ot, në Shqipëri, janë të zbatuar disa projekte sipas modeleve për zhvillimin e bizneseve në qendrat e qyteteve dhe ndikimi i tyre i menjëhershëm nuk është ndier vetëm te xhiroja ditore e bizneseve, rritja e numrit të vizitorëve, rritja e numrit të të punësuarve por edhe te rritja e vlerës së pronës dhe dëshirës së bizneseve për të investuar më shumë
Nga Nertila Maho
Dikur, nëse kaloje mes përmes Pazarit të Korçës, ajo që do të dëgjoje ishin thirrjet e çorganizuara të tregtarëve të rrobave të reja e të përdorura, enëve të kuzhinës e bizhuve nën disa kioska të rrëmujshme që kërkonin të tërhiqnin vëmendjen e blerësve. Ndërtimet në këtë zonë nuk kuptoheshin mirë nëse banoheshin apo ishin të braktisura sepse fasada e tyre nuk të përcillte asnjë lloj emocioni tjetër përveç trishtimit ku dukej se kishte vite pa u vënë dorë.
Sot Pazari i Korçës është kthyer në këndin ku çdo korçar kalon për të shpenzuar me qejf pak nga koha e tij, kurse për turistët vizita në këtë kënd është kthyet në domosdoshmëri. Korça nuk është e vetmja që në themelet e së kaluarës, duke ruajtur identitetin, ka ndërtuar një model suksesi duke i shtuar një aset ekonomiko-social vetes.
Një model të ngjashëm, të reflektuar me Pazarin e Ri e ka edhe kryeqyteti. Pak vite më parë, ecja në këtë zonë të bënte të nxitoje hapat deri në vrap për të mos ndier aromat e pakëndshme që vinin nga peshku apo mbeturinat, në një treg shumë larg standardeve tregtare. Sot është bërë e vështirë të gjesh një vend për t’u ulur në një nga lokalet e kësaj zone, në ato që quhen orë piku, pasi shifrat tregojnë se frekuentimi të paktën në pranverë-verë luhatet mes 9 deri në 13 mijë vizitorë në ditë. Shembujt e oazeve ekonomike, që rriten e gjallërohen, falë një modeli të ri zhvillimor vendor, në atë hapësirë që dikur ka përfaqësuar pikën më domethënëse të jetës ekonomike dhe sociale të qytetit po rriten dita-ditës dhe sfida e vërtetë e tyre është t’i qëndrojnë kohës.
Modeli BID (Bussines Improvement District-Zona për Zhvillimin e Biznesit) dhe TID (Tourism Improvement District-Zona për Zhvillimin e Turizmit) është relativisht i ri edhe në botë e jo më në Shqipëri, ku eksperimentimi ka nisur vitet e fundit.
Të dhënat historike tregojnë se modeli i parë i një zone për Zhvillimin e Biznesit u zbatua në Toronto në vitin 1970. Qysh nga ajo kohë e deri më sot, modeli është zgjeruar në një sërë vendesh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Gjermani, Mbretëria e Bashkuar. Në finale, qëllimi është gjithmonë i njëjtë, bashkimi i bizneseve lokale në një hapësirë të vetme, duke krijuar kështu një ofertë më atraktive për çlodhje, pazare, destinacion turistik, duke rritur konkurrueshmërinë e këtyre zonave. Avantazhi më i madh i zonave BID/TID është që janë krejtësisht lokale duke ndihmuar kështu në prioritarizimin e nismave që prekin drejtpërdrejt komunitetin. Bashkimi i shumicës në këtë rast bën fuqinë për të përballuar më mirë edhe shërbimet e tilla si pastrimi i zonës, marketimi i përbashkët.
