Qeveria kishte lajmëruar kohë më parë rishikimin e buxhetit 2022 në mes te vitit, por sërish i bëri ndryshimet me akt normativ, duke i bërë ato të zbatueshme para se të miratohen në Kuvend.
Akti normativ, i cili u publikua në Qendrën e Publikimeve Zyrtare ndryshoi kufijtë e të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit.
Me ndryshimet e fundit, të ardhurat buxhetore rriten me 30 miliardë lekë, duke shkuar në 576 miliardë lekë nga 546 miliardë lekë që ishin programuar në aktin e parë normativ që u miratua në mars.
Të ardhurat shtesë, prej 30 miliardë lekësh, 12 miliardë lekë do të përdoren për uljen e deficitit buxhetor dhe 13 miliardë lekë për rritjen e shpenzimeve publike.
Shpenzimet e përgjithshme buxhetore arrijnë 660,6 miliardë lekë me ndryshimet e fundit, nga 647,7 miliardë që ishin programuar në mars.
Nga rritja e shpenzimeve rreth 12 miliardë lekë shkojnë për “Paketën e Rezistencës” dhe Fondi prej 1,6 miliardë lekësh shkon në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”, në programin “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme” të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i planifikuar për përballimin e efekteve që burojnë nga zbatimi i aktit normativ nr. 10, datë 18.5.2022, “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg gjatë vitit 2022.
Deficiti buxhetor arrin në -83 miliardë lekë nga 100,8 miliardë që ishte plani në aktin e mëparshëm normativ. Deficiti faktik i buxhetit të shtetit, mund të financohet nëpërmjet huamarrjes neto nga burime të brendshme deri në kufirin maksimal prej 33,000 milionë lekësh. Pjesa tjetër e financimit të deficitit faktik të buxhetit të shtetit financohet nëpërmjet huamarrjes neto nga burime të huaja.
Vlera indikative e financimit nëpërmjet huamarrjes neto nga burime të huaja është rreth 480 milionë lekë, ku përfshihen huamarrjet dhe ripagesat me vlera të përafërta indikativë, të tilla huamarrje afatgjata të destinuara për projekte me vlerë rreth 23 miliardë lekë, huamarrje në formën “mbështetje buxhetore” nga institucione financiare ndërkombëtare me vlerë rreth 19 miliardë lekë dhe ripagesa e principalit 42, 5 miliardë lekë.
Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të stokut të borxhit të qeverisjes qendrore dhe atij të garantuar të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese për vitin 2022, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, është deri në 48 392 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.