Me zhvillimet e teknologjisë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të pajisjeve, sot guxojmë jo vetëm të imagjinojmë vetëprodhimin e energjisë elektrike me qëllim vetëkonsumin e saj, por mundet edhe të ndërtojmë objekte me konsum neto zero të energjisë dhe të sigurojmë procese ose operacione me vetëmjaftueshmëri energjetike deri në 100%.
Nga Joli Delimeta, P.Eng.*
Të kujtohen palët e fundit të këpucëve që bleve? Me shumë mundësi i kushtove rëndësi vendit të prodhimit, por a e di si janë prodhuar? Prodhimi i një palë këpucësh është një proces që kërkon shumë energji, edhe në kuptimin e parë të fjalës, edhe atë figurativ. Vlerës artistike nuk do të guxoja t’ia përcaktoja sasinë, ndërsa energjinë e konsumuar edhe mund ta hamendësoj.
Nga prerja e lëkurës, presimi, qepja dhe ngjitja, tek asemblimi dhe paketimi i tyre, proceset realizohen kryesisht nga një seri makinerish që përdorin energji elektrike. A arrin të vlerësosh sasinë e energjisë mbi të cilën po ecën? A e di se si një palë këpucë mund të ndryshojnë gjurmën tënde, atë ekologjike, sigurisht.
Le të lëmë mënjanë këpucët për një moment dhe le të mendojmë artikullin më të zakonshëm të tryezave tona: një shishe qumësht. E di si është prodhuar? Në rregull, dikush do të argumentojë se e prodhoi lopa, gjë e cila është e vërtetë deri diku. Ishte qenia biologjike që e prodhoi në mënyrë të natyrshme, dhe një seri procesesh që e sollën atë në tryezat tona.
Të gjitha procese nën kujdesin e plotë të njeriut: nga ushqimi dhe strehimi i lopëve, tek mbledhja e qumështit, pasterizimi dhe skremimi, paketimi dhe magazinimi, transportimi i tij nëpër dyqane, ruajtja në ambiente të freskëta, derisa dikush si ti dhe unë, e merr, e kalon nëpër kasë, e transporton përsëri për në shtëpi, e fut përsëri në frigorifer përpara se ta konsumojë, dhe, me shpresë, e depoziton paketimin për riciklim. Kanë një emërues të përbashkët të gjitha këto procese; të gjitha kërkojnë energji.
Kjo lloj energjie është kryesisht energji elektrike, e cila vjen nga rrjeti ynë. Dhe është tek rrjeti, aty ku imagjinata jonë ndalon. Energjia vjen nga rrjeti, pikë. Kaq di; – është perceptimi i zakonshëm i çdo blerësi të qumështit, madje edhe i çdo prodhuesi qumështi, guxoj ta them. Duke parë përtej rrjetit të dukshëm, në zemër të sistemit që pompon energji është gjenerimi; ajo kutia magjike midis maleve, që bën energji elektrike, duke përdorur ujin e lumenjve dhe përrenjve që kalojnë përmes tyre.
Mirë se vjen në Shqipëri!
Një vend unik për nga mënyra se si gjeneron elektricitetin që konsumon: 100% hidro. Fatmirësisht ne nuk na duhet të shqetësohemi për “nënproduktet” e TEC-eve ose mbetjet e centraleve bërthamore. Na duhet vetëm të shqetësohemi për…hmmm…atë problemin e vogël të ujërave që pakësohen në verë, të çmimit të ulët të eksportit gjatë dimrit dhe të çmimit të lartë të importit në verë. Sipas INSTAT, importi i energjisë gjatë vitit 2017, një vit veçanërisht i thatë, mbuloi 45.74% të kërkesës.
Kështu që, sado që na pëlqen të mendojmë se funksionojmë me 100% energji të rinovueshme nga uji, e kemi gabim; energjia jonë elektrike është aq gri sa dita e 21 Dhjetorit ora 3:30 pasdreke. Duke iu referuar të njëjtave statistika, HEC-et tona prodhuan në total 4525 GWh (30% më pak se viti paraardhës) dhe konsumatorit fundor iu nevojitën 5564 GWh energji elektrike.
Natyrisht, dikush do të pyeste: pse importuam 45.75% të nevojave kur na duhet vetëm 1 TWh? Ky numër do të kishte kuptim nëse do të shikonim një komponent tjetër të rëndësishëm: humbjet, teknike dhe jo-teknike në transmetim dhe shpërndarje (duke neglizhuar eksportin vjetor prej më pak se 500 GWh).
