Shqipëria dhe Maqedonia po rishikojnë strategjinë e tyre të bashkëpunimit, duke u ndalur në fusha të veçanta. Edhe pse në shifra jo shumë të larta, tregtia mes dy vendeve në vitet e fundit ka ardhur në rritje. Për të nxitur më tej investimet, për herë të parë në Tiranë do të mbahet një forum i përbashkët i bizneseve të dy vendeve.
Në kohën e një krize të fortë ekonomike, e cila duket se do të vazhdojë të ndihet ende në Europë, vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë të eksplorojnë hapësirat e pashfrytëzuara. Fqinji ynë, Maqedonia, duket se e ka kuptuar fare mirë këtë sinjal që ka dërguar tregu dhe po lobon fort për të bërë të njohura mundësitë që vendi ofron në të bërit biznes, por edhe të tërheqjes së investimeve. Një strategji e cila ka si qëllim të forcojë dhe të nxisë edhe bashkëpunimin me ekonomitë e vendeve fqinje. Nga ana e saj, qeveria maqedonase e vlerëson Shqipërinë si një partnere të rëndësishme tregtare dhe ekonomike. Pikërisht për këtë qëllim, më datë 22 Maj, do të mbahet për herë të parë në Tiranë forumi i përbashkët i biznesit dhe investimeve. Ky forum zhvillohet nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Tiranë dhe Zyrës Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë, në bashkëpunim me Agjencinë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit të Republikës së Maqedonisë. Në të do të marrin pjesë mbi 100 biznese maqedonase, ndërkohë që do të jenë të pranishëm z. Visar Fida, drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Investimet e Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë dhe z. Jordan Trajkov, drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit të Republikës së Maqedonisë. Nuk do të mungojë edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Florjon Mima, dhe znj. Eneida Guria, drejtore ekzekutive e Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve.
Tre do të jenë sektorët ku biznesi do të fokusohet: turizmi, agrobiznesi dhe ushqimi dhe pijet.
Zhvillimi i një minipanairi do të bëjë të mundur që përfaqësuesit e biznesit shqiptar të njihen më nga afër me cilësinë dhe traditën e pijeve dhe ushqimit, degustimi i tyre do të jetë gjithashtu një përvojë më vete. Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë, Fatos Mustafa, thotë se gjatë forumit do të bëhet një pasqyrim i plotë i situatës ekonomike në Maqedoni dhe do të prezantohen mundësitë e të bërit biznes. “Pika jonë e fortë është marketingu. Ne jemi duke zbatuar një strategji krejtësisht të re, do ta konsideroja pa frikë një ‘marketing ekstrem’. Ajo që po mundohemi të sjellim edhe në Shqipëri është një model që garanton bashkëpunim dhe shkëmbime afatgjata. Zyra është gjatë gjithë kohës online dhe ofron asistencë e informacion për çdo biznes që dëshiron të investojë dhe të prekë nga afër mundësitë që ofron Maqedonia. Kjo duhet të përkthehet në një situatë ku çdokush del fitues, me pak fjalë një ‘win-win situation”, thotë z. Mustafa. Sipas tij, forumi, i cili ka një rëndësi të veçantë, pasi zhvillohet për herë të parë në Tiranë, mund të kthehet në një traditë (model) të suksesshëm. Ai thotë se mbi 100 biznese maqedonase që do të jenë të pranishme, mund të shikohen nga kompanitë shqiptare si partnere të mundshme për të garantuar investime, që nxisin zhvillimin ekonomik mes dy vendeve, në një kohë kur fjalët kyçe janë: tregje të reja dhe qëndrueshmëri.
“Ky forum paraqet mundësi të shumta për njohjen nga afër të investimeve dhe për takime B2B. Nga ana tjetër, minipanairi që do të zhvillohet për degustimin e verërave dhe ushqimeve, do të krijojë mundësinë e krijimit të rrjeteve mes sipërmarrjeve”, thotë z. Mustafa.
Sipas tij, për bizneset e të dyja vendeve ka ardhur koha që të krijohen ura të forta dhe të qëndrueshme bashkëpunimi. Gjatë forumit do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Bashkëpunimit mes Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë dhe Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve.
