“Në përgjithësi jam marrë, që në ditët e para që kam filluar sipërmarrjen private, me produktet ushqimore. Ato kanë qenë fushat ku unë kam pasur njohuri dhe kam menduar që mund të ecësh përpara. Në fillimet e viteve ‘92-‘93, kam importuar sasi të konsiderueshme djathi dhe duke pasur kontakte me fabrika më lindi ideja, përveç bizneseve të tjera qëzhvilloj, për të ngritur një fabrikë qumështi”, – shprehet z. Petrit Ago në lidhje me fillesat e tij në fushën e blegtorisë. Veprimtarinë ai e nisi fillimisht në Çermë dhe me kalimin e kohës u zhvendos në Fushë-Krujë, duke marrë me qira një ish-kompleks të mbarështimit të derrave aty, duke i bërë një rikonstruksion nga e para. Kompleksi ka një sipërfaqe prej 60 mijë m2, nga të cilat 20 mijë m2 janë stalla, të cilat janë 13 gjithsej. Në këtë kompleks, ai ka zgjedhur të mbarështojë aty raca të përzgjedhura, që fillimisht janë importuar, siç janë lopët frizon dhe delet lakon e dhitë brunalpine franceze, duke dhënë si argument gjenetikën e tyre të arrirë.
Por të kujdesesh për një numër të madh kafshësh nevojitet një planifikim i mirëfilltë për ushqimin e tyre. “Të mbushësh 13 stalla me kafshë, nuk është gjë e lehtë, sepse përveçse ato duan kohë për t’u mbushur, gjatë gjithë kohës je nën tension pasi duhen sasi të mëdha ushqimesh, siç janë jonxha, bari, kashta, koncentrati etj.”, – thekson z. Ago.
Për më tepër, ai shpjegon se për të ushqyer kafshët punojnë një ekip veterinerësh, të cilët përgatisin recetat sipas fazave të ndryshme që kanë kafshët dhe sipas llojit të ushqimit qëdisponohet.
Synimi i kompleksit është të furnizojë me qumësht për prodhimin e produkteve bulmetore. “Ideja për të bërë këtë kompleks ka lindur për t’i ardhur në ndihmë me qumësht të një cilësie të lartë një fabrike, që pas disa muajsh përurohet në afërsi të Rinasit. Fabrika e qumështit do të prodhojë dhe do të përpunojë një gamë të gjerë produktesh”, – bën të ditur z. Ago.
Ai është optimist se këto produkte mund të tregtohen edhe jashtë vendit, për faktin se veprimtaria është kontrolluar hap pas hapi.
Për sa i përket së ardhmes së blegtorisë, z. Ago vë në dukje se ky sektor është i lidhur ngushtë me bujqësinë dhe nga zhvillimi i tyre varet e ardhmja ekonomike e vendit. “Për mua sektori i bujqësisë dhe blegtorisë janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Nëse këta dy sektorë nuk do të zhvillohen, e ardhmja ekonomike e Shqipërisë do të jetë e zymtë. Por si bujqësia, edhe blegtoria mund të zhvillohen, për vetë kushtet që ka vendi ynë, siç është klima optimale dhe tradita në fushën e blegtorisë”, – nënvizon ai.
Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Nëse këta dy sektorë nuk do të zhvillohen, e ardhmja ekonomike e Shqipërisë do të jetë e zymtë. Por si bujqësia, edhe blegtoria mund të zhvillohen, për vetë kushtet që ka vendi ynë, siç është klima optimale dhe tradita në fushën e blegtorisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.