Qyteti Kranj, në Slloveninë Veriore, ka një popullsi prej vetëm 38,000 banorësh, por është qyteti i tretë më i madh i vendit.
Kranj u shpall Pionier i Turizmit të Qëndrueshëm për vitin 2023, nga nisma e Destinacioneve të Ekselencës të Komisionit Europian, e cila promovon turizmin miqësor ndaj mjedisit në destinacione më të vogla.
Kranj u shpërblye për nismat për të ruajtur një ndjesi të freskët dhe rurale të zonës, ku ndodhen edhe malet Karavankas.
Në vitin 2016, Kranj ishte komuna e parë sllovene, që nisi përdorimin e biçikletave me qira.
Bizneset njihet për reduktimin e mbeturinave dhe përdorimin e zinxhirëve lokalë të furnizimit.
Hoteli Actum i qytetit është një nga 153 objektet sllovene, të cilëve u është dhënë certifikatë mikpritjeje e qëndrueshme Green Key (Green Key sustainable hospitality certificate).
Fëmijët nxiten të kontrollojnë emetimet e tyre të karbonit, si pjesë e një skeme për të ulur emetimet në shkolla, dhe makinat qeveritare të qytetit janë të parat në Slloveni tërësisht elektrike.
Së shpejti, Kranj synon të jetë zyrtarisht neutral ndaj ndryshimeve klimatike (climate neutral), pra të reduktojë sa më shumë emetimet e gazeve serrë, pasi i është bashkuar misionit të BE-së për 100
Qytetet Neutrale ndaj Klimës dhe Inteligjente (100 Climate Neutral and Smart Cities) deri në vitin 2030.
Por, Kranj ka më shumë sesa certifikata të përshtatura të qëndrueshmërisë.
Muzeu kushtuar shpikësit slloven Janez Puhar, i cili jetoi në Kranj dhe shpiku një proces për të bërë fotografi xhami në vitin 1842, ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit, e cila karakterizohet nga shtëpitë me çati portokalli të periudhës së Rilindjes.
Kabineti i shpikësit Puhar, përmban gjithashtu një koleksion me shishe ilaçesh, piktura dhe skica. Vendi krenohet me një foto autoportret në xham e shpikësit Puhar.
“Në internet thuhet se foto ‘selfie’ e parë, ishte nga një djalë amerikan në vitin 1839,” thotë vendasi Aljaž Primožič. “Por, kjo ishte selfie e parë sllovene.”
Jashtë, muret e rrugëve janë zbukuruar me vepra, që tregojnë mbeturina plastike, nga artisti dhe aktivisti i mjedisit The Miha Artnak.
Në vazhdim, mund të drejtoheni për te rrjeti i tuneleve të Kranj, i ndërtuar kryesisht si strehë për bombardimet, kur Sllovenia u pushtua nga Gjermania dhe aleatët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sot, interesi për të vizituar tunelet, përveç stalaktiteve dhe merimangave, është një salamandër e rrallë uji, me ngjyrë të bardhë, që banon në shpellë.
Gregor Aljančič drejton një laborator nëntokësor, që studion speciet, duke ndjekur punën e babait të tij Marko, i cili themeloi laboratorin në vitin 1960.
Ai thotë se gjatë dekadës së fundit, gjendja e vështirë e amfibit është lidhur me përpjekjet më të gjera për qëndrueshmërinë e Kranj, ku turnetë nëntokësore nxjerrin në pah ndikimet e ndotjes së ujit.
Sado interesantë që mund të jenë këta dragonj të vegjël të shpellave, janë rrethinat rurale të Kranjit, që ia vlejnë të vizitohen.
Qyteti është rreth 18 milje nga kryeqyteti Ljubljana dhe nga liqeni i njohur Bled. Ndërsa në fshatra gjenden shumë restorante miqësore me mjedisin.
Rrugët malore gjarpëruese të çojnë drejt Kishës së Shën Primusit dhe Felicianit në Jamnik. Në verë, kisha është shumë e vizituar.
Kranj tërheq rreth 60,000 turistë çdo vit. Qyteti ka prodhim të konsiderueshëm industrial, prandaj turizmi i qëndrueshëm është shumë i rëndësishëm për gjurmën mjedisore të qytetit.
Megjithatë, duke marrë frymë në ajrin e pastër në shtegun e lumit Kokra, që kalon nëpër qendrën e qytetit, është e qartë se certifikatat e Kranj janë tregues i ndryshimit pozitiv.
“Ne e dimë se ka ende shumë për të bërë,” thotë një zyrtar i turizmit, duke shtuar se sfida e radhës është bindja e restoranteve, për të instaluar karikues makinash elektrike. / The Guardian