“Kjo sferë është me të vërtetë një platformë shqisash për artistët e së nesërmes” është përkufizimi me të cilin pronarët e “Madison Square Garden Sphere” në Las Vegas i referohen arenës së re të pabesueshme për muzikën dhe argëtimin
Kjo sferë është me të vërtetë një platformë shqisash për artistët e së nesërmes”. Ky është përkufizimi me të cilin pronarët e “Madison Square Garden Sphere” në Las Vegas (një marrëveshje mes “MSG Company” dhe “Las Vegas Sands Corporation”, e cila menaxhon më shumë se një kazino përgjatë “The Strip”) i referohen arenës së re të pabesueshme për muzikën dhe argëtimin.
Kjo strukturë inovative do të ndryshojë përgjithnjë mënyrën se si e përkufizojmë një “teatër”. Ajo ka formën e një sfere, e lartë 111 metra dhe e gjerë 157 metra në pikën e saj më të gjerë në bazë. Vetëm kupola peshon 13.000 tonë dhe ka sipërfaqe 20.500 metra katrorë, poshtë së cilës numërohen 17.500 vende.
Përurimi, i parashikuar në vitin 2021, përpara ngadalësimit për shkak të pandemisë, u shty në vitin 2023, gjë që ka rritur kostot deri në 1.8 miliardë dollarë. “Madison Square Garden Sphere” ndodhet pak përtej zonës “The Strip” në Las Vegas, pranë kazinosë “Venetian” dhe “The Palazzo” dhe disa qindra metra larg stadiumit më modern në botë, “Allegiant Stadium”, i hapur kohët e fundit.
Ekrani më i madh HD në botë
Cili është ndryshimi mes “Sphere” dhe teatrove më të mëdhenj ekzistues? Brenda kësaj arene të re do të jetë ekrani me rezolucion të lartë më i madh në botë, më shumë se 16.000 metra katrorë (sa një fushë e gjysmë futbolli), i cili do të jetë i pozicionuar prapa dhe mbi skenë deri në tavan me rezolucion 100 herë më të lartë se televizori më i mirë në treg (19.000 x 13.500 piksel).
Publiku, i cili do të jetë vetëm në një anë të skenës, do të përjetojë një përvojë gjithëpërfshirëse unike dhe çdo vend do të ketë pamje të përsosur të skenës. Kjo është arsyeja se pse këtu do të zhvillohen koncerte dhe shfaqje të mëdha, por asnjë ngjarje sportive.
Vende high-tech dhe 157 mijë altoparlantë
Çdo vend do të ketë sistem audio të avancuar, falë teknologjisë wireless – e ashtuquajtura “beamforming” (e cila e dërgon tingullin direkt në një pozicion specifik në vend që ta përhapë tek amplifikatorët e shpërndarë në një vend) – me më shumë se 157 mijë altoparlantë ultra-drejtues që bartin lloje të ndryshme tingulli në të njëjtin moment me shpejtësinë 25 megabite në sekondë për çdo vend në teatër. Vendet do të jenë të pajisur me sistem Wi-Fi me shpejtësi të lartë, në mënyrë që të mund të publikoni video e foto të eventeve pa probleme.
“Populous”, shoqëria e arkitekturës e specializuar në projektimin e stadiumeve të mëdha sportive, ka krijuar “Sphere”, duke dashur ta ngrejë gjithçka në një nivel më të lartë, duke nisur nga mbulesa e jashtme që zë një hapësirë më të ma[1]dhe se tre fusha futbolli. Muret e jashtme janë një ekran që do t’ju lejojë të shikoni imazhe dhe video të personalizuara për çdo event të programuar.
Një sistem kamerash brenda do të transmetojë në guaskën e jashtme të kupolës, duke u lejuar atyre jashtë të shohin se çfarë po ndodh brenda. Sistemi shtesë i kamerave i instaluar në qytet rreth “Sphere” do të projektojë imazhe dhe video direkt në kupolë.
/ Corriere della Sera