Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, flet për “Monitor”
Kufiri mes Kosovës e Shqipërisë duhet të mbetet vetëm simbolik dhedy shtetet duhet të lehtësojnë krejtësisht bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik.
Ky është pak a shumë qëndrimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, mbi atë se si duhet të funksionojnë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të zhvillojnë infrastrukturën komplementare në të gjithë brezin kufitar dhe të eliminojmë diferencat.
Ish-shefi i qeverisë së Kosovës thotë se ka nevojë të përmirësohet klima e të bërit biznes në Shqipëri për bizneset e Kosovës.
Ditë më parë u mbajt mbledhja e dy qeverive, ku u nënshkruan edhe 19 marrëveshje. Si e keni parë takimin e dy qeverive këtë herë dhe si e vlerësoni nënshkrimin e marrëveshjeve?
Vlerësoj se çdo takim ndërmjet dy qeverive i jep impuls bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Kësaj radhe, numri i marrëveshjeve ishte shumë i madh, që nënkupton edhe një punë dhe kontakte të shumta parapërgatitore të tyre. Ndoshta është dashur të zbatohet një përzgjedhje racionale.
Në kohën kur ju ishit në krye të qeverisë, është realizuar një mbudhje e përbashkët. Nga ai vështrim dhe ky që jeni tani, cili është mendimi juaj për këto mbledhje që mbahen mes Kosovës dhe Shqipërisë?
Në atë kohë realizuam dy mbledhje, një në Tiranë e tjetrën në Prishtinë. Kishim një komunikim të hapur dhe një bashkëpunim korrekt.
Këtë bashkëpunim nuk dëshiroj ta dekoroj me epitete vëllazërore, ashtu siç ishte normale të ndiheshim, por flas për një përkushtim të komplementaritetit dhe sinergjisë së përbashkët ndërmjet dy shteteve shqiptare.
Ekonomistët, por edhe njerëz të fushave të ndryshme, shpeshherë i kanë quajtur marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë “vetëm marrëveshje në letër”. A pajtoheni me këtë vlerësim dhe a janë, sipas jush, të tilla këto mbledhje dhe marrëveshje? A kanë efekt konkret këto mbledhje dhe marrëveshjet që nënshkruhen mes dy qeverive?
Edhe sikur asnjë efekt konkret të mos e kishin pas nënshkrimit të tyre, janë të pamohueshme efektet e punës në ekipe të përbashkëta në përgatitjen e marrëveshjeve, protokolleve…
Shkëmbim i përvojave, diskutime për aspektet specifike të dy vendeve tona. Jashtë kësaj, efektet kanë qenë të dukshme në zbatim. Vlerësohet se janë zbatuar 60% e tyre. Më së shumti, nga fusha e lehtësimit të tregtisë.
Sipas jush, si janë tani për tani raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe raportet mes dy kryeministrave aktualë, Ramës e Kurtit?
I konsideroj si raporte të mira ndërmjet dy vendeve. Nuk më takon të flas për raporte individuale. Shprehem për raporte të fuqishme të njerëzve të një kombi andej e këndej një kufiri, i cili çdo vit e më shumë po zbehet.
Në cilën kohë, sipas jush, dy qeveritë kanë pasur raporte më të mira, kur keni qenë ju kryeministër, Thaçi, Haradinaj, Hoti a po tani me Kurtin?
Në Kosovë jemi kujdesur që marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri t’i konsiderojmë me respekt shtetëror, pavarësisht se cila nga partitë ka qenë në pushtet.
Kështu është sjellë edhe Shqipëria. Veprimin e z. Kurti që të bëjë fushatë zgjedhore në Shqipëri dhe diskursin e znj. Osmani gjatë vizitës zyrtare në Tiranë nuk i konsideroj veprime të pjekura politike.
Ka hapësirë që çdonjëri të kontribuojë si duhet në vendin, ku e ka marrë besimin qytetar, e jo të zhvillojë gjueti politike aty ku nuk e ka vendin.
Në mbledhjen e fundit, kryeministri Edi Rama, deklaroi se Shqipëria do t’i heqë të gjitha tarifat doganore me Kosovën, duke nisur nga produktet bujqësore. A mendoni se mund të bëhet kjo, dhe nëse bëhet, çfarë ndikimi do të ketë tek Kosova?
Është veprim i mirë dhe i dobishëm nëse bëhet me marrëveshje reciproke. Marrëveshjet përcillen me mekanizma dypalëshe dhe balancojnë interesat biznesore dhe shtetërore.
