Makina e së ardhmes do të jetë anti “gjendje dehjeje” dhe nuk do të niset nëse do të sinjalizojë se jemi të pirë…
Këtë gjë do ta realizojë, siç pritet, falë librarisë audio të të dehurit, përmbledhja e parë me diskutime dhe shprehje tipike të dikujt që e ka tepruar me pijen, vepër kjo e një grupi kërkimi të “Bavarian Archive for Speech Signals” pranë Ludwig Maximilian University në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Mynihut.
Studiuesit, mes viteve 2007 dhe 2009, kanë bindur 162 persona, burra e gra, për t’u dehur, dhe kanë regjistruar bisedat e tyre, ose më mirë të themi, në shumë raste tentativat e tyre për të biseduar, duke ndërtuar kështu “Alcohol Language Corpus” librarinë e parë publike, ku mund të gjesh se çfarë thotë një i dehur, por më e rëndësishmja, si e thotë. Është mundur që ky produkt, mund t’i hyjë në punë automjeteve të së ardhmes për të njohur atë që ka ndër mend t’i ngasë.
Në fakt, si programet që transkriptojnë automatikisht atë që themi, që kanë nevojë për një regjistrim fillestar të zërit tonë për të mësuar e për të kuptuar se si flasim, ashtu edhe makinat e së ardhmes do të kenë nevojë për mbështetje audio, për të njohur atë që kanë në timon. Për këtë arsye, libraria e të dehurit mundet realisht të jetë hapi i parë i domosdoshëm drejt makinave të së ardhmes, që pengojnë ngarjen e saj në gjendje të dehur, të afta të bllokojnë nisjen që në sinjalin e parë të dyshimtë.
Kërkimi ka marrë në konsideratë aspekte të ndryshme të gjuhës: që nga shqiptimi, ritmi, shpejtësia e përgjithshme e të folurit dhe ka treguar se gjendja e dehjes shkakton pasaktësi në të gjitha këto parametra gjuhësorë, si p.sh. zgjatje jonatyrale të disa rrokjeve, belbëzime tipike, heshtje dhe pauza në diskutime, në momente jo të duhura dhe me kohëzgjatje jashtë së zakonshmes.
Paralelisht, prej disa vitesh tashmë, kompanitë automobilistike po përpiqen të gjejnë teknologji efikase për të kapur nivelin e alkoolit të drejtuesit të automjetit. Firmat po fillojnë të mendojnë për tipin e sensorëve që mund të përdorin për të matur gjendjen e shoferit – deklaroi kështu Thilo Koslowski, analist i sektorit automobilistik, duke përfshirë edhe sensorët audio. Pra parashikohet që një instrument si “Alcohol Language Corpus” do të jetë thelbësor për këtë qëllim.
Studimi është zhvilluar në fund të vitit të shkuar, në gjermanisht, por në të ardhmen mund të shtrihet edhe në gjuhë të tjera.