Punëtorët meshkuj në vendet e pasura janë në vështirësi. Ata duhet të mësohen të përshtaten
Në vështrim të parë duket se po lulëzon një shoqëri e dominuar nga meshkujt. Më shumë se 90% e presidentëve dhe kryeministrave janë meshkuj, sikundër janë pothuajse të gjithë shefat më të mëdhenj të korporatave. Meshkujt dominojnë financën, teknologjinë, filmat, sportin, muzikën dhe madje edhe komedinë. Në pjesën më të madhe të botës ata ende gëzojnë privilegje sociale dhe ligjore, thjesht sepse zotërojnë kromozomin Y. Kështu që mund të duket e çuditshme të shqetësohesh në lidhje me gjendjen e meshkujve.
Megjithatë, ekzistojnë arsye për t’u brengosur, shkruan The Economist. Meshkujt grupohen në fund, ashtu si dhe në krye. Ata kanë më shumë gjasa për t’u burgosur se sa femrat, të ndahen nga fëmijët e tyre, apo të vetëvriten. Ata sigurojnë më pak diploma universitare sesa femrat. Djemtë në botën e zhvilluar kanë 50% më shumë gjasa të ngelin në matematikë, lexim dhe në shkencën bazë.
Ka një grup që vuan në mënyrë të veçantë. Meshkujt e paarsimuar në vendet e pasura kanë ndeshur vështirësi për të përballuar ndryshimet e mëdha në tregun e punës dhe në shtëpi gjatë gjysmës së shekullit të fundit. Teksa teknologjia dhe tregtia kanë zhvleftësuar ‘muskujt’, meshkujt më pak të arsimuar kanë hasur vështirësi të mëdha për të gjetur rol në vendin e punës.
Femrat, në anën tjetër, po rriten në sektorë të tillë si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, ndihmuar nga aftësitë e tyre superiore.
Teksa arsimi ka fituar gjithmonë e më shumë rëndësi, djemtë kanë mbetur gjithashtu pas vajzave në shkollë. Meshkujt që humbasin vendet e punës në prodhim në shumicën e rasteve nuk punojnë sërish. Dhe meshkujt e papunë e kanë të vështirë të tërheqin një partnere të përhershme. Rezultati, për meshkujt me kualifikime të ulëta, është një kombinim helmues i papunësisë, mungesës së familjes dhe të perspektivës.
Nga familja ‘bazë’ tek ajo e ‘shpërbërë’
Personat që mbështesin politikat e majta kanë tendencë të përqendrohen tek ekonomia. ‘Tkurrja’ e mundësive të punësimit për meshkujt, thonë ata, po krijon varfëri dhe po shkatërron familjet. Në Amerikë, paga për meshkujt që zotërojnë thjesht diplomë gjimnazi ra me 21% në terma realë mes viteve 1979 dhe 2013; për femrat me kualifikime të ngjashme ajo u rrit me 3%. Rreth një e pesta e meshkujve amerikanë në moshë pune me diplomë gjimnazi janë të papunë.
Ata që priren djathtas shqetësohen për ‘kolapsin’ e familjes.
Pjesa më e madhe e femrave do të preferonin një partner që e bën si detyrën e tij financiare ashtu dhe atë shtëpiake. Por ato do të dëshironin më mirë të rrinin vetëm se me një partner që i bashkohet grupit të dembelëve të tjerë të papunë: meshkujt e papunë amerikanë shpenzojnë vetëm gjysmën e kohës për punët e shtëpisë dhe kujdesin për të tjerët se sa femrat në të njëjtën situatë, dhe shumë më tepër kohë përpara televizorit.
Kështu vjen shpërbërja e familjeve të klasës punëtore. Familja me dy prindër, ende norma në mesin e elitës, po ‘zhduket’ në mesin e të varfërve. Në vendet e pasura, përqindja e lindjeve jashtë martese është trefishuar që nga viti 1980, në 33%. Në disa zona ku prodhimi tradicional është shembur, ai ka arritur në 70% ose më shumë. Fëmijët që rriten në familje ‘të shpërbëra’ mësojnë më pak në shkollë, kanë më shumë gjasa të braktisin shkollën dhe të fitojnë më pak më vonë se sa fëmijët e paprekur nga një situatë e tillë. Ata gjithashtu nuk janë shumë të aftë të formojnë familje të qëndrueshme të tyret.
