Dayi Air-rail i ri u përurua më 26 qershor në metropolin e Chengdu. Tërësisht “green”, drejtohet nga një ushqyes me bateri litiumi
Në pamje të parë duket sikur lëviz mbi shina të padukshme, në fakt, drejtohet nga lart, nga një ushqyes me bateri litiumi. Për ta bërë edhe më unik në llojin e tij, ai është projektuar për t’i ngjarë një panda.
Bëhet fjalë për Dayi Air-rail, treni futuristik i një gjenerate të re, i cili qëndron pezull, i përuruar më 26 qershor, në Chengdu, në provincën Sichuan, në Kinën Jugperëndimore. I aftë të udhëtojë deri në 80 km/h, ai synon t’u ofrojë turistëve një panoramë që të lë pa frymë të horizontit modern të metropolit. Kjo falë veçorisë kryesore – nuk mbështetet në tokë. Çdo vagon – me kapacitet deri në 120 persona – ka dritare transparente në tre anë nga katër (dy anësore plus dyshemeja).
Eko i qëndrueshëm dhe i lehtë
Për momentin, linja Dayi Air-rail mbulon katër stacione. Brenda fundit të vitit, kur të përfundojë, do të shtrihet në një total prej 11.5 km dhe do të përshkojë pikat më karakteristike të qytetit, falë litiumit në një mënyrë 100% eko të qëndrueshme. Përdorimi i fibrave të karbonit e bën trenin më të lehtë, duke reduktuar sasinë e energjisë së nevojshme për funksionimin e tij.
Zhong Min, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i shoqërisë që zhvilloi projektin shpjegoi për mediat lokale se “gjenerata e re e këtyre mjeteve peshon rreth 2.5 tonë, 0.5 tonë më pak krahasuar me ato tradicionale dhe ka koeficientin e peshës më të ulët në sektor”. Treni i ngjan një panda, e dukshme në pjesën e përparme të çdo vagoni.
Gjitari i madh, i cili prej pak ditësh nuk konsiderohet më në rrezik zhdukje, jeton pikërisht në rajonet malore të Sichuan.
/Corriere della Sera