A duhet të ketë ende kufi mes Kosovës e Shqipërisë, apo duhet të largohet tërësisht ai?
Kufiri është një faktor i identitetit shtetëror. Kosova ka nevojë ta forcojë këtë identitet, të anëtarësohet në OKB, të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s.
Në këtë aspekt konsideroj se kufiri duhet të mbetet simbolik, të bëhet një portë që na bashkon e assesi gardh që na ndan.
Nga marrëveshjet dhe mbledhjet e dy qeverive, sipas jush, a është duke fituar më shumë Kosova apo Shqipëria?
Si dy vende kemi potenciale të dallueshme ekonomike dhe sociale. Kemi rritur bashkëpunimin tregtar me Shqipërinë, por importojmë më shumë se dy herë mallra nga Shqipëria sesa eksportojmë në Shqipëri. Këtë, para së gjithash, e shkakton struktura ekonomike, jo marrëveshjet.
Me përmirësimin e kësaj strukture, do të pasojnë marrëveshje të tjera. Në fushën e infrastrukturës, po fitojmë reciprokisht. Studimi i fizibilitetit për hekurudhën dhe ndërtimi i saj i vjen në ndihmë Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Bëhet një magjistrale që na lidh me detin dhe me Europën. Bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit, shëndetësisë, në fushën e dixhitalizimit është jetik për të dyja palët.
Sipas jush, çfarë duhet të bëjë konkretisht Kosova dhe Shqipëria? Cilat nga marrëveshjet do të ishte më e mira për t’u realizuar?
Do duhet të lehtësojmë krejtësisht bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik. Të zhvillojmë infrastrukturën komplementare në të gjithë brezin kufitar dhe të eliminojmë diferencat. Linja hekurudhore, sikurse edhe Porti i thatë në Prishtinë, i lidhur me Portin e Durrësit, janë projekte madhore.
Kosova, nën drejtimin e Albin Kurtit, nuk është bërë pjesë e “Ballkanit të Hapur”. A është mirë që nuk i është bashkuar kësaj nisme, apo është duke vepruar keq. Edi Rama, për shkak të “Ballkanit të Hapur” dhe takimeve me presidentin e Serbisë, shpeshherë është quajtur tradhtar. A mendoni se është duke bërë tradhti Rama, dhe si e shihni ju Ramën në raport me Serbinë dhe Kosovën?
Nuk do të thotë se Kosova dhe Shqipëria do të duhej domosdoshmërisht të kenë interesa të njëjta nga nisma të ndryshme. Kosova është në një pozitë specifike politike, sepse nuk e ka njohur Serbia, sikurse nuk e ka njohur as Bosnja-Hercegovina.
Njohjet nuk ia sjell “Ballkani i Hapur”, por bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në dhe BE-në. Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po i bëhen padrejtësi të hapura nga institucionet e BE-së në procesin e integrimit.
Ndoshta “Ballkani i Hapur” është një kundërpërgjigje. Shqipëria mund të ketë interesa ekonomike, të turizmit, tregtisë që të operojë në një ombrellë me të tjerët në “Ballkanin e Hapur”.
Edhe në rastin e Kosovës mund të gjenden interesa të biznesit, por konsideroj se, aktualisht, nuk kemi interesa politike.
Dhe, për ne, interesi politik dhe shtetëror mbizotëron çdo interes tjetër. Ofendimi i Kryeministrit Rama, cilësimi i tij si tradhtar është absolutisht i papranueshëm.
E tha bukur një deputete e Kosovës se janë për psikiatri individët që akuzojnë në forma të tilla kryeministrin Rama.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 1225 biznese të Kosovës aktualisht operojnë në Shqipëri. Ndërkohë, investimet e Kosovës në Shqipëri janë 139 milionë euro. Çfarë thonë për ju këto shifra, a tregojnë raport të mirë tregtar mes dy shteteve, apo duhet të bëhet më shuma?
Ka nevojë të përmirësohet klima e të bërit biznes në Shqipëri për bizneset e Kosovës. Jo vetëm nga qeveria e shqiptarëve, por edhe përmes mediave dhe shoqërisë civile.
Nuk dëshiroj të reflektoj subjektiv, por ambienti në të cilin zhvillojnë aktivitete bizneset shqiptare në Kosovë nga sektori i bankave, sigurimeve, shëndetësisë, prodhimit, shërbimeve, tregtisë etj., është më i volitshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.