“Work smarter not harder” (puno me zgjuarsi dhe jo më shumë), ka qenë mantra e konsulentëve të menaxhimit për dekada.
Por, po sikur thjesht punoni më pak?
Ka prova se heqja e javës së zakonshme të punës, ka përfitime si për punëdhënësit ashtu edhe për punonjësit.
Raporti historik i Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum, WEF) për vitin 2020, The Future of Jobs, parashikoi se dixhitalizimi i shpejtë i botës së punës do të çonte që dy të pestat e fuqisë punëtore globale të operonin nga distanca.
Shumë organizata do të përqafonin plotësisht punën fleksibël.
Ky parim provua në të gjithë botën në vitin 2022, të koordinuara nga një organizatë jofitimprurëse, 4 Day Week Global, me punëdhënës në Irlandë, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Zelandën e Re.
Përfitimet befasuese të javës 4-ditore të punës
Studimet globale u ndoqën nga ajo që është, deri më sot, prova më e madhe në një vend, në MB, që përfshin 73 kompani dhe 3,300 punonjës.
Në të gjitha provat, rezultatet ishin të ngjashme – nga katër ditë punë për pesë ditë pagë, përfituan si punëdhënësit ashtu edhe punëtorët.
Produktivitet më i lartë
E thënë thjesht, duke punuar një javë katër-ditore, do të thotë se njerëzit do të bënin më shumë në më pak kohë.
Në vitin 2019, Microsoft Japan prezantoi një javë pune katër ditore dhe raportoi një rritje prej 40% në produktivitet.
Ka pasur rezultate të ngjashme nga provat në të gjithë botën në 2022, me punonjësit që angazhohen të mbulojnë 100% të punës së tyre normale në 80% të kohës.
Kur u pyetën të vlerësonin produktivitetin e përmirësuar gjatë provës në një shkallë, ku 1 ishte negativ dhe 10 ishte shumë pozitiv, punëdhënësit i dhanë 7.7.
Punëtorë më të lumtur
Më shumë se 9 nga 10 punonjës, që morën pjesë në provat globale, thanë se dëshironin të vazhdonin me javën katërditore, duke e vlerësuar përvojën e tyre 9.1 nga 10.
Matjet e stresit të punonjësve, djegies (burnout), lodhjes dhe konfliktit punë/familje, ishin të gjitha në rënie.
Në të njëjtën kohë, punonjësit raportuan përmirësim të shëndetit fizik dhe mendor, ekuilibër punë-jetë dhe rritje të kënaqësisë së përgjithshme të jetës.
Edhe pse disa punonjës ishin ende duke bërë disa punë në ditën e tyre të pushimit, shumica mendonin se ishin më produktivë dhe bënin një punë më të mirë.
Njerëzit raportuan se bënin më shumë aktivitet fizik dhe më shumë gjumë, në një javë 4-ditore.
Për familjet, rezultatet nga studimi në Mbretërinë e Bashkuar ishin shumë pozitive, ku koha e shpenzuar nga punëtorët meshkuj për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, u rrit me 27%.
Më mirë për planetin
Me një ditë më pak në punë, koha e udhëtimit në javë pritej të zvogëlohej dhe kjo është ajo që ndodhi, duke rënë nga 3.5 orë, në pak më pak se 2.6 orë, 27% më e ulët.
Por një surprizë më e madhe, ishte reduktimi i përgjithshëm i njerëzve që udhëtonin me makinë, nga 56.5% në 52.5% të punonjësve.
Studiuesit thanë se kjo ishte pjesërisht për shkak të punës në distancë, por kishte shenja të tjera që njerëzit ishin më të ndërgjegjshëm për mjedisin.
Koha e shpenzuar për riciklimin, ecjen, çiklizmin dhe blerjen e produkteve miqësore me mjedisin, panë një rritje “të vogël por të konsiderueshme”.
Një studim i mëparshëm nga Universiteti i Masaçusets Amherst, zbuloi se një reduktim prej 10% në orët e punës, zvogëlon gjurmën e karbonit të një individi me 8.6%, duke nxitur ekonomisten dhe studiuesen Juliet Schor, të argumentojë se një javë më e shkurtër pune, është çelësi për uljen e emetimeve globale të karbonit.
A do të përqafohet gjerësisht?
Provat katër-ditore të javës fituan miratimin pothuajse unanim, nga punëtorët që morën pjesë, me 97% që thanë se një javë 4-ditore duhet të bëhet e përhershme në organizatën e tyre.
Punëdhënësit, gjithashtu, ishin shumë pozitivë, 92% e atyre që morën pjesë në MB, po e ruajnë javën katërditore.
Globalisht, kompanitë që morën pjesë, raportuan se të ardhurat e tyre ishin rritur përafërsisht me 8% gjatë provës, dhe ishin 37,55% më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2021.
Punësimi u rrit, mungesat në punë u ulën dhe madje numri i njerëzve që largoheshin nga puna ra paksa.
Ndërkohë, shqetësues për kompanitë që nuk e përqafojnë javën katërditore, është fakti se shtatë nga 10 punonjës thanë se do të kërkonin një rritje pagash, midis 10% dhe 50%, nëse pritej të punonin pesë ditë në javë, 13% thanë se asnjë shumë parash nuk do t’i bindte ata të heqin dorë nga java katërditore.
Imperativ biznesi
Duke folur në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos në janar 2023, Sander van’t Noordende, CEO i firmës globale të konsulencës së burimeve njerëzore Randstad, tha se java katërditore e punës ishte “një imperativ biznesi” në një botë ku talenti është i pakët.
Duke kërkuar një ndryshim në qëndrimet e punëdhënësve, ai tha se shefat duhet t’i trajtojnë punonjësit si klientë.
“Duhet t’i pyesni se çfarë duan dhe të përpiqeni ta bëni punën sa më të mirë, për klientin tuaj. Ju duhet ta trajtoni talentin në mënyrë të barabartë.” tha ai.
Studimi i Randstad tregoi se gjysma e të gjithë punonjësve, ishin të gatshëm të linin punën nëse nuk ishin të lumtur në punë.
Orari fleksibël dhe puna hibride, duke kombinuar kohën e kaluar në zyrë dhe në distancë, ishte një mënyrë e provuar dhe e suksesshme, për të rritur kënaqësinë në punë. / World Economic Forum