Sot në Shqipëri janë të zbatuar disa projekte sipas modeleve BID dhe TID dhe ndikimi i tyre i menjëhershëm nuk është ndier vetëm tek xhiroja ditore e bizneseve, rritja e numrit të vizitorëve, rritja e numrit të të punësuarve, por edhe te rritja e vlerës së pronës dhe dëshirës së bizneseve për të investuar më shumë. Jo rastësisht, modelin amerikan të BID/TID në Shqipëri e ka sjellë Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili aktualisht është në fazë zgjerimi të shembujve duke piketuar “oazet” e radhës në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Modeli i BID Korçës, si u kthye zona pedonale në stacionin e parë të turistëve
Këtë qershor, në Korçë, filloi punën treni i parë panoramik. Është një plus më shumë në ofertën e përgjithshme turistike të Parisit të Vogël ku BID Korça është bashkinvestitor. Administratorja e Zonës së Zhvillimit të Biznesit, Zhaneta Zaimaj, tha për “Monitor” se projekti në Korçë ka sjellë një përmirësim të dukshëm infrastrukturor, shoqëruar me rritje të investimeve private dhe publike në zonë. “Ka pasur një rritje të vlerës së pronës në këtë zonë dhe përreth. Aktualisht nuk ka ambiente bosh në zonën BID, pra gjithë ambientet tregtare janë funksionale”, shprehet ajo. Më tej, na saktëson se ka një rritje edhe të orarit që bizneset qëndrojnë hapur.
Dikur, sipas saj, punohej deri në orën 14:00, ndërsa tashmë bizneset qëndrojnë hapur deri në orët e vona, baret pas mesnate dhe të tjerë më të pakët deri në orën 21:00. BID Korça menaxhon jo vetëm pjesën te Pedonalja e Korçës, por edhe pistën e patinazhit pranë pedonales dhe tashmë edhe trenin panoramik. Falë këtyre detajeve mund të bëhet një përcaktim më i saktë edhe për aspektin turistik. “Ka një rritje të dukshme të frekuentimit të zonës nga vendasit dhe turistët.
Përpara zbatimit të projektit BID në oraret pikut kalonin jo me shume se 20 persona në orë, në zonë, aktualisht në oraret pik, frekuentimi shkon deri në 1500 persona në orë. Aktualisht ka 79 biznese, të cilët janë kryesisht biznese shërbimi: bare, restorante, butikë, argjendari, banka, hotele, fast-food. Është aktualisht zona më e frekuentuar në qytet dhe stacioni i parë i turistëve”, shprehet Zaimaj.
Ajo nënvizon se menaxhimi nga ana e shoqatës bëhet falë tarifave që vetë bizneset paguajnë dhe që arkëtohen nga Bashkia dhe më pas i transferohen shoqatës për t’i menaxhuar. Në rastet e eventeve të veçanta, sërish bizneset kontribuojnë pranë Shoqatës ndërkohë që ekziston edhe një kuotë vullnetare në funksion të menaxhimit.
Pedonalja e Shkodrës, kombinimi i traditës me biznesin
Askush nuk e kupton sot vizitën në Shkodër pa një xhiro në Pedonalen e qytetit. Jo rastësisht kjo është pika më e frekuentuar nga vendasit dhe turistët. Julinda Bala, përfaqësuese e Shoqatës së Zonës së Zhvillimit të Biznesit (BID) në Shkodër shprehet se pas krijimit të kësaj zone, ndryshimet ishin të dukshme.
“Pas krijimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së zonës BID, apo e njohur ndryshe si zona pedonale, Rruga 13 Dhjetori – 28 Nëntori –Kolë Idromeno, ndryshimet ishin mëse të dukshme, duke filluar që në nxitjen dhe thithjen e investimeve private, publike, në rritjen e vlerës së pronës në shitje, si dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit nga bizneset ekzistuese. Kjo u shoqërua edhe me rritjen e numrit të të punësuarve, si dhe me zgjerimin e kalendarit për aktivitete argëtuese dhe kulturore në qytet”, – shprehet Bala. Vlera e pronës është rritur me të paktën 65% në këtë zonë, kurse numri i të punësuarve u rrit me të paktën 150. Në verë, për shkak edhe të fluksit, kjo shifër mund të shkojë 38% më shumë. Në total, në këtë zonë, ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik mbi 110 biznese me veprimtari të ndryshme si: bare, restorante, dyqane veshjesh, këpucësh, hotele, agjenci turistike.
