Shtëpia automobilistike gjermane, Mercedes-Benz, rriti parashikimet mbi fitimet operative, falë porosive më të qëndrueshme, përmirësimit të zinxhirit të furnizimit dhe rritjes së shitjeve.
Kompania deklaroi se do të vijojë të luftojë kostot duke rritur çmimet, pavarësisht shqetësimeve për inflacionin që peshon në kërkesë.
“A do të jetë presioni i çmimeve po aq i fortë në tremujorët e ardhshëm? Do të tregohemi pak më të kujdesshëm… por duhet të menaxhojmë ende rritjen e kostove” – deklaroi të enjten drejtuesi financiar, Harald Wilhelm, pas rezultateve tremujore të mërkurën.
Prodhuesit e automjeteve luksoze, nga BMW te Porsche dhe Mercedes-Benz kanë qenë në gjendje t’i bëjnë ballë rritjes së kostove, nga lëndët e para te ato logjistike, më mirë se shtëpitë e tjera automobilistike, duke ua faturuar atë klientëve dhe duke ushtruar presion tek ekskluziviteti i markave të tyre.
Megjithatë, Mercedes-Benz është treguar e kujdesshme mbi perspektivat ekonomike, duke theksuar normat e larta të interesit që mund të ulnin shpenzimet e konsumatorëve.
Fitimi para interesit dhe taksave (EBIT) ishte 5 miliardë euro (5,6 miliardë dollarë) në tremujorin e dytë, krahasuar me parashikimin e analistëve prej 4.7 miliardë eurosh, falë rritjes së fitimeve në divizionin e furgonëve.
Në deklaratën e së enjtes, kompania tha se po krijoheshin inventarë, për shkak të prezantimit të modelit të shitjes direkte dhe rritjes së prodhimit me prezantimin e modeleve të reja në treg.
Zinxhiri i furnizimit “është përmirësuar ndjeshëm” – shtoi kompania, ndryshe nga Porsche që deklaroi dje se po luftonte çdo javë me problemet e zinxhirit të furnizimit, veçanërisht në komponentët kryesorë për makinat elektrike.
Mercedes-Benz deklaroi se pret që EBIT i gjithë vitit të jetë rreth 20.5 miliardë euro (22,7 miliardë dollarë) në vitin 2022, pasi parashikoi më parë një rënie të ndjeshme.
Parashikimet për sektorin e makinave mbetën të pandryshuara, me të ardhura të sheshta dhe një kthim të rregulluar nga shitjet në 12-14%.
Këtë muaj, kompania regjistroi rritje me 6% të shitjeve të makinave në tremujorin e dytë, falë kërkesës së lartë për makina tërësisht elektrike dhe të kushtueshme, me rritje në Europë, Azi dhe në Amerikën e Veriut.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.