Mbretëria e Bashkuar po udhëheq pjesën tjetër të Europës në vaksinimin anti Covid, sipas një raporti të Euronews, me të dhënat deri në 9 prill.
Për sa i përket numrit absolut të vaksinave, Mbretëria e Bashkuar, e cila miratoi vaksinën e saj të parë COVID-19 më 2 dhjetor, gati tre javë përpara BE-së, ka avancuar shumë në drejtim të imunizimit të popullsisë së saj.
Sa përqind e popullsisë është vaksinuar plotësisht?
Teksa Britania e Madhe është shumë përpara pjesës tjetër të Europës për vaksinat totale të administruara, vendet e tjera janë përpara përsa i përket përqindjes së popullsisë së tyre plotësisht të vaksinuar kundër sëmundjes, që zakonisht do të thotë dy doza.
Mbretëria e Bashkuar, e etur për t’i dhënë sa më parë të ishte e mundur dozën e parë të vaksinës një numri të madh të banorëve të saj, tani po pret shumë më shumë se shtetet e tjera për t’i ofruar atyre dozën e dytë të vaksinës.
Kush ka pasur ecurinë më të mirë në krahasim me numrin e popullsisë?
Mbretëria e Bashkuar ka administruar më shumë vaksina në total, që dotë thotë vaksina për frymë. Serbia dhe Hungaria janë gjithashtu të forta në këtë drejtim. Të dyja kanë zgjeruar portofolet e tyre të vaksinave duke blerë dozat e plota të vaksinave në Rusi dhe Kinë. Shikoni hartën më poshtë nëse doni më shumë informacion në lidhje me ecurinë e vendeve të tjera në Europë.
A po e fitojnë garën e vaksinave shtetet e pasura?
Ka pasur pretendime që përhapja e vaksinave të COVID po përballet me “aparteidin e vaksinave” në pjesë të ndryshme të botës. Në fillim të shkurtit, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nëntë në 10 vaksinat e koronavirusit kishin qenë në vendet më të pasura. Për të parë se çfarë po ndodhte në Europë, ne krahasuam PBB-në për frymë me numrin e vaksinave të administruara për 100 mijë banorë.
Një pjesë e vendeve relativisht më të varfra – sipas standardeve të Bashkimit Europian – filluan vaksinimin më vonë dhe kanë arritur të vaksinojnë më pak njerëz. Lista përfshin shtete të tilla si Ukraina, Moldavia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bjellorusia. Serbia dhe Luksemburgu janë të pozicionuara në skajet e kësaj renditjeje. E para, për sa i përket pasurisë së saj, ka vaksinuar një numër më të lartë banorësh në krahasim me mesataren e shteteve të tjera.
Dhe e kundërta është për Luksemburgun, i cili është një ndër shtetet më të pasura në këtë renditje por ka një normë inokulimi nën mesataren.
Ku qëndron Shqipëria?
Shqipëria ndodhet shumë poshtë nën mesataren e Europës, me rreth 9.3 mijë vaksinime për 100 mijë banorë (deri në 12 prill), nga 20 mijë që është mesatarja europiane. Është më mirë se vendet e tjera të rajonit, përveç Serbisë e cila ka përparuar më shumë sa i përket procesit të vaksinimit. Serbia ka kryer 40 mijë persona për 100 mijë banorë, ose 4 herë më shumë se Shqipëria.
A po luhet në nivele të barabarta kjo lojë?
Vështirësia me të dhëna në këtë drejtim është sepse jo çdo shtet filloi vaksinimet në të njëjtën kohë. Rusia dhe Britania ishin të parat që filluan vaksinimin, përkatësisht 5 dhe 8 dhjetor. Serbia më 24 dhjetor, ndërsa pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së filluan më 27 dhjetor.
Cili grup u vaksinua i pari?
Një tjetër tregues interesant është se cilës kategori njerëzish secili shtet zgjodhi t’ia bëjë vaksinën COVID-19 fillimisht. Vendet në studimin tonë janë të ndarë në mënyrë të barabartë midis profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe të moshuarve. Ka gjithashtu një grup vendesh, si Turqia, Serbia, Republika Çeke dhe Bullgaria që zgjodhën t’ua jepnin atë fillimisht politikanëve. Në disa raste, kjo mund të jetë një mënyrë për të qetësuar frikën e një popullatë skeptike ndaj vaksinimit. Në Shqipëri vaksinimi filloi më11 janar 2021, me profesionistët e kujdesit shëndetësor./ Euronews
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.