Në Shqipëri, gjatë 2017-s, 25.22% e energjisë elektrike shkoi për të mbuluar humbjet! – Një shtet unik padyshim, por që pavarësisht, krahasuar me 30.22% të vitit paraardhës, është një e dhënë premtuese.
Vendndodhja – Vetëprodhimi – Vetëkonsumi
Duke analizuar këtë situatë nga një perspektivë më e gjerë, është e qartë se vendndodhja është një prej problemeve: energjia prodhohet në Veri, kryesisht në kaskadën e Drinit, dhe konsumohet në zonat urbane, në qendër, perëndim dhe jug të Shqipërisë.
Gjenerimi i Shpërndarë (nga angl. Distributed Generation) është padyshim një mënyrë për të zbutur problemin. Kjo ka vite që po realizohet me HEC-e të mëdhenj e të vegjël, që janë ndërtuar dhe po ndërtohen gjithandej nëpër Shqipëri, por që përsëri mbeten fizikisht larg konsumatorit. Nga të gjitha burimet e rinovueshme që mund të përdoren si burime energjie të decentralizuara, ajo diellore është më e volitshme, më e përshtatshme, më e favorshme.
Në përgjithësi, të gjithëve na pëlqejnë rrugët e shkurtra për të arrirë në destinacion, ndërsa ne inxhinierët elektrikë paguhemi për të shkurtuar distancat sa më shumë të jetë e mundur, si gjatë projektimit, edhe gjatë instalimeve. Një “distancë” dykatëshe midis gjenerimit të energjisë elektrike dhe konsumit të saj, deri një dekadë më parë, do të hutonte edhe inxhinierët më të mirë, sidomos kur nuk duhet rrezikuar as siguria dhe as cilësia e furnizimit.
Me zhvillimet e teknologjisë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të pajisjeve, sot guxojmë jo vetëm të imagjinojmë vetëprodhimin e energjisë elektrike me qëllim vetëkonsumin e saj, por mundet edhe të ndërtojmë objekte me konsum neto zero të energjisë dhe të sigurojmë procese ose operacione me vetëmjaftueshmëri energjetike deri në 100%.
Konsumatori Prodhues
Industria e përpunimit të mishit përbëhet nga prerja, bluarja, përzierja, mbushja, pjekja, ftohja, etiketimi, paketimi, magazinimi, të gjitha këto procese që kërkojnë energji. Nëse do të shtonim edhe proceset e përfshira në zinxhirin e vlerës, si blegtoria, magazinimi, shpërndarja dhe shitja e produktit, kërkesat për energji janë edhe më të larta.
Industria e përpunimit të peshkut gjithashtu kërkon sasi të madhe energjie, meqenëse ftohja është e panegociueshme. Nënproduktet e qumështit, ushqimet e konservuara, ushqimet e ngrira, ose çdo proces që përpunon ushqim për ruajtje, nuk mund kurrsesi të jetë jetëgjatë pa input të energjisë. Prodhimi i pijeve freskuese është një tjetër industri me kërkesa të mëdha për energji.
Këto industri karakterizohen nga shtrirja e tyre në një sipërfaqe të konsiderueshme. Një sipërfaqe e madhe do të thotë një hapësirë e madhe tarrace ose çatie e lirë, e përshtatshme për instalime fotovoltaike, për të prodhuar në vend energji elektrike, e nëse është e nevojshme, edhe ujë të ngrohtë sanitar. Duke operuar kryesisht gjatë orarit zyrtar të punës 8 me 5, përveç ftohjes, një sasi e konsiderueshme e energjisë së kërkuar nga këto industri mund të prodhohet dhe konsumohet njëherësh. Kjo do të rezultonte në kursime domethënëse në faturën e energjisë elektrike dhe zvogëlim të emetimeve të CO2. A nuk është kjo diçka e bukur!
Më i bukur është fakti që sot, në Shqipëri, është e mundur dhe plotësisht fizibël që industria dhe shërbimet të reduktojë në minimum faturën e konsumit të energjisë elektrike. Për shumë kompani, shpenzimin operativ, të dytin më të lartë e përbën fatura e energjisë elektrike; – Imagjino të mund ta reduktosh atë në minium!
