Intervistë me Dominique Hautbergue, Drejtori rajonal i Agjencisë Franceze të Zhvillimit
Nga viti 2018, Agjencia Franceze e Zhvillimit (ADF) ka marrë një mandat nga Qeveria franceze për të punuar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas pak më shumë se dy vite prezence, AFD ka angazhuar më shumë se 300 milionë euro (pa sektorin privat) kredi në rajon, nga të cilat 160 milionë euro në Shqipëri dhe parashikon të rrisë edhe më shumë përpjekjet për të ndërtuar “Një botë të përbashkët, që është edhe moto e AFD.
Për ta bërë të njohur Agjencinë Franceze të Zhvillimit dhe potencialet e saj, Drejtori rajonal i AFD-së, Dominique Hoteberg, i dha një intervistë, revistës ekonomike “Monitor”
Zoti Hoteberg (Hautbergue), grupi AFD ka filluar aktivitetin në Ballkan prej pak kohësh. Ju keni marrë mandatin nga Qeveria Franceze vetëm në 2018, ndërsa jeni Agjencia e Zhvillimit më e vjetër në botë. Pse mbërrini kaq vonë në Ballkan?
Po, është e vërtetë. Agjencia Franceze e Zhvillimit, e krijuar në 1942, është më e vjetra nga Institucionet e Zhvillimit në botë. Ndërkohë që zhvillohej Lufta e Dytë Botërore, Gjenerali De Gol (De Gaulle), krijoi në Londër Arkën Qendrore të Francës së Lirë (la Caisse centrale de la France libre (CCFL), një institucion financiar që shërbente, edhe si Thesar Publik, Bankë Qendrore dhe si Bankë Zhvillimi e territoreve të ish-kolonive. Arka Qendrore e Francës së Lirë (CCFL) u vendos në Paris në 1944 e që prej atëherë, institucioni ka pësuar transformime të herëpashershme dhe ka evoluar e sot quhet Grupi Agjencia Franceze e Zhvillimit (Grupi AFD), duke qenë Institucioni që realizon politikën e Francës në fushën e zhvillimit dhe solidaritetit ndërkombëtar.
Grupi përbëhet nga Agjencia AFD, e ngarkuar për të financuar sektorin publik dhe OJF, nga Proparco, e cila financon sektorin privat dhe Ekspertise France, Agjencia për Kooperimin Teknik. Me më shumë se 3000 bashkëpunëtorë, AFD është e angazhuar në më shumë se 4 000 projekte në terren, me investime që kapin një total prej 14 miliardë eurosh në vit në Francë (në vendet përtej detit) dhe në 115 vende të botës, për të mirën e përbashkët – klimën, biodiversitetin, paqen, barazinë gjinore, edukimin apo shëndetësinë, në mënyrë që të kontribuojnë në angazhimin e Francës dhe të qytetarëve të saj, në favor të objektivave për një zhvillim të qëndrueshëm.
Qeveria franceze i ka besuar AFD-së një mandat për të punuar në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe fillimisht në Shqipëri, në 2018. Aktivitetet e AFD, në rajon, kanë për objektiv të mbështesin konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt standardeve të përbashkëta me Bashkimin Europian dhe në afatgjatë, të favorizojnë anëtarësimin e tyre në BE. Duke promovuar përafrimin me praktikat dhe normat sociale, teknike dhe mjedisore europiane, aksionet e AFD synojnë të nxisin përmirësimin e cilësisë të proceseve të zhvillimit.
Ju jeni drejtori rajonal i Agjencisë Franceze të Zhvillimit për Ballkanin Perëndimor. Cilat janë prioritetet e AFD në rajon?
Prioritetet e aksionit të Grupit AFD gjenden sot në udhëkryqin e çështjeve kryesore të përbashkëta të identifikuara në rajon, të mandatit të dhënë grupit AFD dhe nevojave të partnerëve tanë. Grupi ka në fokus, në mënyrë të veçantë, luftën kundër ndryshimeve klimatike, duke privilegjuar një qasje të hapur, duke lidhur tranzicionet energjetike dhe sociale.
Ne punojmë rreth katër akseve prioritare:
-Qëndrueshmëri dhe adaptueshmëri në zonat urbane.