Turizmi dhe agrobiznesi, dy fushat e bashkëpunimit
Gjithnjë e më shumë, qeveria maqedonase po i kushton rëndësi marketimit të fortë të vendit. Në jo pak raste, edhe drejtues të institucioneve të larta financiare e kanë konsideruar vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor, si një model që duhet të përshtatet edhe nga vendet e tjera. Dhe në fakt, Maqedonia po tregon se “arma” e saj e fortë është promovimi i mundësive për të bërë biznes. Gjithnjë e më shumë vendi po ndërmerr reforma politike dhe ekonomike në drejtim të forcimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Pavarësisht ndikimit nga kriza ekonomike e Eurozonës, vendi ka arritur të ketë stabilitet politik dhe makroekonomik. Performanca ekonomike e Maqedonisë shprehet nëpërmjet vlerës së qëndrueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rreth 5%, shkallës së ulët të inflacionit me një mesatare prej 2-3%, disiplinës fiskale të konfirmuar dhe nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe ku funksionon më së miri koordinimi midis politikave fiskale dhe monetare. Maqedonia ka një ekonomi tepër të larmishme. Sektorët që identifikohen më shumë për potencialet që kanë në thithjen e investimeve të huaja janë: ai i makinave, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, elektronika, metalurgjia, produktet e kujdesit shëndetësor (farmaceutika dhe pajisjet mjekësore), agrobiznesi, dhe industria e përpunimit të ushqimit. Lehtësitë fiskale e kanë bërë një vend tërheqës për biznesin e huaj. Vendi ofron akses pa taksa (duty – free) në tregjet e mbi 650 milionë konsumatorëve përmes marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe të tregtisë së lirë. Një aspekt konkurrues është edhe pozicioni strategjik që e bën me kosto të ulët në Europë. Për korporatat, zbatohet 10% taksë e sheshtë dhe po kaq edhe për të ardhurat personale. Avantazhe fiskale përbëjnë edhe taksa 0% mbi fitimet e pashpërndara, sistemi one stop-shop për regjistrimin e kompanive brenda 4 orëve; infrastruktura, fuqia punëtore me kosto të ulët. Të gjitha këto e bëjnë Maqedoninë destinacion atraktiv për biznesin. Turizmi mbetet padyshim një nga sektorët ku Maqedonia konkurron fort falë edhe promovimit agresiv dhe shpesh efikas, i cili shpesh shërben si efekt “domino” edhe për vendet rreth e rrotull. E në fakt, shqiptarët kanë nisur t’i kthejnë sytë më shpesh nga fqinjët e tyre. Gjatë vitit 2013, qeveria e Maqedonisë ka akorduar një fond prej 2.4 milionë eurosh vetëm për marketingun e turizmit, shifër kjo shumë më e lartë se ajo e një viti më parë (1 milion euro). Një tjetër masë efikase që po ndërmerr qeveria maqedonase është edhe ajo e subvencionimit të agjencive turistike në tërheqjen e turistëve të huaj. Nga ana tjetër, është përmirësuar ndjeshëm edhe oferta e transportit ajror. Kjo ka sjellë pesëfishim të linjave charter nga Aeroporti i Shkupit. Këtyre ofertave sigurisht që iu bashkëngjitet infrastruktura e duhur dhe cilësia e njësive të akomodimit.
Një tjetër masë tërheqëse e qeverisë maqedonase ka të bëjë edhe me mbështetjen e turizmit rural. Gjatë vitit 2013, është parashikuar që qeveria të financojë në masën 50% investimet në këtë sektor që do të realizohen në zonat rurale. Këtu bëhet fjalë për modernizimin e kushteve të akomodimit, ushqimit, strehimit në natyrë, muzetë ruralë, aktivitetet argëtuese etj. Janë rreth 3.5 milionë euro që do të lëvrohen nga fondet e parashikuara të programit të zhvillimit rural.
Një tjetër pikë e fortë, me të cilën konkurron kundrejt fqinjëve të saj janë zonat e zhvillimit turistik si në Ohër, Strugë, Resen, Dojran. Por, Maqedonia ofron edhe zonat e lira të zhvillimit industrial dhe teknologjik. “Shkupi 1”, “Shkupi 2”, “Strip” dhe “Tetova” janë krijuar si të tilla, për të stimuluar nxitjen e investimeve. Këto zona janë krijuar për të “strehuar” kryesisht kompani të teknologjisë së lartë të orientuara kundrejt prodhimit, aktiviteteve të kërkimit shkencor të gjitha kundrejt standardeve mjedisore. Kompanitë që operojnë jashtë tyre gëzojnë stimuj të veçantë në aspektin e vendndodhjes strategjikë dhe infrastrukturës së zhvilluar. Avantazh përbën edhe regjimi fiskal, pasi nismat për investime në këto zona përjashtohen për një periudhë 10-vjeçare nga taksa 10% e korporatave, të ardhurave personale, nga TVSH-ja dhe detyrimet doganore. Nga ana tjetër, ato kanë avantazhin që të furnizohen falas me energji elektrike, gaz, ujë, por edhe kundrejt rrugëve që janë me pagesë. Ato ofrojnë akses të shpejtë drejt tregjeve europiane. Momentalisht kompani të tilla, si amerikania “Johnson Controls”, britanikja “Johnson Matthey” po operojnë në zonën “Shkupi 1”, por nuk mungojnë edhe kompani të tjera, si italiane, indiane, ruse etj.
Maqedonia ofron edhe avantazhin e kostos së ulët të punës. Sipas statistikave, paga bruto mujore mesatare në këtë vend llogaritet në rreth 490 euro, ndërsa minimalja në rreth 130 euro, e cila zbatohet kryesisht në industrinë e tekstileve dhe lëkurës.
E. Bedalli
Strategjia
Maqedonia po tregon se “arma” e saj e fortë është promovimi i mundësive për të bërë biznes. Vendi po ndërmerr reforma politike dhe ekonomike në drejtim të forcimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Shifra
1.6% inflacioni vjetor
1.8% rritja reale e PBB-së
207 milionë dollarë llogariten Investimet e Huaja Direkte
490 euro është paga bruto, mesatare, mujore
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.