Çmimi i gazit të lëngshëm pritet të rritet deri në 20% gjatë kësaj jave. Lajmi konfirmohet nga importuesit e gazit në vend, të cilët pritet ta reflektojnë shtrenjtimin në ditët në vazhdim.
Prej një jave, importuesit shqiptarë të gazit të lëngshëm kanë vështirësi në sigurimin e mallit, pasi një pjesë e anijeve nuk lundrojnë për shkak të motit.
“Anijet tona janë bllokuar në Detin Azov, që ndodhet mes Rusisë dhe Ukrainës, për shkak se ka ngrirë pothuajse i gjithi, madje edhe një pjesë e Detit të Zi, duke e bërë të pakalueshëm gazin.
Ky problem zgjat prej ditësh dhe deri në zhbllokimin e situatës, do të duhet të paktën edhe një javë, deri në mbërritjen e sasisë”, thotë Ilir Karcini, president i një prej kompanive kryesore importuese të gazit në vend, “Primagaz”.
Sipas importuesve, ndikimin e motit po e ndiejnë edhe vendet e tjera, të cilat kanë rritur kërkesën për gaz, kurse Rusia dhe Ukraina kanë tkurrur ofertën.
Ngërçi i shkaktuar nga moti i keq ka prishur linjën normale të transportit dhe tashmë tregtarët janë lëshuar nga të katër anët për të kërkuar gaz nga të munden, duke mos pyetur më as për çmimin.
“Deri më sot kemi mundur të hedhim në treg rezervat, por tashmë janë duke u mbaruar dhe ne do të jemi të detyruar që të rrisim çmimet”, shpjegon Karcini.
Në fillim të muajit janar, sipas të dhënave nga bursat, 1 ton gaz i lëngshëm kushton afro 900 dollarë, ndërsa sot është rreth 1,100 dollarë. Duke marrë parasysh kostot e depozitimit, transportit si dhe fitimin, importuesit do të ofrojnë një çmim shitjeje prej 1,250 dollarësh për tregtarët e pakicës.
Nga ana tjetër, tendenca është për rritje të vazhdueshme të çmimit, kjo sepse Europa ka shtuar kërkesën me 30%, ndërsa vendet eksportuese e kanë të pamundur t’i përgjigjen. Një efekt negativ është edhe shtrenjtimi i monedhës amerikane, dollarit.
Të gjitha këto elemente nuk sjellin gjë tjetër, vetëm shtrenjtim të gazit, i cili është kthyer në mall të kërkuar nga të gjithë”, thonë tregtarët.
Gjatë kësaj jave, pritet që një bombol gazi prej 10 kg të kushtojë 1,700 lekë, nga 1,400 lekë aktualisht. Ndërkohë, tregu mund të ndiejë mungesën e gazit për shkak të sasive të limituara. Kjo situatë mund të vijojë për 3-4 muaj.
Shtohen depozitimet
Pjesa më e madhe e gazit të lëngshëm importohet përmes Detit të Zi, i cili për momentin mbetet i bllokuar, duke ulur ndjeshëm sasitë e importuara në të gjithë Europën.
Problem mbetet edhe bllokimi nga Italia, siç sqarojnë importuesit, për shkak se nga Deti Mesdhe vijnë gjithashtu sasi të konsiderueshme gazi.
Një fakt pozitiv, që ka ndikuar në ruajtjen e çmimeve të gazit, është shtimi i depozitave nga ana e kompanive importuese.
Ilir Karcini i “Primagas” sqaron për “Monitor” se gjatë vitit të kaluar investoi në ngritjen e 3,600 m³ depozita të gazit, duket mundur të siguronte depozitimet më të mëdha dhe për të krijuar rezerva më të mëdha.
Nëse në 2010-2011 në tregun e gazit, tregtarët e tij u konfliktuan me njëri-tjetrin, sepse në treg vetëm dy kompani kishin depozita gazi dhe të gjitha kompanitë e tjera ishin të detyruara ta blinin atë prej tyre, në 2011-n situata duket ndryshe.
Në treg funksionojnë 4 kompani të mëdha të importit dhe tregtimit të gazit, “Primagas”, “Intergaz”, “Kalaja” si dhe “Global Gaz”. Falë ndryshimit të ligjit për depozitat tregtare
u bë e mundur që të gjitha kompanitë të mund të investonin në ngritjen e depozitave të tyre dhe si pasojë të importojnë direkt vetë nga jashtë vendit.
“Kjo ka shtuar konkurrencën në treg dhe ka ndikuar që të kemi më shumë rezerva”, shpjegon Karcini.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.