Lehtësitë e parashtruara javës së kaluar për bujqësinë janë një tërheqje mbrapsht nga vendimet që qeveria ka ndërmarrë më parë. Tregtarët dhe ekspertët e fushës e shohin një mundësi për t’u vetëkorrigjuar pa paguar për gabimet
Sa herë ka një lajm të mirë për bujqësinë, fermerë e tregtarë shpresojnë te rritja e mundësive. Këtë presin edhe nga paketa e prezantuar javës së kaluar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Transaksionet cash deri në një shumë të caktuar dhe lehtësitë në dogana vlerësohen prej tyre. Por, edhe pse të zënë me punët e bujqësisë, ata kanë arritur ta marrin mesazhin e ministrit e madje të bëjnë dhe një vlerësim të asaj çfarë po ndodh. Pyetjes së “Monitor” mbi vlerësimet e tyre për këtë paketë i japin të njëjtën përgjigje si tregtarët e mëdhenj, edhe specialistë të fushës. Ata thonë se me ndryshimet e fundit, qeveria u vetëkorrigjua në masat që pati shtrënguar më parë, pasi e pa që ato nuk funksionuan. I tillë ishte lejimi i transaksioneve cash deri në 30 mijë lekë në ditë.
“Problemi është që vetë i bëjnë ligjet e pazbatueshme, i shtrëngojnë e pastaj i lirojnë”, thotë Ruzhdi Koni, një prej tregtarëve më të mëdhenj të fruta-perimeve në vend. Sipas Konit, përvoja ka treguar se transaksionet duhet të jenë sa më të thjeshta, shitblerjet në fermë e në fshat bëhen cash, pasi vetë natyra e punës është e tillë. Pretendimi se fermerët duhet të marrin paratë përmes bankës në fshatrat tona duket ende një utopi, pasi infrastruktura financiare mbetet ende larg fshatit. Edhe përzgjedhja e postës për shitblerjet me vlerë 30 mijë deri në 150 mijë lekë duket një ide e gabuar nga tregtarët. Ata thonë se dhe në këtë rast, tregtimi nuk do të funksionojë siç parashikon Ministria e Financave. Dhe për të shmangur pagesat përmes postës, ata do të shohin mundësinë të copëzojnë shitjet në vlera nën 30 mijë lekë. Për kë do të funksionojë më mirë skema?! Tregtarët e qumështit, baxhot duken se do të jenë ata që do të mund të mbyllin llogaritë ditore me shitjen përmes pagesës ‘cash’. Ndërsa, tregtarët e fruta-perimeve mund ta shfrytëzojnë pjesërisht këtë skemë. Mjetet e transportit kërkojnë ngarkesa me vlera më të mëdha, çka do të detyronte pagesat përmes postës apo bankës, thonë përfaqësuesit e Shoqatave të Fermerëve.
Dyshimet e tyre janë se shitblerjet do të copëzohen në mënyrë artificiale vetëm për të shmangur pagesat e më vona, apo edhe të pasigurta (në rast mungese serioziteti të blerësit). Kjo do t’i shtonte një copëzim të mëtejshëm sektorit që ende po vuan copëzimin e ngastrave.
Disa ekspertë të fushës, jashtë Ministrisë së Bujqësisë, theksojnë se problemi nuk qëndron te pagesa cash në kohën e blerjes së prodhimeve bujqësore. “Mjafton të disiplinosh faturat” thonë ata, duke kujtuar se çelësi i formalizimit nuk është transferta e parave. Dhe në lëvizjet e njerëzve jashtë kufijve parashikohet një qarkullim me para kesh. Ajo çka është e rëndësishme, për ta është një gjurmim i faturave, çka është në fakt edhe objektivi kryesor i Ministrisë së Financave. Në vendimin e qeverisë, parashikohet modelimi i faturës elektronike, i cili edhe pse nuk do të jetë burim takse për fermerin (të paktën fillimisht) fut tregtinë e agroushqimore në linjën e duhur. Por edhe ekspertët në fushën e bujqësisë janë të bindur se, “me këtë paketë, shteti po disiplinon veten. Vendimi i mëparshëm për transaksione bankare nga fermerët ishte i nxituar”, thonë ata. Në fshat ende nuk është infrastruktura e duhur për të kryer shitblerjet përmes bankave.
