Kalimi nga ekonomia tradicionale drejt asaj digjitale, tashmë një tendencë globale, në Shqipëri do të mbështetet nga institucionet shtetërore nëpërmjet krijimit të parqeve teknologjike dhe shkencore. Projektligji “Për krijimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, i hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë i publikuar në konsultimet publike synon ngritjen e parqeve teknologjike të kenë statusin e zonës të lirë doganore, duke u përjashtuar nga taksat nga 10 deri 15 vjet.
Sipas draftit zhvilluesi i parkut do të marrë në përdorim truallin shtetëror ose pasuritë e tjera të paluajtshme të destinuara për Parkun, për një periudhë kohore me enfiteozë ose qira afatgjatë, minimalisht 20 vite, me të drejtë rinovimi, dhe gëzon të drejtën e dhënies me nënqira tek përdoruesit. Vënia në dispozicion e pronës të paluajtshme shtetërore do të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, ku do të përcaktohet edhe forma e përdorimit.
Projektligji përcakton se Park Teknologjik do të konsiderohet si zonë e lirë doganore dhe hyrja dhe dalja e mallrave në/nga Parku dhe procedurat përkatëse kryhen sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Zhvilluesi dhe përdoruesit në Park përfitojnë lehtësitë fiskale, si: Furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në Park, konsiderohen si furnizim për eksport me shkallë 0 , në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe legjislacionit doganor; Norma e tatimfitimit është 0 për 15 vite të njëpasnjëshme për ato të ardhura që gjenerohen nga aktivitetet të cilat zhvillohen në Park; Përjashtohen nga tatim fitimi mbi pagën, për një periudhë 15 vjeçare, personeli që punon në kërkim-zhvillim tek Përdoruesi në Park dhe i gjithë stafi i Zhvilluesit; Përjashtohen nga TVSH mallrat, pajisjet, dhe shërbimet e përdorura ndërmjet përdoruesve brenda në Park; Përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë; Përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë 10 vjeçare për ndërtimet e realizuara në Park.
Sakaq kostot e trajnimit për punonjësit shkencorë dhe teknikë në Park mund të rimbursohen pjesërisht nga shteti sipas kritereve, rregullave, dhe procedurave respektive të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Parqet që do të kenë statusin e zonës së lirë doganore dhe kanë si qëllim: Nxitjen e zhvillimit të industrive të teknologjisë së lartë dhe inovacionit; Kërkim-zhvillimit për produkte dhe shërbime të reja, si edhe përmirësimin e atyre ekzistuese; Krijimin e vendeve më të kualifikuara të punës për profesionistë të fushave të shkencës dhe teknologjisë; Krijimin e infrastrukturës teknologjike me qëllim përshpejtimin e zhvillimit të inovacionit në produkte apo metoda prodhimi; Lehtësimi i sipërmarrjes inovative; Krijimi i lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet bazës së njohurive, p.sh. instituteve kërkimore dhe/ose universiteteve dhe bizneseve; Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; Tërheqja e investimeve të huaja dhe vendase; Lehtësimi i aktiviteteve që gjenerojnë produkte me vlerë të lartë të shtuar; Zhvillimi i kërkimit dhe inovacionit si dhe i prodhimit në sektorin e teknologjisë; Krijimi i ekspertizës me aftësi të lartë;
Transferimi i një veprimtarie ekzistuese në territorin shqiptar në Park me qëllim kryesor përfitimin e lehtësive të parashikuara në këtë ligj do të jetë i ndaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.