Këto dy palë shpesh i kundërvihen njëra-tjetrës. Por shpjegimet e tyre nuk janë në kundërshtim: si ndryshimet ekonomike ashtu dhe ato shoqërore vlejnë të fajësohen, dhe të dy shkaqet përforcojnë njëri-tjetrin. Për më tepër, këto probleme ka të ngjarë të përkeqësohen. Teknologjia do t’i trazojë edhe më shumë industritë, duke krijuar përfitime për shoqërinë, por duke i bërë të ‘padobishëm’ punëtorët të cilët dështojnë të azhurnojnë aftësitë e tyre. OECD parashikon se numri absolut i familjeve me një prind do të vazhdojë të rritet në pothuajse të gjitha vendet e pasura. Djemtë të cilët rriten pa baba kanë më shumë gjasa të përballen me probleme në krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, duke krijuar një cikël keqfunksionimi të meshkujve.
Mekanik, rrobaqepës, ushtar, berber
Çfarë mund të bëhet? Një pjesë e zgjidhjes qëndron në ndryshimin e qëndrimeve kulturore. Gjatë brezit të kaluar, meshkujt e klasës së mesme kanë mësuar se i nevojitet të ndihmojnë me kujdesin e fëmijëve, dhe kanë ndryshuar sjelljen e tyre. Punëtorët meshkuj duhet të përshtaten. Femrat kanë mësuar se ato mund të jenë kirurge dhe fizikane pa humbur feminitetin e tyre. Meshkujt duhet të kuptojnë se punët tradicionale manuale nuk do të kthehen sërish, dhe se ata mund të jenë infermierë apo berberë pa humbur burrërinë e tyre. Hartuesit e politikave gjithashtu duhet të japin një dorë në këtë situatë, për arsye se ligjet e ‘çmendura’ po e përkeqësojnë më tej problemin.
Amerika po redukton ‘ofertën’ e meshkujve për martesë duke burgosur miliona meshkuj të rinj për vepra jo të dhunshme dhe duke ua vështirësuar atyre gjetjen e punës, pasi lirohen (në Gjeorgji, për shembull, kundërvajtësit ndalohen të ushqejnë derrat, të punojnë në shtëpitë e varrimit). Disa vende të pasura i dekurajojnë njerëzit e varfër të martohen apo bashkëjetojnë duke reduktuar përfitimet e tyre nëse ata e bëjnë diçka të tillë.
Edhe më e rëndësishme se sa braktisja e politikave të pakuptimta është riorganizimi i sistemit arsimor, i cili është projektuar në një epokë kur shumica e meshkujve punonin me muskujt e tyre. Politikanët duhet të pranojnë se dështimi i arritjes së djemve është një problem serioz, dhe janë të vendosur drejt zgjidhjes së tij. Disa politika të ndjeshme që janë të mira për të gjithë, janë veçanërisht të mira për djemtë. Edukimi i hershëm i fëmijës ofron për djemtë më shumë njohuri dhe një shans më të mirë në zhvillimin e aftësive verbale dhe sociale.
Vendet me sisteme të suksesshme profesionale të tilla si Gjermania kanë bërë një punë më të mirë se sa vendet anglosaksone në motivimin e djemve joakademikë dhe udhëzimin e tyre drejt punëve, por hartuesit e politikave duhet të riorganizojnë arsimin profesional për një epokë kur të trajnuarit kanë më shumë gjasa të sigurojnë punë në spitale se sa në fabrika.
Në terma më të përgjithshme, shkollat duhet të bëhen më ‘miqësore’ ndaj djemve. Ato duhet të pranojnë se djemtë parapëlqejnë të nxitojnë më shumë se vajzat: është më mirë t’i ofrosh atyre më shumë sporte të organizuara dhe lojëra që kërkojnë shumë energji sesa t’i japësh dozën me Ritalin (drogë stimuluese) ose t’i kërkosh të heqin dorë nga ‘nervozizmi’. Ata duhet të ofrojnë modele më shumë mashkullore: të punësojnë më shumë mësues meshkuj në shkollat fillore do t’i ofronte djemve një figurë tek e cila do të projektoheshin si dhe do demonstronte se meshkujt mund të jenë mësues, ashtu siç mund të jenë zjarrfikës.
Rritja e barazisë mes gjinive është një nga arritjet më të mëdha të epokës së pasluftës: njerëzit kanë mundësi më të mëdha se kurrë më parë për të arritur ambiciet e tyre, pavarësisht gjinisë. Por disa njerëz kanë dështuar në përballjen me këtë botë të re. Është koha për t’u dhënë atyre një dorë.