Grupi Vodafone ka zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes përfundimtare për shitjen e kompanisë së saj Vodafone Italia tek zviceranët e Swisscom për 8 miliardë euro.
Swisscom është i pranishëm në Itali nëpërmjet kompanisë konkurrente të shërbimeve fikse dhe celulare Fastweb. Marrëveshja pritet të mbyllet përfundimisht në muajt e parë të vitit 2025, për shkak të kohës së nevojshme për marrjen e miratimeve nga autoritetet rregullatore, veçanërisht Autoritetit të Konkurrencës në Itali.
Fastweb dhe Vodafone kanë nënshkruar gjithashtu një kontratë që do t’i lejojë grupit zviceran të përdorë markën Vodafone në Itali për një maksimum prej pesë vjetësh.
Swisscom do t’i paguajë Vodafone 8 miliardë euro, si edhe një tarifë vjetore për shërbimet dhe markën e ofruar nga Vodafone, e cila do të fillojë nga 350 milionë dhe më pas do të ulet me kalimin e kohës. Bashkimi i Vodafone Italia në Fastweb do të krijojë një grup me të ardhura vjetore prej rreth 7 miliardë eurosh dhe rreth 33 milionë klientë në shërbimet celulare.
Grupi i ri do të jetë shumë i fortë veçanërisht në shërbimet e biznesit, aq sa kompania tjetër Iliad, që pati tentuar dy herë pa sukses të blinte Vodafone Italia, ka shprehur shqetësim për rrezikun e krijimit të një duopoli në këtë sektor në Itali, mes TIM dhe Fastëeb-it të zgjeruar.
Drejtori i Përgjithshëm i Fastweb, Walter Renna, tha se ky operacion shënon një pikë kthese për kompaninë dhe do të gjenerojë vlerë të konsiderueshme për të gjithë palët e interesuara.
“Ndërmarrja e re do të kontribuojë në evoluimin e këtij sektori strategjik me investime të konsiderueshme në fibra dhe 5G, shërbime inovative TIK dhe sigurinë e infrastrukturës, duke mundësuar kështu një transformim dixhital të shpejtë të familjeve, bizneseve dhe administratës publike,” tha Renna.
Në tetor të vitit të kaluar, grupi Vodafone njoftoi edhe arritjen e marrëveshejs së shitjes së filialit të saj në Spanjë te kompania britanike Zegona Communications, për 5 miliardë euro.
Duke komentuar shitjen e Vodafone në Itali dhe Spanjë, CEO i Grupit Vodafone, Margherita Della Valle tha se “problemi tipik i këtyre tregjeve është fragmentimi i tepërt: shumë rrjete celulare në të njëjtën kohë që mbulojnë të njëjtat vende. Kjo na ka penguar të arrijmë kthime që tejkalojnë koston tonë të kapitalit”.
Në gusht 2022, Vodafone vendosi edhe daljen nga tregu hungarez, duke e shitur filialin e saj te një konsorcium i përbërë nga grupi hungarez i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacioneve, 4iG dhe qeveria hungareze. Vodafone Hungari u ble në një operacion të përbashkët mes 4iG dhe fondit publik të investimeve Corvinus, për një vlerë prej 715 miliardë forinta hungareze ose afërsisht 1.8 Miliardë Euro. 4iG është aksioner shumice me 51% të aksioneve në Vodafone Hungaria, ndërsa qeveria hungareze, nëpërmjet fondit Corvinus, 49%.
Blerja e Vodafone Hungari shënoi hapin e radhës, por edhe më të madhin deri tani, në aleancën strategjike mes qeverisë së Victor Orban dhe kompanisë së kontrolluar nga biznesmeni hungarez, Gellert Jaszai. Ky partneritet solli bashkimin e 4iG dhe qeverisë hungareze në kompaninë Antenna Hungaria, që është edhe aksioner i tërthortë kontrollues në kompaninë shqiptare One Albania, përveçse në operatorin më të madh të telefonisë celulare në Mal të Zi, One Crna Gora.
Tërheqja nga “ndërkombëtarizimi”, a po i vjen radha Shqipërisë?
Dalja nga një treg tjetër i rëndësishëm i grupit Vodafone duket të jetë tregues i një strategjie të reduktimit të pranisë ndërkombëtare të grupeve të mëdhenj të telekomunikacionit. Edhe në këtë treg po ndodh një proces i ngjashëm me atë që nisi afërsisht një dekadë më parë në sektorin bankar, ku shumë grupe të rëndësishme europiane vendoësn të tërhiqeshin nga disa prej tregjeve periferike, për të konsoliduar aktivitetin në tregjet e tyre kryesore.
Një tendencë e tillë e ka prekur edhe Shqipërinë. Pas largimit të shumicës së grupeve bankare europiane, në vitin 2020 edhe grupi gjerman i telekomunikacioneve, Deutsche Telekom vendosi ta shesë filialin e saj në Shqipëri, Telekom Albania (të kontrolluar në mënyrë të tërthortë nëpërmjet grupit OTE).
Në vitet e fundit, në treg kanë qarkulluar thashetheme edhe për një largim të grupit Vodafone, që është i pranishëm prej më shumë se 20 vitesh në Shqipëri me kompaninë Vodafone Albania. Deri tani, kompania shqiptare i ka mohuar këto zëra.
Megjithatë, duke parë tendencën e de-ndërkombëtarizimit që ka përfshirë grupin Vodafone dhe grupe të tjera të rëndësishme të telekomunikacioneve në Europë, është e qartë se rëndësia e tregjeve të vogla, si Shqipëria, për këto grupe është po bie.
Për më tepër, në dekadën e fundit përfitueshmëria e operatorëve të telekomunikacioneve në Shqipëri ka pësuar rënie të ndjeshme. Për të zgjeruar tregun dhe bazën e të ardhurave, në vitin 2020 Vodafone Albania vendosi të hyjë edhe në tregun e shërbimeve fikse, duke blerë operatorin e dytë më të madh fiks të asaj kohe, Abcom.
Megjithatë, as shërbimet fikse nuk duket të kenë sjellë impakt të rëndësishëm në përmirësimit e përfitueshmërisë së kompanisë, edhe për shkak të konkurrencës shumë të fortë që ekziston në këtë segment të tregut.