Pse është kaq e vështirë të sigurosh faljen e borxhit për vendet e varfra . Që të jetë i vlefshëm lehtësimi i borxhit, duhet të pajtohen kreditorët privatë dhe Kina
Qeveritë e shumë vendeve të varfra janë përballur me një zgjedhje vërtet të vështirë këtë vit, shpenzimeve për të mbështetur popullsinë e tyre në mes të krizës Covid-19 apo pagimit të kreditorëve, shkruan The Economist.
Së fundmi, ministrat e Financave të shteteve anëtare në G20, ofruan një zgjidhje të përkohshme për 73 vendet më në nevojë në botë, duke vendosur të zgjasnin Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit (DSSI) për të ndaluar pagesat e shërbimit të borxhit deri në korrik 2021. Kjo duhet të lirojë më tepër fonde për të luftuar pandeminë (shih grafikun). Por një zgjidhje jetëgjatë kërkon veprime më dramatike.
Borxhi publik në vendet e varfra u rrit nga 29% e PBB-së në vitin 2012, në 43% në 2019, sipas FMN-së dhe këtë vit pritet të rritet në 49%. Rënia e të ardhurave nga taksat dhe deficitet e fryra, e bëjnë më të vështirë pagimin e faturave dhe shqetësojnë investitorët e huaj.
Sipas të dhënave nga Banka Botërore dhe tre agjencitë më të mëdha të vlerësimit të kredisë, të paktën 33 nga vendet e kualifikuara për DSSI, ishin pothuajse ose në gjendje ankthi borxhi – pra, në vështirësi për të përmbushur detyrimet e tyre të shlyerjes së borxheve. 73 vendet e kualifikuara për DSSI duhej të shpenzonin mbi 31 miliardë dollarë për shërbimin e borxhit midis majit dhe dhjetorit. Rreth gjysma e kësaj shume detyrohej nga 33 vendet nën presionin më të madh fiskal, përfshirë Etiopinë, Mozambikun dhe Zambian.
Vala e dështimeve të shlyerjes së borxheve nga qeveritë, është shmangur vetëm sepse bankat qendrore kanë ulur normat e interesit dhe institucionet financiare ndërkombëtare kanë dhuruar fonde emergjente. Por as këto dhe as DSSI-ja, e cila pezullon vetëm pagesat e shërbimit të borxhit, nuk mund t’i rregullojnë problemet e aftësisë paguese afatgjatë.
Aty ku këto probleme ekzistojnë, zgjidhja më e mirë është një ristrukturim i shpejtë i borxhit, në mënyrë që të shmangen mospagimet e çrregullta. Mungesa e përvojës së DSSI-së na tregon pse ristrukturimi i shpejtë mund të jetë tejet i vështirë për t’u arritur. Deri tani, janë pezulluar vetëm rreth 5 miliardë dollarë të pagesave të shërbimit të borxhit, midis majit dhe dhjetorit të këtij viti.
Një nga problemet ishte se huamarrësit në vështirësi, hezitonin për t’u bërë pjesë e programit të ndihmës, me shqetësimin se mos përkeqësonin pozicionin e tyre financiar. G20 nxiti kreditorët privatë, të cilëve u duhej shlyer edhe 5 miliardë dollarë midis majit dhe dhjetorit, për të marrë pjesë, por zbuloi se vendet e varfra shqetësoheshin se mos u ulej vlerësimi i kreditit.
Disa shqetësoheshin se afrimi me kreditorët zyrtarë do të pritej keq nga agjencitë e vlerësimit. “Ne me siguri do të pyesnim pse këto vende do të kishin nevojë për një opsion të tillë”, thotë Tony Stringer nga agjencia e vlerësimit, Fitch.
Një tjetër problem ishte bindja e huadhënësve të tjerë. “Klubi i Parisit” që përbëhet kryesisht nga qeveritë e shteteve të pasura, dikur ishte tepër i rëndësishëm dhe komandonte në çdo çështje për ristrukturimin e borxhit. Por deri në fund të vitit 2019, 33 shtetet pjesëmarrëse i detyroheshin për rreth një të katërtën e borxhit të tyre publik Kinës, e cila nuk bën pjesë në këtë klub.
Dhe megjithëse teorikisht Kina u regjistrua në DSSI dhe ka qenë një nga ofruesit më të mëdhenj të lehtësimit të borxhit, në praktikë, ajo nuk ka pranuar të njëjtat kushte si vendet e tjera. Disa nga konfliktet kanë të bëjnë me faktin nëse pagesat duhet të ndërpriten nga data kur është bërë kërkesa për pezullim, apo kur kushtet e saj janë finalizuar, dhe nëse duhet t’u lehtësohet borxhi vendeve që tashmë janë në vonesë pagese. Kina gjithashtu ka ngulur këmbë se Banka e Zhvillimit e Kinës, e cila jep kredi zhvillimi, nuk është një huadhënëse zyrtare, dhe për këtë arsye, duhet të përjashtohet nga skema.
Nisma nga DSSI mund të nënkuptojë se huadhënësit po përpiqen të shtyjnë për më vonë çështje të vështira rreth ristrukturimit të borxhit. Sidoqoftë, G20 gjithashtu tha se kishte rënë dakord në parim mbi një “kornizë të përbashkët” për ristrukturimin e borxhit, e cila mund të sigurojë që kreditorët e G20 dhe sektori privat të trajtohen njëlloj. Detajet duhet të përcaktohen përpara një samiti në nëntor. Por nëse kjo i nxit autoritetet kineze të koordinojnë me agjencitë e tyre të ndryshme të huazimit, nisma mund të çojë në një lehtësim të vërtetë borxhi.