Mercedes-Benz dhe Microsoft po bashkëpunojnë për të testuar Inteligjencën Artificiale ChatGPT, që do të jetë e pranishme në më shumë se 900 mijë automjete në SHBA.
Shtëpia automobilistike e makinave të luksit deklaroi se teknologjia në zhvillim do të përdoret për kërkesa audio nëpërmjet asistentit zanor Hey Mercedes, që duhet të rrisë ndjeshëm aftësinë e sistemit.
Sipas një zëdhënësi të Microsoft, është hera e parë që ChatGPT do të përfshihet në një makinë. Mercedes deklaroi sot se do të nisë një program beta opsional për klientët amerikanë.
Klientët mund të regjistrohen nëpërmjet aplikacionit të kompanisë, i quajtur Mercedes me, ose drejtpërdrejt nga makina, duke përdorur komandën zanore “Hey Mercedes I want to join the beta program” (Hey Mercedes, dua t’i bashkohem programit beta).
“Ndërsa shumica e asistentëve zanorë janë të kufizuar në detyra dhe përgjigje të paracaktuara, ChatGPT përdor një model të gjerë gjuhësor për të përmirësuar shumë të kuptuarit e gjuhës natyrore dhe për të zgjeruar temat ndaj të cilave mund t’u përgjigjet” – deklaroi shtëpia automobilistike.
Ashtu si në sektorë të tjerë, zbatimet e mundshme të ChatGPT në industrinë automobilistike janë vënë në qendër të debatit.
Ndërsa disa si General Motors thonë se automjetet e tyre autonome përdorin që tani Inteligjencë Artificiale të avancuar apo të mësuarin automatik (machine learning), marrëveshja me Mercedes shënon një nga rastet e para të përdorimit specifik për ChatGPT.
Në fillim të vitit, GM deklaroi se po shihte mundësinë e përdorimit të ChatGPT tek automjetet e tij, si pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë me Microsoft, një investitor i OpenAI i cili ka krijuar teknologjinë.
Eric Boyd, zëvendëspresident i platformës IA te Microsoft, deklaroi se integrimi i ri do të rrisë komandat zanore dhe ndërveprimin, aftësitë e zbatimit të detyrave dhe do të lejojë përgjigjen e pyetjeve, përveç gjërave të tjera.
“Ndryshe nga asistentët zanorë standardë, që shpesh kërkojnë komanda specifikë, ChatGPT shkëlqen në përgjigjen e pyetjeve të mëpasshme dhe ruajtjen e të kuptuarit të kontekstit.
Drejtuesit mund të bëjnë pyetje komplekse ose të përfshihen në biseda ‘me shumë kthesa’, duke marrë përgjigje të hollësishme nga asistenti zanor” – shkroi Boyd në një postim në blog.
Në bazë të rezultateve të programit beta prej tre muajsh dhe opinioneve të klientëve, Mercedes do të marrë në konsideratë integrimin e mëtejshëm të teknologjisë, sipas kompanive.
/ CNBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.