Subjektet që kërkojnë të pajisen me licencë për veprimtaritë e lejuara me armë do të dorëzojnë aplikimin online pranë strukturave të policisë.
Operatorët që aplikojnë për t’u pajisur me licencë për aftësimin teorik e praktik për armët e lejuara, duhet të dorëzojë online edhe kontratën me subjektin e licencuar për poligon qitje (të mbyllur, të hapur ose me pjatel), për një afat të paktën 5 vjet. Në rastet e ndryshimit të kontraktorit të licencuar për poligon qitje aplikohet një afat pezullimi i aktivitetit deri në lidhjen e kontratës së re. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektvendimin që unifikon procedurat e shqyrtimit të kërkesave për pajisjen me licencë për veprimtaritë e lejuara me armët, në kuadër të ndryshimeve në ligjin për armët, si dhe të procesit të derregulimit.
Drafti synon të lehtësojë procesin e pajisjes me licencë për veprimtaritë e lejuara me armë, ku subjekti paraqet online kërkesën në strukturën e policisë. Ndryshimet do të reduktojnë kohën e marrjes së shërbimit, duke evituar burokracitë etj.
Dokumentet që dorëzohen online për licencim
a) Formular aplikimi dhe vetëdeklarim;
b) Vetëdeklarim “Për verifikimin e gjendjes gjyqësore”;
c) Kopje të letërnjoftimit i njohur sipas legjislacionit në fuqi;
d) Kontratë pune me drejtuesin teknik;
dh) Raport mjekësor, që vërteton se është i aftë nga ana mendore dhe fizike;
e) Fotografi të aplikantit, 4 copë.
-Nëse subjekti që kërkon të pajiset me licencë për veprimtaritë e lejuara me armët, ka ortak të regjistruar në ekstraktin historik të QKB, ortaku duhet të dorëzojë online në strukturën e policisë ku ka vendbanimin dokumentet e parashikuara në germën “a”, “b”, “c” dhe “dh” të pikës 3.
-Personat e punësuar për veprimtaritë e lejuara me armët, duhet të dorëzojnë online në strukturën e policisë, ku kanë vendbanimin dokumentet e parashikuara në gërmën “a”, “b” dhe “c”, “dh” dhe “e” për punonjësit të cilët kryejnë veprimtari që janë të lidhura drejtpërdrejtë me armët, dëshminë e aftësimit teorik dhe praktik për armët si dhe trajnimet specifike sipas pozicionit të punës së punonjësit.
Kriteret e licencimit
-Për ushtrimin e veprimtarisë së importit dhe tregtimit të armëve, të kategorisë “C” (gjahu) dhe “D” (sportive), pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre, të ketë një ambient të përshtatshëm për ushtrimin e aktivitetit, sipas kushteve të miratuara me rregullore, në pronësi apo përdorim për pesë vitet në vazhdim.
-Për ushtrimin e veprimtarisë së transportit të armëve, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre, të zotërojë automjete sipas kushteve të përcaktuara në rregullore.
-Për ushtrimin e veprimtarisë për poligon civil qitjeje të hapur, të mbyllur, me pjatel, ndërtimi dhe mënyra e funksionimit të ambienteve, të plotësojë kushtet e sigurisë të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në pronësi apo përdorim për pesë vitet në vazhdim.
-Për ushtrimin e veprimtarisë për aftësimin teorik dhe praktik të personave për armën, të ketë një ambient të përshtatshëm për ushtrimin e aktivitetit sipas kushteve të miratuara me rregullore, në pronësi apo përdorim për pesë vitet në vazhdim, dhe poligon civil qitjeje.
-Për ushtrimin e veprimtarisë për çaktivizimin e armëve të zjarrit për përdorim civil, të ketë një ambient të përshtatshëm për ushtrimin e aktivitetit në pronësi apo përdorim për pesë vitet në vazhdim dhe poligon civil qitjeje. Standardet dhe teknikat e çaktivizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
– Zyrat e përfaqësimit, të subjekteve që kryejnë veprimtari me armët e zjarrit, të cilat nuk kanë si qëllim krijimin e të ardhurave, por nxitjen e veprimtarisë së subjektit dhe mund të lidhin marrëveshje në emër e për llogari të tij, nuk është e detyrueshme që të kenë ambiente ose kushte të caktuara sigurie për ruajtjen e armëve, me përjashtim rasteve kur disponojnë monstra fizike të armëve, në proporcionalitet me sasinë dhe rrezikshmërinë e tyre. Degët e subjekteve të huaja ose shqiptare që ushtrojnë aktivitete tregtare me armët duhet të plotësojnë të njëjtat kushte sigurie dhe teknike në ambjentet e punës dhe të ruajtjes së armëve.
-Titullari i subjektit, ortakët nëse ka, si dhe drejtuesi teknik për veprimtaritë e lejuara me armët, nuk mund të jenë njëkohësisht punonjës të Policisë së Shtetit apo strukturave të tjera me gradë të Ministrisë së Brendshme, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit apo punonjës të Policisë se Burgjeve.
-Licenca e subjektit dhe certifikata e drejtuesit teknik për veprimtaritë e lejuara me armët, është kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, bazuar në vendimin e Komisionit të Shqyrtimit të Kërkesave për Certifikim dhe Licencim (KSHKCL), në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
-Subjekti brenda afatit 5 vjeçar nga koha e marrjes së licencës, mund të kryejë ndryshime në licencë në lidhje me administratorin, ortakun dhe drejtuesin teknik.
-Personit të cilit i është hequr licenca për veprimtaritë e lejuara me armët, i lind e drejta që të aplikojë për licencë të re pas kalimit të afatit trevjeçar.
-Personit të cilit i është hequr certifikata për drejtues teknik për veprimtaritë e lejuara me armët, i lind e drejta që të aplikojë për certifikatë të re pas kalimit të afatit dy vjeçar.
-Titullari i subjektit dhe drejtuesi teknik paguan tarifën e licencimit dhe certifikimit brenda 3 muajve nga data e lëshimit të saj. Mospagimi i tarifës brenda afatit sjell revokimin e licencës dhe certifikatës.
– Drejtuesi teknik e ushtron aktivitetin vetëm në një subjekt të licencuar për veprimtaritë e lejuara me armët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.