Ka nisur anulimi i fluturimeve nga Kosova për në Itali.
Një i tillë, i planifikuar sot për në Milano, është anuluar. Qeveria në Itali ka vënë masa shtesë deri më 15 shkurt në lëvizjet brenda shtetit dhe udhëtimet nga jashtë. Udhëtimet Kosovë – Itali lejohen vetëm në raste urgjente dhe për hyrjen apo kthimin në Itali duhet vetizolim 14-ditor.
Vendosja e masave të reja anti-covid nga shteti i Italisë, ka bërë që të anulohen fluturimet nga disa vende.
Sot është anuluar edhe fluturimi i paraparë nga Prishtina drejt Milanos.
Këtë e ka konfirmuar zyrtari për informim në Aeroportin “Adem Jashari”, Bujar Gashi.
“Po fluturimi për në Milano për ditën e sotme është anuluar”.
Qeveria italiane ka vënë masa shtesë deri më 15 shkurt në lëvizjet brenda shtetit dhe udhëtimet nga jashtë.
Në Itali është e ndaluar çdo lëvizje në distancë, përveç atyre për arsye pune.
Udhëtimet Kosovë – Itali lejohen vetëm në raste urgjente dhe për hyrjen apo kthimin në Itali duhet vetizolim 14-ditor.
Gjatë ditës së djeshme Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë me banim/qëndrim në Itali të respektojnë masat dhe protokollet parandaluese anti-covid-19, të përcaktuara në Dekretin e fundit të Qeverisë italiane, i përditësuar me datë 14 janar 2021.
Ambasada njofton se Dekreti parashikon zgjatjen e gjendjes emergjente me kufizimet e lëvizjes si në vijim:
“-Deri me 15 shkurt 2021, parashikohen kushtëzime për qarkullimin dhe lëvizjen brenda territorit italian: çdo lëvizje mes komunave (përjashtohen ato me më pak se 5000 banorë), prefekturave dhe rajoneve është e ndaluar; lejohen lëvizjet vetëm për arsye pune, shëndetësore, kthim në vendbanim dhe nevoja urgjente, ku parashikohet gjithsesi formulari i vetë deklaratës ku dëshmohet arsyeja e lëvizjes;
– Udhëtimet Itali/Kosovë dhe anasjelltas: lejohen vetëm në raste urgjente të dëshmuara, dhe për hyrjen/kthimin në Itali, parashikohet vetë izolimi i detyrueshëm 14 ditorë, si dhe mbikëqyrja shëndetësore. Sipas këtij dekreti, këto masa mbesin në fuqi nga 16 janari deri me 05 mars 2021.
– Kalimi tranzit nëpër Itali: të gjithë shtetasit kosovarë që udhëtojnë nga shtetet e BE-së mund të kalojnë tranzit përmes rrugëve tokësore, duke plotësuar formularin e vetë deklarimit, ku shpjegohet qartë qëndrimi në 14 ditët e fundit, duke respektuar detyrimin që të lëshojnë territorin italian brenda 36 orëve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada e Kosovës në Itali më tej ka njoftuar se lejet e qëndrimit/permessi di soggiorno: të gjithë shtetasit kosovarë të cilëve u ka skaduar leja e qëndrimit italiane, DPCM Nr.2 i datës 14.01.2021, neni 5, parashikon zgjatjen e vlefshmërisë së tyre deri më datë 30 prill 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.