Me sytë nga dielli, sidomos në plazh
Dy nga shërbimet me kërkesë më të lartë për energji brenda industrisë së turizmit janë transporti dhe akomodimi. Pavarësisht fillimit të përdorimit të makinave elektrike, transporti miqësor ndaj mjedisit mbetet një sfidë globale. Ndërsa, akomodimi, mund të jetë plotësisht i gjelbër, i qëndrueshëm dhe fitimprurës për nga pikëpamja energjetike.
Janë tipike debatet konstruktive, dhe jo vetëm, midis inxhinierëve dhe investitorëve; por, nëse ka një linjë mendimi që të dy palët i binden verbërisht, është mënyra e tyre e të vlerësuarit të një procesi/investimi:çfarë futet/investoj dhe çfarë nxirret/përfitoj. Në këtë kuadër, nuk arrij të mendoj një input që do të kushtonte zero “në blerje” – përveç diellit.
Përdorimi i teknologjisë që lejon shfrytëzimin e drejtpërdrejtë të burimeve diellore, sidomos në këtë pjesë të globit, është një investim i garantuar. Sistemet termo-fotovoltaike, të cilat njëherësh prodhojnë energji elektrike dhe ujë të ngrohtë, duhet të jenë komponentë esencialë në subjektet akomoduese së bashku me përdorimin e pajisjeve të zgjuara dhe instalimin e sistemeve HVAC me eficencë të lartë.
Imagjino, sikur ato çarçafët në hotelin që po qëndron, për të shijuar rivierën e bukur shqiptare, të ishin larë në një lavatriçe që përdor ujë të ngrohtë nga dielli dhe konsumon energji elektrike përsëri të prodhuar nga dielli. Është bukur të dish që po shijon gjumin, dhe po zvogëlon gjurmën tënde të karbonit në mjedis, njëkohësisht.
Sikurse ndodh edhe me objektet komerciale, tarracat e hoteleve lejojnë që vetëm një pjesë e nevojave për energji të gjenerohet në vend nga fotovoltaikët, që gjithsesi përbën kursim. Mbulesat e parkimeve të jashtme, dhe aty ku është e mundur, edhe fasadat mund të rritin më tej sasinë e energjisë elektrike të gjelbër të gjeneruar lokalisht.
Një avantazh të madh, si teknik ashtu edhe ekonomik, në përdorimin e sistemeve të energjisë së rinovueshme diellore në këtë sektor të turizmit, përbën fakti që sasia maksimale e energjisë elektrike diellore gjenerohet ekzaktësisht kur hoteleria operon me kapacitet maksimal – përgjatë muajve të verës, dhe gjatë atyre orëve të ditës, kur dielli është në pikun e vet dhe nevojat njerëzore për ruajtjen e nivelit të komfortit termik, rriten në maksimum.
Përsëri në ndihmë vijnë inxhinierët
Nën principet aktuale të zhvillimit të qëndrueshëm, inxhinierëve u duhet të jenë projektues të gjenerimit lokal të energjisë elektrike dhe nxitës të konsumit të saj në kohë reale. Në mënyrë të natyrshme, industritë dhe shërbimet operojnë kryesisht gjatë orëve me diell, paralelisht me energjinë elektrike që mund të prodhohej nga dielli.
Edukimi dhe inkurajimi i operatorëve të biznesit që të përputhin më tej nevojat e tyre për energji me karakteristikat e gjenerimit diellor duhet të jetë në thelb të punës sonë të re si inxhinierë. Operimi dhe menaxhimi më i mirë i ngarkesës individuale lokale, së brendshmi nga vetë industria, është tashmë plotësisht i mundur. Programimi i operimit të pajisjeve në bazë orare, duke e përshtatur me prodhimin thuajse plotësisht të parashikueshëm nga dielli, sot është realitet.
Sa me shumë energji elektrike diellore të konsumohet në kohë reale, aq më mirë për pronarin e sistemit fotovoltaik, njëkohësisht konsumatorin e saj primar, më mirë akoma për rrjetin. Të qenët lehtësisht të zgjerueshëm, sistemet fotovoltaike, lejojnë shtimin e kapacitetin energji-prodhues me rritjen e nevojave për energji elektrike nga konsumatori.
