Turistët në Romë, që vizitojnë Panteonin, do të paguajnë një biletë hyrje 5 Euro, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Ministria Italiane e Kulturës dhe zyrtarët e kishës.
I ndërtuar në shekullin I para Krishtit, tempulli mbresëlënës është një nga vendet kulturore më të famshme të Italisë dhe tërheq miliona vizitorë çdo vit.
Ai u shndërrua në një kishë katolike në vitin 609 pas Krishtit, u riemërua si Bazilika e Shën Marisë dhe Martirëve (Santa Maria della Rotonda ose Santa Maria ad Martyres), ku mesha kremtohet rregullisht.
Të ardhurat nga tarifa e re e hyrjes do të ndahen. Ministria e Kulturës do të marrë 70% për të ndihmuar në mbulimin e kostove të mirëmbajtjes dhe pastrimit, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë në dioqezën e Romës.
Pse do të paguhet tarifë hyrje?
Ministri i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, tha se masa ishte një çështje e mirëmenduar. Vendimi për zbatimin e tarifës së hyrjes, vjen pesë vite pasi qeveria e mëparshme hoqi dorë nga planet për të filluar tarifimin e vizitorëve me 2 Euro.
Sipas planit të ri, vizitorët nën 25 vjeç do të kenë një tarifë të reduktuar prej 2 eurosh.
Hyrja do të jetë e lirë për banorët e Romës, të miturit, pjesëmarrësit në meshë dhe personelin e bazilikës.
Nuk është dhënë asnjë datë për vendosjen e tarifës, pasi zyrtarët po përpunojnë detajet teknike. Aktualisht, hyrja është falas, por gjatë fundjës dhe festave publike, është e nevojshme të rezervohet.
Cilat atraksione turistike në Romë janë ende falas?
Nëse po planifikoni një udhëtim në Romë, ka ende shumë për të bërë falas.
Qyteti është i mbushur me rrugë të bukura për të eksploruar dhe natyrë, si shatërvani i Trevit dhe shkallët e sheshit të Spanjës (Piazza di Spagna).
Për sa u përket kishave, gjëja e mrekullueshme e Romës është se ka kisha pothuajse në çdo rrugë, të cilat mund të vizitohen falas.
Edhe ndërtesa më e thjeshtë nga jashtë, mund t’ju lërë pa fjalë nga veprat e pabesueshme të artit që ka brenda.
Disa pika të veçanta përfshijnë Basilica di Santa Prassede, Santa Maria Maggiore dhe Basilica di Santa Maria del Popolo.
Ekziston gjithashtu, Bazilika e Shën Pjetrit, e Vatikanit, e cila krenohet me kupolën më të lartë në botë, me lartësi 136.5 metra.
Nëse planifikoni ta vizitoni, sigurohuni që të rezervoni paraprakisht, për të shmangur radhët deri në katër orë!
Nëse dëshironi të shihni pak histori romake, mund të shkoni në Via dei Fori Imperiali.
Përndryshe, planifikoni udhëtimin tuaj me kujdes, pasi hyrja në Forumin Romak (Foro Romano), Koloseun dhe kodrën Palatine, është zakonisht falas të dielën e parë të çdo muaji.
Për më tepër, çdo vit më 21 prill, në festimin e ditëlindjes së Romës, hyrja në shumë muze dhe monumente është pa pagesë gjatë ditës. / Euronews Travel