Entuziazmi i shifrës rekord prej 1.15 miliardë euro, të siguruar si mbështetje për rikuperimin pas tërmetit me pasoja tragjike të 26 nëntorit, nuk zgjati shumë. Shifrat zyrtare të Komisionit Europian bënë të ditur se 26% e kësaj shume është donacione, ndërsa pjesa tjetër është kredi me kushte të buta. Sigurisht që është për t’u vlerësuar kontributi i secilit shtet, që me sa pati mundësi na u gjend në këto ditë të vështira.
Po aq për t’u vlerësuar është dhe angazhimi përmes kredive për projekte me kushte të buta, që premtuan shumë institucione. Gjithsesi, këto kredi do të duan kohë të disbursohen, pasi kërkohen projektet, miratimi i kredisë, prokurimi, përfshira në projektin Buxhetor Afatmesëm, zbatimi i tyre, periudhë që do të zgjasë të paktën më shumë se një vit. Për më tepër, që përdorimi i tyre do të jetë më shumë në projekte mbështetëse, sesa në zgjidhjen e nevojave të drejtpërdrejta të pas tërmetit.
Dëmi i shkaktuar nga shkundja e fuqishme e 26 nëntorit vlerësohet në gati 1 miliardë euro, sipas raportit zyrtar të Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë së Tërmetit, që u përgatit nga qeveria shqiptare dhe që shërbeu si bazë për konferencën e donatorëve, që u mbajt ditët e fundit në Bruksel. Deri tani, nëse supozojmë që donacionet do të disbursohen së shpejti dhe duke pasur në konsideratë fondin prej 20 miliardë lekë (160 milionë euro) të akorduar nga buxheti i shtetit, janë siguruar rreth 460 milionë euro, ose më pak se gjysma e parave që do të shërbenin për kompensimin e dëmeve dhe rindërtimin.
Por, topi mbetet në fushën tonë dhe i takon qeverisë që të mos mbetet peng i premtimeve të donatorëve dhe t’i japë rrugë sa më të shpejtë strehimit të mijërave banorëve, të cilët kanë mbetur pa shtëpi dhe deri tani, kur kanë kaluar pothuajse tre muaj nga tërmeti nuk kanë gjetur ende zgjidhje. Rialokimi dhe mirëmenaxhimi i fondeve publike do të ishin zgjidhja ideale. Por, kjo duket e vështirë për dy arsye, së pari për shkak të performancës së dobët të të ardhurave buxhetore dhe së dyti, si rrjedhojë e ngushtimit të hapësirave fiskale nga pagesat për partneritetet publike private (PPP).
Në 2019-n, të ardhurat tatimore shënuan performancën më të dobët të pesë viteve të fundit (shtesa e të ardhurave në vlerë absolute ishte më e ulëta që prej vitit 2015). Të ardhurat kishin një rritje minimale prej 2.4%, që është realisht negative duke përfshirë rritjen ekonomike dhe inflacionin. Rritja e barrës fiskale pas 2013-s nuk arriti të siguronte më shumë të ardhura në buxhet, që vijojnë të mbeten më të ulëtat në Europë, në 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
As aksionet e vazhdueshme kundër informalitetit nuk arritën të zbusin mosdeklarimin e të ardhurave reale nga bizneset. Përkundrazi, disa tregues indirekt, si rritja e parasë jashtë bankave, që ka arritur në 22% të parasë gjithsej, flasin për një shtim të informalitetit në vend. Në 2019-n, mosrealizimi i të ardhurave tatimore ishte rreth 180 milionë euro, shumë që do të kishte bërë të mundur me një të rënë të lapsit dyfishimin e fondit të vënë në dispozicion nga buxheti për tërmetin. Për 2020-n, të ardhurat e prishmë mund të ndikohen nga përjashtimet e shumta fiskale në procesin e rindërtimit dhe në efektin që mund të kenë tek bizneset pasojat e tërmetit.
Performanca e dobët buxhetore ngushton dukshëm në kahun tjetër hapësirat fiskale. Rënia e të ardhurave shoqërohet automatikisht me tkurrje shpenzimesh, me synim ruajtjen e parametrave të deficitit dhe ato që e pësojnë janë investimet kapitale. Për 2020-n, Shqipëria ka marrë miratimin e Fondit Monetar për të rritur deficitin në 2.2% të PBB-së (nga 2% që është kufiri maksimal), por ky përjashtim është vetëm për një vit. Angazhimi në projektet e PPP-ve, pagesat e të cilave në 2020-n do të kulmojnë në 17% të totalit të shpenzimeve kapitale është një tjetër faktor kufizues. Për 2020-n pritet që për këto projekte të diskutueshme, sa i përket raportit kosto-përfitime, të paguhen nga buxheti rreth 15 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro.
Kur je në hall, mund të presësh ndihmë nga fqinjët, por nuk shpreson dot që të jenë ata që do t’i zgjidhin të gjitha problemet e tua. Njësoj dhe me shtetin, problemet duhet t’i zgjidhë vetë. Është vonë për të thënë se nëse buxheti do ishte menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ekonomia do të ishte bërë konkurruese, duke ndikuar në rritjen e rendimentit fiskale, ne nuk do të kishim kaq shumë nevojë që të vareshim nga të tjerët. Por nuk është vonë, që sot e tutje, buxheti të menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme, fokusi të vihet në rialokimin e shpenzimeve në projekte eficiente dhe nxitjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, çka do të çlironte burime për rindërtimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.