-Menaxhim të vazhdueshëm të territoreve dhe ruajtjen e burimeve natyrore
-Mbështetje për tranzicionin energjetik
-Modele ekonomike dhe politikë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në kuadër të angazhimit tonë 100% me Akordin e Parisit, ne sigurohemi që secili nga angazhimet tona të jetë kompatibël me një zhvillim të qëndrueshëm. Ne kërkojmë gjithashtu të maksimizojmë bashkëpërfitimet në klimë, në nivelin e 70% të shumave të
autorizuara për periudhën e dhënë.
Në koherencë me angazhimin tonë në lidhje 100% me çështjet sociale, ne, Grupi AFD, përpiqemi gjithashtu të përforcojmë lidhjen me çështjet sociale, të reduktojmë pabarazinë midis femrave dhe meshkujve dhe të marrim në konsideratë situatën e personave në nevojë.
Këto angazhime, të lidhura me ndryshimet klimatike dhe nevojat sociale, nuk janë të vetmet dhe ekskluzive për ne, AFD. Agjencia kërkon të lidhë këto dy objektiva me projektet e veta, me tema të tilla si pabarazia sociale dhe gjendja e mirë e mjedisit, qasjet “One Health”, ose ato, të cilat trajtojnë urgjencën e zhvillimit afatshkurtër ose afatgjatë, siç e shpreh, Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Ju keni shumë projekte aktualisht. Si paraqitet Shqipëria në planet e AFD për Ballkanin Perëndimor? A keni lançuar projekte? A ka për ju fusha specifike të konsideruara si prioritaire?
Ne kemi nisur projektet e para me Shqipërinë, që në 2018 dhe pozicionohemi si një partner i privilegjuar për t’ju përgjigjur pritshmërive të autoriteteve lokale.
Ne punojmë me partnerët tanë shqiptarë dhe institucionet tona homologe, si Banka Botërore dhe KfW në dy kredi për politika publike, duke na lejuar të shoqërojmë autoritetet drejt reformave ambicioze me fokus zhvillimin ekonomik të vendit. Aktualisht ne asistojmë qeverinë shqiptare për lehtësimin e aksesit të grave në tregun e punës, reduktimin e pabarazive, apo edhe aksesin e gruas në pronë. Ne asistojmë Ministrinë shqiptare të Infrastrukturës dhe Energjisë për të realizuar një reformë ambicioze dhe të nevojshme në kuadër të negociatave për aderimin e sektorit të energjisë në BE.
Pas dëmtimit nga tërmeti i 2019-s, qeveria franceze u angazhua nëpërmjet AFD të financojë rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit në Durrës. Ne jemi gati të fillojmë realizimin e projektit dhe ndërkohë po punojmë për të financuar në bashkëpunim me WBIF (Fondin për Investime në Ballkanin Perëndimor) edhe trajtimin e ujërave të zeza.
Sektori dixhital është gjithashtu një sektor prioritar dhe ne asistojmë ministrinë nëpërmjet WBIF për të bërë studime fizibiliteti mbi Atlasin e rrjetit Broadband, apo për realizimin e rrjetit informatik të sistemit parauniversitar shqiptar.
Bashkëpunimi ynë me Bashkinë e Tiranës ka nisur që në fillim të aktivitetit tonë në Shqipëri. Ne kemi financuar konkurse për planifikimin urban dhe realizimin e studimeve për të zhvilluar një qasje Smart City (qytet të zgjuar) për kryeqytetin, domethënë të bëjmë të mundur integrimin e teknologjive të reja në menaxhimin e qytetit për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Ne jemi ndërkohë të paduruar të asistojmë kryeqytetin për realizimin e rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit.
Dhe jemi vetëm në fillim të projekteve tona. Synimi ynë është të forcojmë praninë tonë dhe partneritetin me Shqipërinë.
A duhet që autoritetet ose ndërmarrjet të marrin masa specifike në mënyrë që të rriten shanset që edhe ndërmarrjet shqiptare të përfitojnë në kuadër të aktiviteteve të Agjencisë Franceze të Zhvillimit?
AFD ka në dispozicion një paletë të gjerë mjetesh financiare dhe jofinanciare në Ballkan:
• Kreditë për investime ndahen në kredi me garancinë e Shtetit (sovrane) ose pa garanci shtetërore (jo sovrane) për të mbështetur operatorët publikë, pa ndikuar në rritjen e borxhit. Disa projekte investimesh janë duke u realizuar në sektorët e ujësjellësve dhe transportit në rajon.