Edhe rimbursimi brenda 30 ditëve është një rregull që shteti thjesht po synon ta zbatojë, sipas tyre pasi për eksportuesit në tërësi është parashikuar rimbursim brenda 30 ditëve i TVSH-së.
Linjat jeshile të tregtisë
Pas lajmeve të shpeshta për bllokimin e qëndrimin e kamionëve në dogana për disa ditë, vendimi i qeverisë për të krijuar një linjë jeshile për prodhimet bujqësore është mirëpritur. Por kujdes. Që linja jeshile të funksionojë duhet që edhe dogana e vendit pritës të ketë një të tillë. Për më tepër, vetë tregtarët kujtojnë se shumë probleme në dogana kanë ardhur nga pengesat e nxjerra nga fqinjët, mbi dokumentet shoqërues, apo rezultatet e analizave.
Ekonomistët thonë se, për linjat jeshile të tregtisë ndërkombëtare, duhen udhëzime të qarta e mbi të gjitha të ketë linjën jeshile edhe vendi fqinj. Përndryshe është e pavlefshme. “Duhet një bashkëpunim ekonomik mes vendeve, e jo vetëm politik”, thonë ata.
Ku konsiston paketa
Javës së kaluar Ministria e Financave prezantoi paketën lehtësuese për bujqësinë. Ajo është një plotësim dhe korrigjim i lehtësive të parashikuara që në vitin 2014. Skema e kompensimit të fermerëve, e cila nga 6% që ishte më parë, u bë 20% në vitin 2014, duke mundësuar një stimul të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë në funksion të zgjerimit të veprimtarisë së tyre prodhuese bujqësore dhe blegtorale. “Kjo skemë është konceptuar e tillë që të mos ngarkojë fermerët me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe përdorimit të kasës fiskale, etj. Pra, fermeri ka vetëm detyrimin të pajiset me NIPT dhe të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim”, u shpreh ministri. Ndryshimet në Udhëzimi për kompensimin e fermerëve përfshijnë së pari: lejimin e kryerjes së shitjeve me para në dorë, deri në vlerën 30 mijë lekë të reja, që një fermer kryen për blerës të ndryshëm, shoqëri të agrobiznesit ose të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, ose për eksportuesit e këtyre produkteve, apo çdo subjekti tjetër që blen produktet e fermerëve që janë të pajisur me NIPT. Me hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi, detyrohen të kryhen nëpërmjet bankës vetëm shitjet mbi 150 mijë lekë. Pagesat për shitjet mbi 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë kryhen nëpërmjet filialeve të Postës Shqiptare.
Në rritjen e shërbimeve, Ministria e Financave ka kërkuar nga Posta Shqiptare që të intensifikojë shërbimet e saj për kryerjen e pagesave për fermerët dhe mundësinë e shtrirjes së shërbimit pranë zonave rurale ose aty ku zhvillojnë veprimtarinë blerësit e produkteve të fermerëve.
Pjesë e paketës është rimbursimi automatik i TVSH-së. Eksportuesit e prodhimeve bujqësore klasifikohen si subjekte me risk zero dhe si të tillë, përfitojnë rimbursim automatikisht brenda 30 ditëve të TVSH-së. Shuma e paguar e fermerit prej 20% për normën e kompensimit për blerjen e produkteve të tij, por edhe çdo TVSH e paguar për shpenzimet e përgjithshme që një eksportues kryen në kuadër të veprimtarisë së tij, i rimbursohet brenda 30 ditëve.