Vit pas viti, këto biznese kanë rritur investimet në zonë, nxitur edhe nga fakti se xhiroja e tyre ka reflektuar përmirësim, pra kanë kuptuar se duke investuar më shumë, mund të ofrosh standard më të mirë dhe normalisht të tërheqësh më shumë konsumatorë drejt vetes. Investimet janë fokusuar kryesisht te përmirësimi i infrastrukturës si dhe arredimi i brendshëm apo i jashtëm i bizneseve.
“Në vitin 2013, investimi në këtë zonë ishte 727 mijë dollarë kurse në vitin 2014, 96 mijë dollarë. Në vitin 2015, kjo shifër shkoi në 103 mijë dollarë dhe ka vazhduar rritjen graduale me 150 mijë në vitin 2016 dhe 404 mijë dollarë vitin e kaluar”, – nënvizon përfaqësuesja e BID Shkodër. Pedonalja e Shkodrës është kthyer në një epiqendër për njësitë tregtare më në zë të qytetit, por edhe si hapësira më interesante për aktivitetet ditore argëtuese.
Në vitin 2013, aktivitetet e organizuara kufizoheshin në 15 ditë në total, ndërsa në vitin 2017, 82 ditë aktivitete. Pjesa më interesante që duket se grish kureshtjen e turistëve është Fototeka Marubi, e cila mban peshën kryesore të vizitorëve. Vlera e saj e investimit përllogaritet në 1.6 milionë dollarë. Mesatarja e përgjithshme e vizitorëve në zonën BID në Shkodër kufizohet në 6 mijë persona në ditë.
Menaxhimi i zonës bëhet nga shoqata, ku përqindja më e lartë e të ardhurave sipas përfaqësueses Juliana Bala, sigurohet në sajë të marrëveshjeve të përvitshme të Bashkisë së Shkodrës me BID Shkodrën për transferimin e tre tarifave vendore, si pastrim, ndriçim, gjelbërim. “Transferta përdoret për të realizuar shpenzimet apo buxhetin e miratuar nga bordi drejtues të BID Shkodrës për shpenzime administrative, aktivitete festive, si festa e luleve, festa e fundvitit Shënd e Verë Dritash, koncerteve verore, apo edhe të dekorit festiv”, shprehet Bala.
BID Berati pret 100 mijë turistë deri në fund të vitit, epiqendër festive
“Qyteti i një mbi një dritareve” ka tërhequr gjithmonë vëmendjen si një destinacion turistik, për më tepër që që nga viti 2008 është pjesë e listës së UNESCO-s. Por ndërsa pjesa e lagjeve muzeore ka qenë më herët atraksioni i vetëm i qytetit, integrimi i zonës BID brenda tij vetëm sa ka plotësuar panoramën. Kjo zonë përfshin Pedonalen dhe sheshin “Teodor Muzaka”. Përpara investimit, këto zona shërbenin për parkim, kurse bizneset, kryesisht bar-kafe, frekuentoheshin vetëm nga meshkujt, ndërkohë që për familjarët kjo pjesë nuk ishte alternativë. “Që pas investimit të bërë nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim zona mori një pamje krejt tjetër. Bizneseve përpos faktit që i ka ndryshuar klientela dhe i është rritur xhiroja ditore, u është 5-fishuar vlera e pronës.