• Bashkëpunime “tripartit” rreth temave të politikave publike sektoriale midis AFD, një institucioni financiar dhe Thesarit lokal janë modalitete efikase për të mbështetur objektivat tona të përbashkëta dhe për t’ju përgjigjur nevojave të shteteve partnere. Kjo mbështetje buxhetore, është e rëndësishme në mbështetjen kundërciklike në kohë krize, si kriza aktuale lidhur me pandeminë e COVID-19. Shumë projekte financimi janë realizuar kështu në Ballkanin Perëndimor, në favor të klimës, të barazisë midis grave dhe burrave, ose dhe në sektorin e energjisë.
• Linjat e kredive ose të garancive për aktorët financiarë publikë për të mbështetur politikat ambicioze për SME-të lokale.
• Proparco, filial i AFD, ndërhyn në të njëjtët sektorë, por duke financuar sektorin privat.
Grupi AFD, nëpërmjet asistencës teknike të ofruar për projektet, është gjithashtu i përkushtuar për ofrimin e zgjidhjeve të ekspertizës, me vlerë të shtuar të lartë, për t’ju përgjigjur pritshmërive të larta të homologëve, të cilët kanë tashmë aftësi analitike dhe teknike të mira.
Për të përfunduar, mbas pak më shumë se dy vite prezence, AFD ka angazhuar më shumë se 300 milionë euro (pa sektorin privat) kredi në rajon, nga të cilat 160 milionë euro në Shqipëri dhe parashikon të rrisë edhe më shumë përpjekjet e saj për të ndërtuar “Një botë të përbashkët”, që është edhe moto e AFD.
Ekziston një nismë rajonale e njohur si “Procesi i Berlinit”. Ai nënkupton 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Çfarë mendoni ju mbi “Procesin e Berlinit”?
Kjo nismë ka në fokus unifikimin e vendeve të rajonit. Ata bashkojnë forcat për një përafrim me BE dhe për përmirësimin e jetës së përditshme për bashkëqytetarët e tyre. Grupi AFD privilegjon rrugën e partneritetit për të ndërhyrë në rajon. Megjithatë, pak nisma transnacionale shumëvjeçare sjellin së bashku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt, dy mbështetjet e para të ofruara nga AFD, në fillim të aktivitetit në 2018, synojnë të forcojnë integrimin rajonal nëpërmjet:
-Mbështetjes së WBIF (Western Balkans Investment Framework), një strukturë financiare europiane në përbërje të së cilës janë Komisioni Europian, vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe institucionet financiare bilaterale dhe multilaterale aktive në rajon për të mbështetur axhendën e konektivitetit. AFD është, në mënyrë të natyrshme anëtare me homologet e saj për të marrë pjesë në projektet për integrimin rajonal të vendeve të rajonit. Këto projekte synojnë të forcojnë infrastrukturën e transportit, të energjisë, infrastrukturën mjedisore, por edhe sociale, si brenda rajonit edhe me vendet e BE, në kuadër të perspektivës së integrimit të shpejtë ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu, ne mbështesim 3 projekte në Shqipëri nëpërmjet WBIF.
-Një mbështetje për organizatën rajonale RYCO (Régional Youth Cooperation Organization) me qendër në Tiranë, me objektivin për të favorizuar kooperimin midis sipërmarrësve të rinj në Ballkanin Perëndimor. Kjo nismë ka bërë të mundur të mbështeten disa dhjetëra ekipe në realizimin e projekteve solidare dhe novatore me një perspektivë rajonale.
Gjithashtu, ndërhyrja e AFD është një nga elementet esenciale të riinvestimit të Francës në rajon, dhe si institucion publik francez, Grupi AFD merr pjesë në këtë ridinamizim të marrëdhënieve Franko-Ballkanike. Si vendi i parë ku AFD filloi të punojë në 2018, Shqipëria përfiton një partneritet të privilegjuar me AFD, i cili koncentron edhe më shumë se 50% të angazhimeve financiare dhe jofinanciare të saj në këtë rajon. Hapja zyrtare e zyrës tani në tetor në Tiranë dhe përforcimi i ekipit lokalisht konfirmon edhe një herë këtë angazhim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.