Duke filluar nga 1 dhjetori, Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që për shkollat të aplikohet skenari për mësimin e alternuar, pra që disa klasa mund të zhvillojnë mësimin në mënyrë tradicionale, e disa të tjera në distancë (online).
Bazuar në përcaktimet e udhëzimeve të OBSH dhe analizën mbi baza dinamike të Institutit të Shëndetit Publik, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar, deklaroi ministrja Ogerta Manastirliu.
“Ekspertët e shëndetit publik në ISHP vlerësojnë se impakti i masave që kemi marrë deri më sot, vlerësohet në hapësirën kohore 4-6 javë nga momenti i fillimit të zbatimit. Por, që të kenë efekt duhet që çdo masë të zbatohet nga të gjithë me përpikmëri e përgjegjësi”.
“Ashtu siç e kemi përsëritur në këto javë, për ne shëndeti është i pari dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë, shëndeti dhe siguria e tyre, janë prioritet absolut.
Deri tani, siç ekspertet analizojnë, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2. Rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar dhe në shifra. Por, për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore, kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur:
- T’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 Dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin ne distance (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore”, deklaroi ministrja Ogerta Manastriliu.
Ministrja bëri thirrje që për festat e Nëntorit qytetarët të tregohen patriot duke qëndruar në shtëpi.
“E kuptojmë fare mirë dëshirën për të festuar, aq më tepër Festat e Nëntorit. Por këtë vit, këto festa na gjejnë përballë një sfide të shëndetit publik, që ndodh një herë në shekull. Patriot sot është kush qëndron në shtëpi, për të mbrojtur shëndetin e vetes, familjes dhe të afërmve. Do të vijë një kohë kur, ndër fitoret tona më të mëdha do të jete dhe fitorja që arritëm bashkë në betejën për shëndetin!”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.