Nëse më parë, turistët e vizitonin Beratin vetëm për hir të lagjeve muzeore, tanimë zona BID është kthyer në një pikë atraksioni në vetvete. Nga statistikat vitin e kaluar kemi një numër prej 74 mijë turistësh që kanë vizituar këtë zonë. Vetëm gjatë muajve janar-maj 2018, ky numër ka arritur në shifrat 27 468, por ne parashikojmë që ky numër, deri në fund të vitit, të arrijë në 100 mijë”, shprehet Kibela Nasufi, konsulente e BID Berat. Në total, në këtë zonë operojnë 78 biznese dhe tipologjia e aktivitetit të tyre është e larmishme, duke nisur nga bar-kafetë tek agjencitë e udhëtimit, bankat, dyqanet e veshjeve, hotelet, studio fotografike.
Praktikisht është zona më vitale e qytetit. Rritja e frekuentimit dhe investimeve në këtë zonë e kanë kthyer atë në një pikë të preferuar edhe për ditës festive. Sipas Nasufit, në këtë zonë çdo vit zhvillohen mbi 40 aktivitete kulturore dhe artistike, ndërkohë që vetëm gjatë periudhës janar-maj 2018 janë zhvilluar 12 aktivitete. Pothuajse gjithçka në këtë zonë kalon në vendimmarrjen e shoqatës, e cila ofron konsulencën e saj në një seri aspektesh. “Shoqata BID Berati, falë mbështetjes së AADF-së ofron shërbime për bizneset si: konsulencë arkitektonike, konsulencë profesionale si dhe grante për çdo biznes që investon në rregullimin e ambienteve të tij.
Falë skemës së granteve, shumë prej bizneseve ndihen të motivuar për të investuar dhe për të përmirësuar ambientet e jashtme dhe të brendshme. Kjo mund të vihet re që nga unifikimi i fasadave të jashtme e deri te përmirësimi dhe kurimi i ambienteve të brendshme. Në total, janë 14 biznese që kanë përfituar nga skema e granteve, ndërkohë që janë në procedura aplikimi edhe 6 biznese të tjera. Pritet që ky numër, në fund të vitit, të rritet”, – shprehet Kibela Nasufi, konsulente e BID Berat.
Zona TID në Tiranë, 43% e bizneseve raportojnë rritje të shitjeve
Tirana është identifikuar gjithmonë me disa “ishuj” ku frekuentimi është mesatarisht më i lartë sesa në pjesën tjetër. Më domethënësit, ndoshta ish-Blloku dhe sheshi “Skënderbej”, të dy për arsye të ndryshme. Por listës së këtyre pikave ju shtua një vit më parë ajo që njihet si zona TID Tirana, e mishëruar në projektin e Pazarit të Ri.
Bashkimi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me një kontribut 2.7 milionë dollarë, Bashkia e Tiranës, me 2.7 milionë dollarë, dhe qeveria shqiptare përmes Fondit të Zhvillimit me 1.9 milionë dollarë bëri që zona të ndryshonte krejtësisht pamje dhe menaxhim. Kësaj nisme i janë bashkuar bizneset e zonës, të cilat kanë investuar rreth 7.7 milionë dollarë në zonën e Pazarit të Ri, shifër që ka shkuar për biznese të reja apo investimin në ato ekzistuese. Por si është reflektuar ky investim në treguesit e tjerë që lidhen me bizneset? Administratori i TID Tirana, Gentian Lula, tha për “Monitor” se krahasimi bëhet përmes anketimeve para periudhës së investimit dhe atyre pas periudhës së investimit.
“Për sa u përket shitjeve krahasuar me periudhën korrik 2016 nga rezultatet e pyetësorit të realizuar pas fillimit të punimeve në Zonën e Pazarit të Ri, në 6 muajt e fundit, 6.4% e bizneseve thanë se kanë pasur rritje të shitjeve, 34.5% e bizneseve kanë qenë njësoj me shitjet dhe 59.1% kanë pasur rënie të shitjeve.