Në industritë që “nuk fiken” avantazhet nga vetëprodhimi i energjisë elektrike janë edhe më të mëdha. Roli i ekspertit është kyç për të siguruar një investim rentabël, sepse pavarësisht se pajisjet janë tejet të qëndrueshme dhe jetëgjata, mirëprojektimi, optimizimi, përzgjedhja e pajisjeve, dhe mirinstalimi i sistemit mbeten edhe më të rëndësishëm.
Ajo që i bën më interesantë dhe njëkohësisht më të komplikuar sistemet fotovoltaike është se zgjidhjet janë individuale dhe specifike për çdo konsumator, sepse pajisje të ndryshme, në qytete të ndryshme, në çati të ndryshme, do të prodhojnë sasi të ndryshme energjie elektrike. Së bashku me përdorimin eficent të energjisë, prodhimi i energjisë elektrike nga dielli përmes sistemeve fotovoltaike është lehtësisht i realizueshëm dhe padyshim fitimprurës.
Kur dielli lind njësoj për të gjithë
Nga përvoja e vendeve të zhvilluara vjen fakti që, pavarësisht rritjes së eficencës së pajisjeve dhe linjave të prodhimit, kërkesat për energji do të vazhdojnë të rriten, ndërkohë që mirëqenia jonë përmirësohet. Përgjatë dekadës së fundit, çmimi i energjisë elektrike për biznesin në Shqipëri është rritur mesatarisht me 2.5% në vit. Ka ardhur koha të mos e shikojmë më diellin thjesht si burim drite, por ta lejojmë atë të jetë gjeneratori i të gjithë proceseve energji-kërkues.
Dielli është mjaftueshëm i fuqishëm sa lejon zhvillimin e jetës në Tokë; lehtësisht mund të jetë një burim i besueshëm që mund të furnizojë dhe fuqizojë biznesin tënd. Mendo: Nuk ekziston asnjë produkt ose shërbim që nuk përfshin çmimin e energjisë elektrike në çmimin e tij përfundimtar të shitjes. Teknologjia, sot së bashku me legjislacionin vendas, të mundësojnë të kesh nën kontroll një pjesë përbërëse të zinxhirit prodhues: energjinë elektrike.
E gjitha kjo do të thotë që mund të dalësh në treg me një artikull me çmim më konkurrues. E nëse flasim për cilësi të krahasueshme produkti ose shërbimi, diferencën midis shitjeve të kompanisë tënde dhe asaj konkurrente mundet ta përbëjë thjesht dhe vetëm fakti se cila ka instaluar module fotovoltaike në tarracë e cila jo.
Dhe ndërsa bëni investimin e zgjuar në këtë drejtim, mos harroni që paralelisht po përmirësoni imazhin e kompanisë, po tregoni stabilitetin e saj financiar dhe përgjegjësinë mjedisore, dhe gjithashtu, po prodhoni në Shqipëri një artikull të prodhuar me energji të gjelbër. Tani që e di që mund të prodhosh vetë deri në 750 mijë kWh çdo vit nga dielli, për 25 vitet e ardhshme, çfarë do të bësh?
Më lejo ta hamendësoj: Përgjumesh me mendim se mundësia duhet shfrytëzuar padyshim dhe se ka ardhur momenti të hedhësh hapin e parë. E ke një plan, sepse një gjë është e sigurt: nesër dielli do të lindë përsëri.
Je rrugës për në bankë, nën këpucët që lehtësisht mund të ishin Prodhuar në Shqipëri me Energji të Rinovueshme Diellore. Në krah të portës hyrëse shikon bankomatin.
Tani, dëshiron të hamendësosh se si funksionon bankomati?
——
Referenca:
Bilanci i Energjisë Elektrike, Viti 2017-2018. INSTAT – Instituti i Statistikave, Republika e Shqipërisë. Aksesuar 5 Qershor 2018 nga http://databaza.instat.gov.al/pxweb/sq/DST/START__ENR/NewENR_0004/?rxid=87d84ac5-9809-4d87-8f7e-7d59fa9ca570
*Joli Delimeta është inxhiniere elektrike me më shumë se 10 vjet përvojë, përfshirë Kanadanë, ku ka mbaruar studimet. Prej pesë vitesh ajo ndihmon industrinë e biznesin të përfitojnë nga shfrytëzimi i teknologjisë fotovoltaike, duke siguruar që investimet e tyre të jenë në marka cilësore dhe instalimet të kryhen sipas standardeve teknike ndërkombëtare
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Nuk ka nje informacion te vecante per nevojat qe ka shqiperia per energji