
“Dhjetë vjet më parë, peshkimi ishte ende i begatë dhe të gjithë blinin anije. Tani, ai është në rënie dhe njerëzit po mbyllin tregtitë e tyre”, tha Tonci Trevizan, i cili kryeson repartin e peshkatarëve për gadishullin verior të Istrias.
“Tani ne kemi norma të reja, taksa të reja, kontabilitet të ri. Ne trajtohemi si kompani të vërteta, ndërkohë që jemi me të vërtetë vetëm tregti të vogla familjare dhe me shumë vështirësi sërish nuk i plotësojmë të gjitha kërkesat”.
Në vitin 1978, kur ai doli në det për herë të parë, peshkatarët kishin vetëm kompas për t’i ndihmuar në lundrim. Rrjetat nxirreshin nga deti me dorë, një proces i lodhshëm që u bë i tepërt nga mekanizmat e ditëve moderne, por gjithsesi kapej shumë peshk.
“Sot ne kemi pajisje elektronike dhe hidraulike, por kapim shumë më pak peshk se 30 vjet më parë. Dhe na duhet të kemi një kontabilist të gatshëm çdo herë që shkojmë në det. Kështu që unë nuk shoh ndonjë të ardhme në këtë drejtim”, tha ai. Të ardhurat vjetore bruto të tij arrijnë deri në 30,000 euro maksimumi, tha ai.
Sllovenia fqinje, e cila ndan një pjesë të vogël të Adriatiku Verior, u bashkua me BE-në në vitin 2004 dhe tashmë është përballur me rënie të peshkimit të saj.
“Po shkon keq e më keq dhe është mjaft shkatërruese tanimë”, tha 64-vjeçari Loredano Pugliese, nga Porti i Izola, duke folur me një përzierje të gjuhës italiane, sllovene dhe kroate.
“Izola ika qenë një ish-‘bazë’ e fuqishme e industrisë së peshkimit të Sllovenisë”..
“Janë ligjet europiane, rrjetat me madhësinë europiane, madhësia e peshkut. Europa dëshiron peshk të madh dhe ne kemi vetëm peshk të vogël këtu. Pastaj ju duhet të peshkoni çdo peshk, deri në të fundit, referohet në shkresa. Nëse vazhdohet kështu, ne do të na duhet të kemi diplomë universitare për t’i trajtuar ato dokumente”, tha Pugliese.
“Ky është një det i vogël dhe ata duan që ne të veprojmë sikur ky të ishte një det i madh. Në pak vite, nuk do të kenë mbetur peshkatarë këtu dhe kam frikë se është pikërisht kjo që do të ndodhë me miqtë e mi kroatë, gjithashtu”, tha ai. (1 dollarë= 5.7180 kuna kroate)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.