Sipas rezultateve të pyetësorit të realizuar në muajin shkurt 2018 në zonën e Pazarit të Ri, 43% e bizneseve pohuan se kanë pasur shitje më të larta dhe nga këto biznese, 31% kanë pasur shitje mbi 50% më të larta. Gjithashtu 41% i kanë pasur shitjet njësoj dhe 16% kanë pasur shitje më të ulëta”, – shprehet Lula. Ai nënvizon se ka ndryshuar edhe treguesi që lidhet me punësimin ku në korrik 2016, 40% e bizneseve të intervistuara kanë pasur 1 punonjës, 24% kanë pasur 2 punonjës dhe 28% kanë pasur 3-4 punonjës. Në periudhën aktuale, mesatarja e punonjësve është 5 punonjës për biznes.
Rritet frekuentimi, rekordi 15 mijë vizitorë në ditë
Administratori i TID Tirana tregon se është rritur dukshëm numri i vizitorëve në zonën e Pazarit të Ri, e cila kufizohet nga oraret, por edhe nga stinët. “Për sa i përket frekuentimit dhe vizitorëve në Pazar, gjatë ditëve të javës, sipas vëzhgimeve në zonë për periudhën korrik 2016 ka pasur rreth 4,100 vizitorë në ditë, ndërsa në fundjavë, në verë, pritet një rënie me 20% për shkak të lëvizjes dhe jashtë qytetit.
Në periudhën aktuale, kryesisht gjatë periudhës së vjeshtë/dimër, vihet re që numri i njerëzve që vizitojnë pazarin janë 5000-7000 njerëz çdo ditë, ndërsa pranverë/verë rreth 9 000 – 13 000 njerëz çdo ditë. Nga të dhënat për bizneset e intervistuara në shkurt 2018, 52% bizneseve pohojnë se ka pasur shumë më tepër vizitorë dhe 23% e tyre pohojnë se ka pasur pak më tepër vizitorë. Janë realizuar më shumë se 40 aktivitete pas përfundimit të punimeve në Zonën TID dhe vizitorët që kanë frekuentuar Pazarin, kanë qenë mesatarisht 13 000 -15 000 njerëz”, – shprehet Lula.
Investimi në zonën e Pazarit të Ri duket se ka dhënë efektet e tij edhe në rritjen e vlerës së pronës, e cila sipas referimeve të Bashkisë së Tiranës është 30-40% në rritje. “Pra nga vlera 700 deri në 850 euro m², tani vlera e pasurive apo objekteve të banimit shkon më shumë se 1300 euro m². Kemi një rivlerësim pothuajse dyfish të vlerës së pronës dhe pasurisë së patundshme”, – shpjegon administratori i TID Tirana.
Në total, në këtë hapësirë veprojnë rreth 374 biznese, nga të cilat 168 janë tezga.
Tipologjia e bizneseve është e shumëllojshme. Sipas shifrave zyrtare, krahasuar me periudhën korrik 2016, 54.2% e këtyre bizneseve janë shitës ushqimorë (bulmet, fruta perime, peshk etj.), 16.5% e tyre janë biznese të tjerë joushqimorë dhe 17.5% e bizneseve janë kryesisht restorante, kafe apo takeaëay (merr me vete). Aktualisht, në këtë periudhë, brenda Pazarit 66% e bizneseve që operojnë janë tezga. Pjesa tjetër përbëhet nga tregtia e mish-peshkut, bar-kafe dhe restorante, ushqimore, bulmet. Ndërsa jashtë Pazarit, 16% janë bar-kafe, 9% shitje mobiliesh, 8% tregti biçikletash. Brenda Pazarit operojnë 68% e bizneseve dhe jashtë Pazarit, 32%.
Menaxhimi nga shoqata, sa paguajnë bizneset për shërbimet
Koncepti i menaxhimit të zonave BID dhe TID është operimi përmes një shoqate, e cila përbëhet nga bizneset anëtare të zonës. Kjo e fundit ofron një sërë shërbimesh, të cilat mundësohen përmes pagesave vullnetare që paguhen në bazë vjetore nga bizneset e zonës TID. “Shuma e përcaktuar dhe miratuar nga Bordi TID është dhe në varësi të llojit të biznesit, madhësisë dhe përfitimit që ka biznesi në Pazar.
