Pas rënies përtej parashikimeve, BSH skanon rreziqet që i kanosen ekonomisë, edhe kursi një prej tyre

15/08/2019 11:05 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë, në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë ka analizuar ecurinë e ekonomisë, arsyet e ngadalësimit të saj, pritshmëritë për të ardhmen dhe rreziqet me të cilat mund të përballet. Banka e Shqipërisë ka pranuar që dhe forcim i mëtejshëm i kursit të këmbimit, do të kishin efekt negativ në rritjen ekonomike dhe në inflacion.

Sipas analizës së Bankës, ndonëse pozitiv, ritmi i rritjes ekonomike shënoi ngadalësim në gjysmën e parë të vitit, ndërsa inflacioni erdhi në rënie. Të dy këta tregues kanë rezultuar në kahun e poshtëm të pritjeve të Bankës. Paralelisht me to, ambienti i jashtëm është përkeqësuar dhe tensioni i brendshëm politik nuk inkurajon rritjen e konsumit dhe të investimeve private. Nga ana tjetër, ambienti financiar ka vijuar të karakterizohet nga likuiditet i bollshëm dhe norma interesi të ulëta, duke u pasqyruar në një aktivitet kreditues në rritje. Po ashtu, mbiçmimi vjetor i kursit të këmbimit ka ardhur në reduktim në tremujorin e dytë.

Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe rënia e inflacionit janë shkaktuar, në masën më të madhe, nga faktorë të përkohshëm të ofertës. Si të tillë, efekti i tyre pritet të jetë i pranishëm dhe në tremujorët në vazhdim, duke gjeneruar projeksione për një rritje ekonomike dhe inflacion më të ulët gjatë vitit 2019, por duke mos ndikuar trendet e zhvillimit të pritur të vendit në afatin e mesëm.

Rritja ekonomike parashikohet të vijë në përmirësim në vitet 2020-2021, duke sjellë rritjen e mëtejshme të punësimit, të pagave dhe të presioneve të brendshme inflacioniste. Paralelisht me të, stabilizimi i pritur i kursit të këmbimit dhe afrimi i tij me vlerat e diktuara nga fondamentet, do të ndihmojnë në kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2021. Në përputhje me këto parashikime, qëndrimi aktual i politikës monetare vlerësohet të jetë i përshtatshëm. Politika monetare pritet të mbetet në kahun stimulues edhe në horizontin afatmesëm.

Megjithëse skenari bazë mbetet pozitiv, rreziqet e kahut të poshtëm janë shtuar dhe dominojnë horizontin afatshkurtër e afatmesëm të parashikimit. Në veçanti, përkeqësimi i mëtejshëm i ambientit të huaj, tensionimi i mëtejshëm i situatës së brendshme politike, apo një forcim i mëtejshëm i kursit të këmbimit, do të kishin efekt negativ në rritjen ekonomike dhe në inflacion. Materializimi i këtyre rreziqeve mund të bëjë të nevojshëm një reagim në kahun lehtësues të politikës monetare.

 

Ngadalësimi i ekonomisë

Aktiviteti i brendshëm ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e parë të vitit 2019, por me një ritëm më të ulët rritjeje se një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 2.2% në tremujorin e parë, duke shënuar ngadalësim kundrejt normës 3.3% të rritjes të regjistruar në tremujorin paraardhës. Reduktimi i ritmit të rritjes erdhi si pasojë e rënies së prodhimit të energjisë elektrike dhe e problemeve të përkohshme në sektorë specifikë të ekonomisë. Në veçanti, reduktimi i prodhimit të energjisë elektrike kontribuoi me -1.6 pikë përqindje në rritjen ekonomike të tremujorit të parë. Ky efekt do të vijojë të jetë i pranishëm edhe gjatë dy tremujorëve pasues. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, burimi kryesor i rritjes ishte zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, të mbështetura, ndër të tjera, edhe nga kushtet e favorshme të financimit dhe zgjerimi i kredisë bankare.

Ngadalësimi i rritjes ekonomike në tremujorin e parë dhe i inflacionit në tremujorin e dytë rezultoi më i fortë sesa pritjet e bankës. Në veçanti, ndikimi negativ i prodhimit të energjisë elektrike në rritjen ekonomike ishte më i lartë se vlerësimet tona fillestare. Ky ndikim do të vijojë të jetë i pranishëm dhe në pjesën e mbetur të vitit 2019 dhe pritet të sjellë një ritëm më të ulët rritjeje kundrejt atij të regjistruar vitin e shkuar. Gjithashtu, reduktimi i çmimeve bujqësore shkoi përtej efektit të pritur sezonal, në kontekstin e një inflacioni të ulët të çmimeve të ushqimeve në rajon dhe në botë. Ky efekt pritet të jetë i pranishëm dhe në tremujorët në vazhdim.

 

Përmirësim gradual

Në skenarin bazë, rritja ekonomike parashikohet të vijë në përmirësim në horizontin afatmesëm, e mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit, nga rritja e punësimit dhe e të ardhurave të familjeve, nga shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve prodhuese të bizneseve, si dhe nga rritja e eksporteve. Zgjerimi i kërkesës agregate do të mundësojë një rritje të mëtejshme të kërkesës për punë dhe të punësimit, çka pritet të sjellë rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Paralelisht me forcimin e presioneve të brendshme, edhe presionet e huaja inflacioniste pritet të vijnë në rritje, si pasojë e shuarjes graduale të efektit frenues të mbiçmimit të kursit të këmbimit. Inflacioni parashikohet të luhatet rreth nivelit mesatar prej 1.5% për vitin 2019, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Ky skenar zhvillimesh sugjeron se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm dhe se ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare do të jetë e nevojshme përgjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm. Normalizimi i politikës monetare do të fillojë vetëm në prani të konsolidimit të trendeve pozitive të zhvillimit dhe të forcimit të qëndrueshëm të presioneve inflacioniste, por jo më herët se tremujori i dytë i vitit të ardhshëm. Në çdo rast, intensiteti i stimulit do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik.

 

 

Rreziqet në rritje

 

Paralelisht me rikonfirmimin e skenarit bazë, Banka e Shqipërisë konstaton se rreziqet e kahut të poshtëm kanë ardhur në rritje. Mjedisi i jashtëm ekonomik paraqitet në përkeqësim të vazhdueshëm, si në drejtim të rritjes ekonomike ashtu dhe të presioneve të ulëta inflacioniste që burojnë prej tij. Gjithashtu, vijimi apo forcimi i tensionit të brendshëm politik mund të rritë më tej pasigurinë, duke u shoqëruar me rënie të konsumit dhe të investimeve të sektorit privat dhe ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike. Së fundi, ndonëse me një probabilitet më të ulët se më parë, rreziqet mbi kohëzgjatjen dhe ndikimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit dhe mbi qëndrueshmërinë e përmirësimit të kredisë, vijojnë të jenë të pranishme.

Materializmi i këtyre rreziqeve do të kishte ndikime serioze në pritjet tona për të ardhmen dhe mund të kërkojë rishikimin në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare”, vlerëson Banka.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of