Ligji për Gjykatat Administrative, i miratuar sot në kuvend është përshëndetur menjëherë nga ata që kanë qenë aktorë e mbështetës në krijimin e Gjykatave Administrative. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, e mirëpriti miratimin e ligjit duke theksuar se, “Ligji për gjykatat administrative i miratuar nga Kuvendi pritet të fuqizojë sistemin e drejtësisë në vend, të përmirësojë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në drejtësi, si dhe të mundësojë veprime procedurale dhe gjykime më të shpejta”. Sipas tij, të gjitha këto janë shumë të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor në vend. “Projektligji u përmirësua ndjeshëm në krahasim me vitin 2010, kur u paraqit për herë të parë në komisionin parlamentar të ligjeve. Përmirësimet ishin, në një shkallë të madhe, rezultat i konsultimeve publike me aktorët e interesuar. Kjo, së bashku me një atmosferë pune konstruktive në komision, është një faktor nxitës për reforma të mëtejshme dhe për veprimtarinë e Kuvendit”, shtoi Wollfarth.
Në të njëjtën kohë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka përshëndetur votimin e arritur sot në kuvend për ngritjen e Gjykatës Administrative. “E miratuar me konsensusin e gjerë të forcave politike, për sipërmarrjen ky është një nga vendimet më të rëndësishme që merret nga ligjvënësit kuvendorë”, thuhet në deklaratë. Sipas Drejtuesve të kësaj Dhome, nxitja dhe funksionimi sa më parë i kësaj gjykate do të thotë marrjen fund të zvarritjeve të vazhdueshme te biznesit, duke zgjidhur kështu problemet administrative që ndesh në punën e përditshme. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka qenë që iniciatore për ngritjen e kësaj gjykate duke theksuar se prania e kësaj gjykate do t’i japë frymë tjetër biznesit. Dhoma ka lobuar për një sërë ndryshimesh ligjore të propozuara nga palët politike për të mbërritur në një ligj sa më të plotë dhe të pakontestueshëm. “Shtyrja disa herë e miratimit të këtij ligji, vijonte të krijonte probleme për sipërmarrësit dhe ne si institucion përfaqësues i tij e vlerësojmë gjetjen e konsensusit mazhorancë-opozitë në miratimin e këtij ligji”, thuhet në njoftimin për median.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.