Faturat kompjuterike janë shërbimi tjetër i parashikuar në paketë. Për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive që blejnë produktet e fermerit, nga ajo e përdorimit të blloqeve të faturave tatimore dhe plotësimit të tyre me shkrim për çdo faturë, për këtë kategori shoqërish është parashikuar një procedurë e veçantë, ajo e miratimit të përdorimit të faturës kompjuterike. Subjektet kanë mundësi të zgjedhin të thjeshtojnë procedurën e faturimit: nga ajo e tërheqjes së blloqeve të faturave pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, plotësimit të tyre për çdo rast me shkrim; regjistrimit të këtyre faturave të plotësuara më pas në librat e shitjes dhe blerjes; Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, çdo biznes që blen produktet e fermerëve ka mundësi të përdorë faturën kompjuterike. Për këtë mjafton të: vetëmodelojnë një faturë tatimore kompjuterike me të dhënat e kërkuara, ta paraqesë atë në Drejtorinë Rajonale Tatimore, e cila e pajis me numër serial. Ministri Arben Ahmetaj sqaroi se janë marrë masa që në pikat doganore të ofrohet dhe të mos mungojë shërbimi doganor për eksportin e prodhimit bujqësor. “Për eksportuesit e produkteve bujqësore, është përgatitur urdhri nr. 8874, datë 04.04.2016 për të gjithë degët doganore, si dhe janë njoftuar të gjitha agjencitë doganore, për të ofruar shërbim 24 orë në dispozicion të eksportuesve të produkteve bujqësore, si dhe e bën të paefektshëm marrjen e autorizimit të zhdoganimit lokal apo kryerjes së procedurave doganore pranë ambienteve për këto subjekte”, vëren Ahmetaj. Këtu përfshihet edhe përjashtimi i skanimit për produktet bujqësore ose minimizimi në raste të veçantë, apo siç quhet ndryshe kanali jeshil për këto produkte. Nga të dhënat e eksportit për periudhën 2015-2016, rezulton që në tre kapituj të vendosur në kanal jeshil, eksportohen 90% e deklaratave në këtë procedurë.
Mbjelljet në rritje
Edhe për shkak të efekteve të krizës, fermerët i kanë drejtuar sytë nga bujqësia më shumë se më parë. Tregtarët që merren me furnizimet bujqësore pohojnë se vitet e fundit, sipërfaqja me sera sa vjen e shtohet krahas investimeve në teknologji dhe trajtimit serioz të perimeve me ushqyes. Familjet fermere që e kanë marrë seriozisht bujqësinë kërkojnë që edhe qeveria ta marrë në këtë formë.
Kjo është e rëndësishme veçanërisht kur vëren se treguesit e fundit mbi bujqësinë nuk flasin për një mbarëvajtje të mirë.
Krahas uljes së sektorit bujqësor, edhe punësimi është tkurrur. Në tremujorin e katërt, forca e punës në bujqësi ra me -3.1%, ndikuar nga emigracioni masiv i vitit të kaluar. Edhe pse disa qeverisje rresht nuk po arrijnë t’i japin bujqësisë vëmendjen e merituar, bujqësia vazhdon të mos e “braktisë” qeverinë me kontributin e saj. Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit. Një arsye është se ne s’kemi nga t’i ikim bujqësisë, e nuk kemi zhvilluar industri të tjera. Por, ka edhe disa faktorë që nuk e justifikojnë rëndësinë e saj. Vendi vijon të jetë një importues neto i prodhimeve bujqësore. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE-së, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton. Kjo ecuri tregon se vendi ndodhet në inercinë e trashëgimisë së para viteve ‘90, pa mundur të modernizojë dhe të përshtasë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut. Përkundrazi, masat e marra në vitet 1991 me “masakrën” në copëzimin e tokës për frymë, financimet me pikatore dhe politikat fragmentare të zhvillimit e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave. Pas shkëlqimit në dukje të rritjes së eksporteve me 25% më 2015-n, totali i prodhimit bujqësor ka pësuar rënie me 0.93% më 2015-s, sipas të dhënave të INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.