Në Shqipëri tregu i pensioneve private është tejet i vogël dhe autoritetet po shohin mundësinë për ndërhyrje në legjislacion për të krijuar hapësira për zgjerimin e mbulimit. Ai llogaritet në 4.9 milionë euro dhe deri në fund të marsit të këtij viti numëronte 9,700 individë të përfshirë në skemë.
Për të paraqitur mundësitë për rritjen e këtij tregu Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me mbështetjen e Bankës Botërore do të zhvillojë në Tiranë në datën 8 tetor konferencën “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri – zgjerimi i mbulimit”. Në të do të pasqyrohet ecuria e tregut të pensioneve private në Shqipëri, mundësitë dhe sfidat që paraqet zgjerimi i këtij tregu në vend. Pjesëmarrës do të jenë ligjvënës, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe institucioneve të huaja ndërkombëtare, si edhe institucione rregullatore, homologe të AMF-së në rajon.
Në këtë konferencë do të prezantohen edhe rezultatet e anketimit të zhvilluar nga AMF në bashkëpunim me Institutin e Statistikës (INSTAT) në mbi 500 subjekte ekonomike private në të gjithë Shqipërinë në lidhje me mundësinë e zgjerimit të tregut të pensioneve vullnetare në vend. Gjithashtu do të jepen edhe rekomandime për mundësitë e shtrirjes dhe pjesëmarrjes më të gjerë në fondet e pensioneve vullnetare private.
Disa shoqëri shqiptare do të prezantojnë përvojat e tyre, të cilat kanë ofruar për punonjësit e tyre përfshirjen në skemat e pensioneve vullnetare private. Një tjetër këndvështrim për zhvillimin e tregut do të prezantojnë edhe tre shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve, për avantazhet që sjell përfshirja në këto fonde dhe mundësitë për zgjerim.
Konferenca është pjesë e një projekti më të gjerë që po zbatohet nga AMF në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative), i cili krahas zgjerimit synon edhe asistencën teknike për mbikëqyrjen efektive të tregut të pensioneve vullnetare private në vend. Ky projekt ka nisur në muajin korrik të vitit të kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.