Indeksi i pagës mesatare në ekonomi regjistroi rritje në gjashtëmujorin e parë të vitit, pas tkurrjes së regjistruar gjatë vitit 2012, sipas raportit të politikës monetare të tremujorit të tretë të Bankës së Shqipërisë. Rritja e këtij treguesi ishte kryesisht e përqendruar në tremujorin e parë (5.9%), ndërsa në tremujorin e dytë rritja ishte vetëm 0.3%. I korrigjuar për inflacionin, indeksi i pagës mesatare në ekonomi regjistroi rënie reale prej 1.9% në tremujorin e dytë. Rënia e pagës reale reflektoi kryesisht tkurrjen e pagës në sektorin e shërbimeve dhe në degën e ndërtimit. Nga ana tjetër, paga reale në degën e industrisë vijoi rritjen për të pestin tremujor radhazi. Në sektorin shtetëror, paga reale u rrit me 3.6%.
Të dhënat më të fundit nga vrojtimet e besimit flasin për rënie të nivelit të pagave në sektorët prodhues në tremujorin e tretë. Pritjet janë pak më optimiste për sektorin e shërbimeve.
Në tremujorin e dytë të vitit, produktiviteti i punës në aktivitetin ekonomik jobujqësor rezultoi me rënie vjetore (-5.3%), për të gjashtin tremujor radhazi. Ngadalësimi i shpejtë i ritmeve rritëse të vlerës së shtuar, kundrejt ritmeve më të larta të punësimit, thelloi tendencën rënëse të këtij treguesi në sektorët jobujqësorë të ekonomisë. Në të njëjtin tremujor, rënia e produktivitetit të punës
u shoqërua me rënie të pagës mesatare në terma realë vjetorë (-1.9%). Ky zhvillim ndikoi në frenimin e rritjes vjetore të treguesit të kostos për njësi të prodhuar, i vlerësuar në rreth 3.5%.
Ecuria e kostove të punës për njësi në aktivitetin e bizneseve jobujqësore nuk ka ushtruar presione të shtuara inflacioniste gjatë tremujorëve të fundit. Por, thellimi i tendencës rënëse të treguesit të produktivitetit të punës tregon se bizneset e aktivitetit jobujqësor janë pak të orientuara për të rritur eficiencën e përdorimit të burimeve njerëzore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.