Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Komunën e Leposaviqit ka gjetur se janë paguar rreth gjysmë milioni euro për kontratën “Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe në fshatrat e Leposaviqit”. Por nga vizita e auditorëve në terren është vërejtur se furnizimi me pajisje për filtrim të ujit dhe montimi i tyre në pishinë nuk ishte kryer fare, ndërkohë që organi mbikëqyrës kishte raportuar se të gjitha punët janë kryer për këtë projekt, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Shkelje të mëdha ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Komunën e Leposaviqit.
Në këtë Komunë ZKA-ja ka hasur në shumë pagesa për obligimet kontraktuale të papërmbushura.
Për kontratën “Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe në fshatrat e Leposaviqit”, sipas ZKA-së nga Thesari është bërë pagesë direkte në vlerë totale prej 495,785 eurosh, shkruan më tutje “Zëri”.
Në bazë të një letërkëmbimi nga Thesari, Komuna kishte konfirmuar se nuk i kishte shlyer detyrimet e veta ndaj kontraktuesit, pasi që nuk kishte siguruar fonde të mjaftueshme.
Më tutje, për disa projekte Komuna kishte nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Ministrinë e Kthimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për financimin e projekteve.
Me këto memorandume përcaktohej se projektet do të financoheshin nga këto ministri përkatëse dhe se ministritë do të përcaktonin një përfaqësues për mbikëqyrjen e projekteve.
Për të gjitha këto projekte organi mbikëqyrës ishte përfaqësuar vetëm nga ana e Komunës (ministritë nuk kanë emëruar përfaqësuesin e vet)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.