Bien eksportet e mallrave me 14.8 % në maj 2016, duke arritur 21 mln lekë, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ndikimin kryesor duket se e ka pasur energjia elektrike, mineralet dhe lëndët djegëse. Sipas shifrave të INSTAT, raportohet sërish rënie të eksporteve edhe krahasuar me një muaj më parë, në maj 2016 kanë rënë me 2.9 % krahasuar me prillin e këtij viti.
Nga ana tjetër, shifrat sugjerojnë për një rritje të importeve me 14.2 % krahasuar me maj 2015, të cilat kryesohen makineritë dhe pajisje këmbimi. Importet kanë pësuar ulje me 2.5 % krahasuar me një muaj më parë.
Deficiti tregtar i majit 2016 është 30 mld lekë, duke u rritur me 48,6 % krahasuar me Maj 2015 dhe duke u ulur me 2,3 % në krahasim me Prill 2016, përllogarit INSTAT.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Rënia vjetore e eksporteve prej 14,8 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -21,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +8,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +2,2 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +1,0 pikë përqindje.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Rritja vjetore e importeve prej 14,2 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +3,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,5 pikë përqindje”. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje.
Vendet tregtare:
Në muajin Maj 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2015 janë: Italia me 5,8 %, Greqia me 22,8 % dhe Serbia 44,8%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 44,6 %, Gjermania me 16,2 % dhe Maqedonia me 21,7 %. Në muajin Maj 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2015 janë:Gjermania me 90,5 %, Kina me 97,4 % dhe Turqia me 9,3 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me 0,3 %, Greqia me 9,8 % dhe Serbia me 12,4 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.