Ministria e Arsimit dhe universitetet publike kanë arritur një marrëveshje për të pritur 5800 studentët e universiteteve private që iu është hequr licenca. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolli, në një dalje publike me rektorët e universiteteit të Tiranës, Politeknikut dhe të Mjekësisë, ka shpjeguar se tashmë janë ngritur komisionet që do të trajtojnë me prioritet çdo kërkesë.
“Në ditët në vijim ne do të detajojmë të gjithë programin ndihmës, duke ngritur pranë universiteteve të arsimit të lart publik në vend komisionet e pritjes së këtyre studentëve, do të trajtojnë rast pas rasti duke studiuar të gjithë cilësinë e diplomave”, tha ministrja e Arsimit.
“Të ofrojmë gatishmërinë maksimale për të gjithë ata që do të jenë në kushtet e pamundësisë për të vazhduar studimet në universitetet që u mbyllën”, u shpreh rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.
Sa i përket pretendimit të studentëve se universiteti “Vitrina” nuk u bën transferimin, ministrja Nikolla i ka bërë apel “Vitrinës” të mos shkelë ligjin, pasi është pikërisht universiteti që ka prishur kontratën dhe jo studentët.
“I bëj thirrje institucionit privat vitrina të respektojë ligjin, mos eci në rrugën e paligjshmërisë, nuk është një kontratë që prishet nga studentët, është një kontratë që prishet nga një institucion. Nuk është më institucion i arsimit të lartë për shkak të shkeljes në mënyrë sistematike”, tha Nikolla.
Deri më 10 Shtator studentët e privatit që u është hequr licenca duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin, dhe vetëm pas kësaj date Ministria do të nxjerrë udhëzimin e detajuar për çdo hap që duhet të ndjekin këta studente.
shqiptarja.com