Flet Stela Dhami, drejtuese e Colliers International Albania
Tregu i qirasë ka filluar të tregojë lëkundjet e para, sidomos në çmimet e qirasë për sipërfaqet e mëdha të zyrave, thotë Stela Dhami, drejtuese e Colliers International Albania, agjencisë ndërkombëtare në industrinë e pasurive të paluajtshme.
Ajo parashikon që me shtimin e sipërfaqeve të zyrave, si rjedhojë e ndërtimit të disa kullave në qendër të Tiranës, të ketë ulje të çmimeve mesatare të qirave të zyrave në gjithë segmentet e këtij tregu, por edhe një orientim më i mirë i qiradhënësve, shumica e të cilëve sot ndodhen në ambiente rezidenciale të konvertuara në ambiente komerciale
Tregu i qirasë ka filluar të tregojë lëkundjet e para, sidomos në çmimet e qirasë për sipërfaqet e mëdha të zyrave. Trysnia e futjes në treg të një sasie të konsiderueshme oferte në periudhën afatshkurtër i ka bërë qiramarrësit më kërkues si në drejtim të çmimeve, edhe të lehtësive të tjera të ndryshme të ofruara nga qiradhënësit (shpenzime kapitale, investime, qira fikse etj.).
Gjatë këtij viti priten ulje të vogla, të cilat mbështeten nga trysnia e krijuar nga rritja e pritshme e stokut dhe përkon edhe me fillimin e uljes të ciklit të tregut të zyrave.
Ndërkohë, karakteristika kryesore e tregut mbetet shumëpronësia e kullave/ndërtesave të biznesit që përbën dhe pengesën më të madhe të Tiranës si destinacion i investimeve në fushën e pasurive të patundshme. Për sa kohë nuk do të kemi një pronësi, Tirana do të mbetet jashtë hartës së fondeve të investimeve ose investitorëve të tjerë, të cilët janë tashmë të pranishëm në rajon. Edhe menaxhimi i këtyre projekteve të mëdha mbetet sfidë dhe paraqet rrezik në lidhje me investimet në tregun e zyrave.
Si është e orientuar kërkesa në këtë treg, çfarë kërkohet?
Aktualisht, kërkesa në treg përbëhet nga rinegociata për vendndodhjet aktuale për zyra nga 150-300 m². Ka ende kërkesa nga lojtarë të mëdhenj të tregut, të cilët mbeten në pritje të hapësirave moderne dhe cilësore me çmim të arsyeshëm për sipërfaqet e mëdha, të cilat kërkojnë të rinegociohen. Operatorët e sektorit të shërbimeve me jashtë (Business Process Outsourcing) së shpejti do të kenë kërkesa të orientuara për vendndodhje qendrore, që stoku aktual i zyrave nuk i ofron. Këto kompani bashkë me partnerët e huaj janë sofistikuar dhe kërkojnë ambiente qendrore e cilësore për stafin e tyre, që kërkon punëdhënës me zyra e akses qendror.
Në Tiranë pritet përfundimi i disa projekteve në ndërtim? Si pritet që të ndikojnë tregun? Me sa parashikohet që të shtohet oferta për zyra?
Pritet një rritje e stokut të zyrave, e përqendruar në zonën e ashtuquajtur Zona Kryesore e Biznesit (Central Business District). Cilësia që marketohet është ajo e zyrave të Klasit A. Të shpresojmë që në këtë valë ndërtimesh të ketë me të vërtetë zyra të klasit A, të standardeve ndërkombëtare. Edhe pse ndarjet e sipërfaqeve sipas përdorimeve nuk janë përfundimtare, mendohet që stoku i zyrave klasi A do të dyfishohet gjatë 2-4 viteve në vazhdim. Priten, sigurisht ulje të çmimeve mesatare të qirave të zyrave në gjithë segmentet e këtij tregu, por edhe një orientim më i mirë i qiradhënësve, shumica e të cilëve sot ndodhen në ambiente rezidenciale të konvertuara në ambiente komerciale.
Sfida
Për sa kohë nuk do të kemi një pronësi, Tirana do të mbetet jashtë hartës së fondeve të investimeve ose investitorëve të tjerë, të cilët janë tashmë të pranishëm në rajon. Edhe menaxhimi i këtyre projekteve të mëdha mbetet sfidë dhe paraqet rrezik në lidhje me investimet në tregun e zyrave
Si ka qenë kërkesa për zyra jashtë Tiranë?
Kërkesa për zyra jashtë Tiranës është shumë e vogël dhe zakonisht orientohet nga tregu i punësimit lokal. Në qytete ku ka edhe Universitete dhe staf të kualifikuar, kërkesa është më e lartë.
Në Shqipëri, pjesa më e madhe e bizneseve janë me 1-4 të punësuar, si ndikon kjo në tregun e zyrave?
Sigurisht që ndikon. Për këtë arsye, shumica e transaksioneve të ndërmjetësimit bëhet për sipërfaqe zyrash 100 – 250 m². Kjo si statistikë vlen si për kompani shqiptare, edhe për ato ndërkombëtare.
A pritet të ketë kërkesë për zyra nga kompani të huaja në vitin 2019?
Përveç rinegociatave për shkak të përfundimit të afatit të kontratave aktuale, nuk pritet kërkesë e madhe nga hyrje të reja e kompanive të huaja në treg. Sektori bankar mbetet potencial për vendosjen në këto lokacione të reja. Megjithatë duhet theksuar se ky sektor vazhdon që të ndiejë presionin operacional për uljen e kostove, ku zëri kryesor në kostot operacionale është qiraja e ambienteve të zyrave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.