Shumë tregje kanë disa pengesa që e vështirësojnë futjen e bizneseve të reja. Këto pengesa quhen “barrierat e hyrjes” dhe kanë disa përkufizime të ndryshme që plotësojnë njëra-tjetrën. Barriera e hyrjes është një karakteristikë strukturore e një tregu, që mbron bizneset ekzistuese, duke bërë që hyrjet e reja të mos sjellin fitime. Këtu do të të trajtojmë pesë prej barrierave më të rëndësishme
Ekonomia e shkallës
Është një prej barrierave më të rëndësishme. Ky koncept ka të bëjë me avantazhimin e kompanive ekzistuese, që krijohen duke prodhuar dhe duke blerë lëndë të parë në sasi shumë të mëdha, apo edhe duke përfituar nga përvoja dhe aftësia e personelit të një kompanie disavjeçare. Çelësi është që kompanitë ekzistuese i kanë kostot fikse shumë herë më të ulëta se një firmë e re. Ky fenomen ndodh kryesisht në rastin e bizneseve të mëdha, sepse sa më e lartë vlera e investimit fillestar, aq më e madhe barriera për të hyrë në atë treg.
Efekti “network”
Është një lloj tjetër barriere. Ky efekt krijohet kur një biznes ekzistues e bën veten të pazëvendësueshëm si për furnitorët, ashtu edhe për klientët e tij. Gjithashtu, produkti i tij është i përhapur aq shumë midis konsumatorëve, saqë roli i kësaj kompanie nuk është më vetëm individual, por brenda një network-u kompanish në të cilin një firmë e re e ka të pamundur të hyjë. Efekti “network” bën që kompani të ndryshme, të përfitojnë nga klientët e njëra-tjetrës. Në këtë mënyrë, më i forti i një fushe të caktuar bashkëpunon me më të fortin e një fushe tjetër, për të penguar çdo firmë të re që kërkon të konkurrojë në atë treg. Kjo situatë shpesh mund të krijojë tregje monopolistike, gjë që është në kundërshtim me interesat e konsumatorëve.
Besnikëria ndaj markës
Është një tjetër barrierë tepër e fuqishme. Marka si “Coca-Cola”, “Nike”, “Mercedes-Benz”, apo “Google” kanë një autoritet të jashtëzakonshëm në treg. Kompani të tilla kanë klientelën e tyre që i qëndron besnike, pa u interesuar fare për kompani të reja që mund të hyjnë në treg. Gjithashtu, këto kompani të reja duhet të shpenzojnë shuma të mëdha në reklamë që të krijojnë gradualisht besim te konsumatorët. Një shembull i fuqisë që emri i kompanisë ka për të mbajtur klientët pas vetes, është gjiganti “Google”. Emri i kompanisë është aq i famshëm, saqë është përfshirë në fjalorin “Merriam-Webster’s Dictionary”, si një folje me kuptimin: “Kërkoj diçka në faqen e Google-it”. Por drejtuesit e kompanisë shqetësohen se me kalimin e kohës, kuptimi mund të zgjerohet në: “Kërkoj diçka në internet”. Nëse ndodh kështu, trademark-u “Google” rrezikon të humbasë vlerën e saj. Megjithatë, duket shumë e largët dita që një kompani e re të mundet të konkurrojë me “Google”, pjesërisht prej cilësisë së kompanisë, por edhe prej emrit të mirë tashmë të fituar.
Ndërhyrjet e qeverisë apo ato ligjore
Një barrierë më e veçantë shkaktohet nga ndërhyrja e qeverisë dhe ato barriera të tipit ligjor. Në këtë rast, qeveria apo agjencitë qeveritare vendosin rregulla hyrjeje të caktuara dhe japin leje të veçanta për ushtrimin e aktivitetit. Një rast mund të jetë mbrojtja e mjedisit. Qeveria jep licenca për shfrytëzimin e burimeve natyrore, si: lënda drusore nga pyjet, nxjerrja e mineraleve nga nëntoka, industritë që emetojnë sasi të mëdha të dioksidit të karbonit, etj. Objekt i rregullave të vendosura nga qeveria janë edhe shërbime të ndryshme ndaj publikut, si: energjia elektrike, transporti, telekomunikacioni, etj.
Kontratat afatgjata
Një barrierë mund të bëhen edhe kontratat afatgjata që një biznes ekzistues lidh me një furnitor të vetëm rajonal apo me një klient të rëndësishëm në treg. Për shembull, nëse bashkia e qytetit do të nënshkruante një kontratë pesë ose dhjetëvjeçare me një kompani për pastrimin e qytetit, atëherë kompanitë konkurruese do të përjashtoheshin nga tregu, për sa kohë kontrata do të ishte e vlefshme. Ndërsa një rast kontrate me një furnitor të vetëm në rajon, mund të jetë kur një kompani përpunuese nafte, bën me kompaninë që nxjerr naftën. Për sa kohë kjo kontratë të jetë e vlefshme, asnjë kompani e re nuk mund të hyjë në industrinë përpunuese të naftës në atë rajon. Këto barriera, megjithëse të shumëllojshme, kanë të njëjtin efekt. Të gjitha pengojnë kompanitë e reja për të hyrë në treg, dhe rrjedhimisht avantazhojnë bizneset ekzistuese. Kjo bën që të frenohen në shumë raste ato që i japin energji një ekonomie, sipërmarrjet. Sigurisht, e gjithë kjo ka ndikim edhe te konsumatorët. Ajo që u intereson konsumatorëve është që tregu t’i afrohet sa më tepër situatës së një konkurrence ideale. Si rregull, sa më pak barriera të ketë për kompani e reja, aq më perfekte është konkurrenca. Por megjithatë, në këtë këndvështrim, llojet e ndryshme të barrierave dallojnë nga njëra-tjetra. Pra, një rregull i gabuar i qeverisë, një kontratë afatgjatë me tendencë, një situatë monopolistike e krijuar nga ndërhyrja e shtetit, mund dhe duhet të parandalohen. Ndërsa për barrierat e tjera, si marka e famshme e një kompanie apo ulja e çmimeve deri në kosto për të zhdukur konkurrencën, janë pjesë e funksionimit të lirë të tregut dhe ndërhyrjet e qeverisë për të tentuar përmirësimin e situatës, në fakt do ta përkeqësonin atë.