…dhe xhelozisë së partnerit të vërtetë
Quajeni miqësi, quajeni solidaritet. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkufizojnë “work marriage”. Bëhet fjalë për afrimitetin e një çifti kolegësh të seksit të kundërt, që ngjan si një marrëdhënie martesore, por nuk shndërrohet kurrë në një lidhje sentimentale.
Është një marrëdhënie e veçantë, e cila karakterizohet nga ndershmëria, besnikëria, besimi, respekti dhe mbështetja reciproke, veçanërisht gjatë periudhave stresuese në punë. Shpesh kjo marrëdhënie krijohet mes kolegëve të një zyre që kanë interesa apo aspekte të përbashkëta në personalitet, si sensi i humorit, dhe me aftësi të ndryshme profesionale – për këtë arsye plotësojnë njëri-tjetrin dhe përbëjnë një ekip produktiv.
Një sondazh i kompanisë Captivate ka gjetur se 70% e punonjësve ka pasur një marrëdhënie të kësaj natyre. Në vitin 2010, kjo përqindje ishte 65% ndërsa në 2006, 32%. Fenomeni është në rritje në të gjitha ambientet ku parapëlqehet team working dhe bashkëpunimi.
Nëse shihni filmin “Steve Jobs”, me drejtues artistik Danny Boyle, edhe themeluesi i Apple kishte një work spouse: Joanna Hoffman, drejtuesja e departamentit të Marketingut. Hoffman kishte një marrëdhënie të barabartë me Jobs, dinte ta kundërshtonte dhe ta korrigjonte, – ata kishin një vlerësim të madh për njëri-tjetrin.
Ky përkufizim është përdorur për të përshkruar edhe marrëdhënien mes ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, George W. Bush dhe ish-sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice.
Sipas një studimi të profesor Chad Mc Bride të Universitetit të Nebraskës dhe asistentes së tij Karla Mason Bergen, me një koleg të tillë argëtohesh më tepër, angazhohesh me përkushtim më të madh dhe je më besnik ndaj kompanisë. Një miqësi e kësaj natyre përmirëson edhe dialogun me partnerin e vërtetë, i cili nuk do të lodhet së dëgjuari gjithë problemet e bezdisshme në punë. Shumë punonjës nuk duan të flasin për ditën e tyre me bashkëshortin/-en, pasi ka shumë detaje që i duhen shpjeguar një personi që nuk është me ta në zyrë.
Disa punonjës të intervistuar nga Captivate i përshkruajnë kështu përfitimet nga kjo lloj marrëdhënie:
“Është e domosdoshme të kesh dikë me të cilin të ndash frustrimet gjatë ditës dhe të të japë këshilla”
“Më pëlqen që të jetë një person i cili më mbron në një det me peshkaqenë”.
“Jam këtu për 40 orë në javë. Kam nevojë për një koleg të veçantë me të cilin të ndaj ditën”.
Por “work marriage” ndez shumë debate: është një lojë e rrezikshme. Ju duhet të shmangni të bëheni konkurrent me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha elementin romantik dhe flirtues. 41% e “work marriage” në punë thonë se nuk takohen kurrë me njëri-tjetrin jashtë zyrës. Ky është një tjetër aspekt delikat që mund të lërë shkas për thashetheme mes kolegëve dhe të ngjallë xhelozinë e shokut të jetës.
Mund të jetë një “work marriage” nëse:
-Dilni shpesh për drekë me njëri-tjetrin dhe njihni shijet reciproke në ushqime dhe kafe
-Merrni borxh objekte nga tavolina e tjetrit dhe mbështeteni tek ai në rast se keni nevojë për diçka për të ngrënë apo për ndonjë ilaç.
-Kur ndodh diçka e re në zyrë, shkoni dhe flisni menjëherë me të
-Nuk bëni asnjë koment nëse tjetri ha, pi, ose pi shumë duhan
-Marrëdhënia është aq fortë sa përfundoni mendimet e njëri-tjetrit.
Burimi: Business Insider