Të ardhurat e mbledhura, përmes tarifës vullnetare, shkojnë për sigurimin e shërbimeve në Zonën TID dhe të realizimit të qëllimit për të cilën është krijuar TID Tirana. Tarifa është një shumë simbolike, me qëllim që biznesi të përfitojë nga shërbimet që ofrohen në zonë dhe për rritjen e ndikimit pozitiv në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për shembull për dyqane mish-peshku, tarifa vjetore është 15 000 lekë, bar-kafe 40 000 lekë, fruta-perime 20 000 lekë, restorante 50 000 lekë, prodhime brumi 20 000 lekë, tezgat 5 000 lekë”, na shpjegon Lula. TID Kruja është gjithashtu një rast i konsulencës dhe orientimit të ri që i është dhënë.
BID/TID si një koncept ligjor
Shqipëria ka sot disa modele të Zonave për Zhvillimin e Biznesit/Turizmit që funksionojnë në kudrin ligjor ekzistues të OJF-ve dhe pushtetit vendor, mbi bazën e marrëveshjeve përkatëse ndërmjet AADFsë, bashkive dhe shoqatave BID/TID, të aprovuara në këshillat bashkiake respektive. Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim që prej vitit 2016 ka angazhuar ekspertë lokal dhe ndërkombëtar për hartimin e konceptit BID në një ligj të dedikuar, i cili mbetet akoma një draft.
“Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për zhvillim (AADF) po mbështet gjithashtu një iniciativë ligjore që pritet të konsolidojë eksperiencën e deritanishme pozitive të BID’eve/TID’eve Shqiptare. Bëhet fjalë për draft-ligjin BID, i cili pritet të rrisë numrin dhe efektshmërinë e impaktit të organizatave BID në Shqipëri” shprehen përfaqësues të këtij Fondacioni.
Ky organizëm e cilëson eksperiencën e deritanishme në praktikat BID dhe TID në Shqipëri si të suksesshme dhe për të matur këtë ka një seri indikatorësh.
“Janë mbi 800 bizneset e prekura që përfitojnë nga ndërhyrjet pranë zonave të tyre. Numri mund të jete edhe më i madh nëse përfshihen edhe biznese të vendosura jo direkt në zonë, por në distanca të aferta. Mesatarisht vihet re një rritje prej mbi 70% e vizitorëve në të gjitha zonat me mbi 60% rritje të të ardhurave për bizneset. Për vlerën e pronës ka një mesatare prej 50 për qind rritje. Është vërejtur se për çdo 1 dollar të angazhuar nga AADF, bizneset e zonës i janë bashkuar iniciativës duke përmirësuar bizneset e tyre me 2 dollarë” vlerëson Fondacioni. Ky i fundit vlerëson se objektivat e BID/TID janë të qarta dhe lidhen me disa aspekte nga përmirësimi i shërbimeve publike tek menaxhimi sipas planeve të unifikuar, përmirësimet infrastrukturore apo marketimi i përbashkët. Të gjitha këto Fondacioni i ka zbatuar në projekte konkrete. Për shembull menaxhimi i Pazarit të Ri bëhet sipas një modeli të zbatuar në Londër Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim kontraktoi një nga kompanitë britanike më me eksperiencë në menaxhimin e zonave BID dhe TID, The Means, e cila menaxhon Borough Market, një nga vendet më të vizituar të Londrës, me mbi 12 milion vizitor në vit. Mungesa e eksperiencës në këtë model të ri zhvillimi të biznesit lokal por edhe rritjes së qëndrueshmërisë sigurisht që përbën sfidë për aktorët pjesëmarrës dhe konsulenca është një ndër pikat më të nevojshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.