Grupi turk “Limak” do të fillojë ndërtimin e një metroje një kilometër të gjatë në kryeqytetin e Maqedonisë, që synon të lehtësojë trafikun.
Kryebashkiaku i Shkupit, Koce Trajanovski, dhe kreu i zhvillimit të “Limak”, Haldun Kokturk, kanë nënshkruar marrëveshjen ditët e fundit.
Në bazë të kushteve të marrëveshjes, kompania do të ndërtojë rrugën nën tokë dhe do t’ia japë atë qytetit falas. Në këmbim, “Limak” do të jetë në gjendje të ndërtojë një kompleks të madh tregtar
dhe rezidencial në tokën mbi rrugën nëntokësore.
“Limak” e bleu sipërfaqen prej 32,000 metrash katrorë në shkurt për 3.3 milionë euro. Në bazë të marrëveshjes, kompania ka gjashtë vjet kohë që të përfundojë të gjithë projektin,
por duhet të ndërtojë tunelin përpara se të nisë punimet mbi tokë.
Vlerësimet janë që rruga nëntokësore do të kushtojë 10 milionë euro. “Projekti është ende në fazën e zhvillimit dhe nuk e dimë me saktësi se sa do në na kushtojë”, tha Haldun Kokturk.
Kryebashkiaku Trajanovski tha se rruga nëntokësore do të shënojë “fillimin e ndërtimit të bulevardit jugor të Shkupit”, një super-rrugë prej 15 kilometrash që është projektuar që nga vitet 1970.
Rruga nëntokësore është një nga dy të tilla, që bashkia planifikon që të ndërtojë në vitet në vazhdim, në mënyrë që të lehtësojë trafikun e rënduar të qendrës së kryeqytetit.
Autoritetet synojnë që të fillojnë ndërtimin e tunelit tjetër, që është i ngjashëm në gjatësi me të parin, nga fundi i këtij viti.
Ky projekt, kostoja e të cilit vlerësohet në rreth 30 milionë euro, do të përballohet me fonde nga buxheti i shtetit.
“Limak” është një nga kompanitë më të mëdha të Turqisë. Projektet e tjera të saj përfshijnë rindërtimin e Aeroportit të Prishtinës në Kosovë.
Kompanitë turke kanë fituar shumë terren në Maqedoni gjatë viteve të fundit.
Turkja TAV vitin e kaluar rindërtoi Aeroportin e Shkupit dhe tani po e administron atë, ndërsa “Cevahir” këtë vit planifikon që të fillojë ndërtimin e katër komplekseve rezidenciale dhe një qendre tregtare në Shkup.
“Koc”, gjithashtu nga Turqia, administron një prej qendrave tregtare më të mëdha në Shkup.